Vendit i shtohet gjallëria

Ngjarjet kulturore në vend filluan me takimet e krijuesve artistikë, “Një gotë për Gjeloshin”, aktivitet që organizohet në përkujtim dhe nderim të veprimtarisë artistike të piktorit të madh, Gjelosh Gjokaj, ngjarje kjo që nga viti në vit mbledh piktorë dhe artistë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare si nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Artistët pjesëmarrës, edhe këtë vit krijimtarinë e tyre artistike e ekspozuan në disa lokacione piktoreske dhe institucione në Malësi

Malësi – Organizimi i ngjarjeve të ndryshme të cilat kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e shoqërisë së një vendi, qofshin ato kulturore apo të fushave të tjera, janë të mirëseardhura kurdoherë, veçanërisht për vendin tonë nëse marrim parasysh të kaluarën kur ato mungonin dukshëm.
Sot, fatmirësisht situata qëndron ndryshe dhe admiruesit e fjalës së shkruar, të artit, të kulturës, të pikturës, të muzikës, etj mund të shijojnë aktivitete të herëpashershme të cilat nga fundi u muajit qershor po i organizon Komuna e Tuzit, përmes ‘Verës kulturore në Malësi 2022’.
Ngjarjet kulturore në vend filluan me takimet e krijuesve artistik, “Një gotë për Gjeloshin”, aktivitet që organizohet në përkujtim dhe nderim të veprimtarisë artistike të piktorit të madh, Gjelosh Gjokaj, ngjarje kjo që nga viti në vit mbledh piktorë dhe artistë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare si nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Artistët pjesëmarrës, edhe këtë vit krijimtarinë e tyre artistike e ekspozuan në disa lokacione piktoreske dhe institucione në Malësi.
Publikut vendas gjithashtu iu mundësua të ndjek koncertin e shfaqur nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” nga Shkodra më 1 korrik 2022, në vendin piktoresk të Vitojës, në të cilin adhuruesit e muzikës qytetare shkodrane shijuan këngë të përzgjedhura nga repertori i pasur i artistëve pjesmarrës.
Ndërkaq, më 5 korrik në QKI “Malësia” në Tuz është hapur për herë të parë në Malësi, “Java e filmit shqiptar” ku morën pjesë publik i gjerë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qëndrore, dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Gjatë aktivitetit në fjalë, për disa netë rrest janë shfaqur filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, ndërsa natën e parë publiku shikoi filmat: “Nëntori i ftohtë” i regjisorit, Ismet Sijarina, dhe filmi “Paqja” me regji të Gabriel Camajt.
Ndërkaq, nga data 19 deri më 21 korrik 2022, po në Vitojë është organizuar “Kampi veror i fëmijëve”, aktivitet që mbledh numër të konsiderueshëm të fëmijëve për t’u argëtuar së bashku, por edhe për të shpalosur talentin e tyre në fusha të ndryshme.
Gjithashtu, të martën më 26 korrik, në oborrin e Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, në orën 19, u mbajt aktiviteti për fëmijë, “Cirku i fëmijëve”.
Nga Komuna e Tuzit kanë njoftuar se ngjarje kulturore në vend do të ketë edhe gjatë muajit gusht.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat