Vendlindja si topos i pashmangshëm

“Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme, që e rendit ndër poetët që mbeten për t’u nderuar dhe që qëndrojnë në vertikalen kulturore dhe shpirtërore të thesarit poetik kombëtar”, është shprehur kritiku Qazim Muja

Mbrëmja e tretë autoriale në kuadër të edicionit të 29-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” i është kushtuar shkrimtarit të njohur vendas për fëmijë dhe të rritur Ibrahim Berjashi.
Në bashkëbisedim me udhëheqësen e mbrëmjes, gazetaren Dafina Teliqi, shkrimtari ka folur për jetën e dyzuar ndërmjet gazetarisë dhe letërsisë, lidhjen e krijimtarisë së tij me vendlindjen, dallimet e të shkruarit për fëmijë dhe të rritur, poezitë e tij përkushtuese etj.
Si njëri ndër ideatorët dhe themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” e më pas të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, ai po ashtu ka kujtuar se si lindi ideja për një shoqatë të krijuesve dhe manifestim letrar në gjuhën shqipe në Ulqin, si reagim ndaj politizimit në fushën e kulturës në fund të viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, ku shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi u ishin mbyllur dyert në institucionet dhe asociacionet letrare.
Duke u përgjigjur për lidhjen e krijimtarisë së tij me vendlindjen, e cila vërehet kudo, Berjashi ka thënë se edhe shkrimtarët më eminentë e kanë gjetur frymëzimin në vendlindjen e tyre.
“Nuk mund t’i ikësh vendlindjes në asnjë mënyrë për arsye se ke personazhe nga më të ndryshmit, të cilët kanë një histori që ia vlen me i dëgjue”, ka thënë ai.
Shkrimtari ka theksuar rëndësinë e zotërimit të mirë të gjuhës në procesin krijues.
“Të krijosh poezi duhet ta zotërosh mirë gjuhën tënde dhe të lexosh sa më shumë”, ka thënë ai.
Sipas Berjashit, të botosh një libër është, në kuptimin figurativ, sikur të lindë një fëmijë, një foshnje.
Ai ka potencuar problemin e mungesës së revistave shqiptare për botimin e krijimtarisë letrare, siç kanë ekzistuar më herët.

“Nuk mund t’i ikësh vendlindjes në asnjë mënyrë për arsye se ke personazhe nga më të ndryshmit, të cilët kanë një histori që ia vlen me i dëgjue”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Berjashi, duke folur për lidhjen e krijimtarisë së tij me vendlindjen


Për krijimtarinë poetike të Berjashit ka folur kritiku Qazim Muja. Ai ka thënë se poezia e Berjashit është bërë tanimë një shenjë njohëse në poezinë tonë kombëtare, ndërsa emri i tij një emër i njohur në plejadën e poetëve kombëtarë të modernes letrare.
“Poezia apo hapësirat poetike nëpër të cilat lëviz Ibrahim Berjashi janë një ndërthurje e imazheve shumëdimensionale dhe shumëplanëshe, si në rrafshin tematik ashtu edhe në atë stilistik e motivor që përshkojnë pa pësuar manifestime shtesë dekorimi, dhe si të tilla në vetvete janë mjaft të fuqishme për të dërguar mesazhe domethënëse me shprehje konstante që karakterizohet me bartjen e vazhdueshme të disa motiveve apo toposeve të përhershme poetike në formë konceptuale, me konstruktet poetike origjinale, duke hequr dorë nga çdo referencialitet”, ka thënë ai.
Muja ka thënë se poezia që Ibrahim Berjashi shkruan është moderne, e rafinuar stilistikisht, e pasur me tematikë dhe imazhe poetike.
“Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme, që e rendit ndër poetët që mbeten për t’u nderuar dhe që qëndrojnë në vertikalen kulturore dhe shpirtërore të thesarit poetik kombëtar”, është shprehur ai.
Gjatë mbrëmjes, udhëheqësja Dafina Teliqi ka lexuar vargje nga poezitë e Berjashit.
Mbrëmja autoriale është mbajtur të premten në Libraninë “Ulqini”. Ajo është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në kuadër të projektit “Kultura na bashkon”, të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Organizata Turistike Ulqin.i. k.

Të fundit

më të lexuarat