
Në edicionin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në muajin dhjetor të vitit 2024, doli nga shtypi libri me titull “Shtigje të lirisë – Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I”. Ky vëllim është hartuar dhe konceptuar nga Këshilli redaktues shtatanëtarësh: Zymer Ujkan Neziri, Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Binak Ulaj, Shefik Sadiku dhe Agim Sylejmani, përgatitur për shtyp nga Zymer Ujkan Neziri në bashkëveprim me: sekretar Agim Sylejmani, lektor Sylejman Dermaku, ballina Zeni Ballazhi, redaktimi teknik Zeni Ballazhi e Agim Sylejmani, shtypur në Shtypshkronjën “Lena Graphic” në Prishtinë. Libri përbëhet nga 436 faqe, kurse përurimi i tij është bërë më 31 korrik 2025 në manifestimin tradicional letraro-shkencor, të mbajtur në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë. Për librin në përurimin në fjalë ka folur kryeredaktori Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i cili e përgatiti atë për shtyp.
Në të dhënat për hartimin e leksikonit në fjalë thuhet se edhe para themelimit të Këshillit redaktues të projektit botues “Amza e lirisë”, Leksioni i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1945-1999, më 30 tetor 2020, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës hartoi tri vëllime me të dhënat kryesore të të burgosurve politikë në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore.
Për lexuesit e Leksikonit, vëllimi i parë 1944-1953, Këshilli redaktues paraqet disa të dhëna kryesore lidhur me ecurinë e kësaj vepre të rëndësishme të historisë sonë më të re që u paraprinë mbi dyzet vëllimeve pasuese për rreth 700 shekuj burg politik shqiptar nga gjykatat jugosllave.
Pas gjetjes së një dokumenti për Pejën në vitin 1944, me ndihmën e avokatit Ejyp Kolica, një listë me emrat e të arrestuarve nga pushteti partizan të dënuar me vdekje dhe të ekzekutuar, viti i fillimit të Leksikonit doli prej vitit 1945 në atë 1944. Edhe emërtimi i projektit botues “Amza e lirisë” ka ndryshuar dhe tani quhet “Shtigje të lirisë”. Pra, viti 1944 ishte fillimi, tani dhe do të jetë edhe për vëllimin vijues.
Këshilli redaktues i vëllimit të parë të Leksikonit, parathënien e librit e fillon me thënien se “Historiku i burgjeve për shqiptarët që jetonin në trojet e veta etnike e historike nën pushtimin jugosllav, është i veçantë”, duke vazhduar: “Në veçantinë e vet, shqiptarët nën okupim ishin dyfish të burgosur: brenda burgut me dry, me pranga e vargonj, dhe brenda burgut kolektiv. Në të parën me drama e tragjedi personale e individuale, ndërsa në të dytën me dramën e tragjedinë kolektive, që historikisht na kanë sjellë pushtuesit gjakatarë serbë e malazezë, e më pas, maqedonas”.
Në vazhdën e tekstit të parathënies së librit thuhet se burgjet jugosllave, veçmas për të burgosurit politikë shqiptarë, ishin një lloj laboratori për t’ua thyer karakterin, për t’ua shpërlarë trurin, për t’i tjetërsuar e poshtëruar. Në fakt, ato funksiononin si humbellë për shtypjen, thyerjen, ngulfatjen, rrënimin dhe eliminimin jo vetëm të rezistencës së kryengritjes liridashëse, por njëkohësisht ishin edhe në funksion të realizimit të dhjetëra projekteve programore serbe për “zgjidhjen e çështjes shqiptare”, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844) e deri te Memorandumi i ASSHA (1986), përkatësisht të projekteve për Serbinë e Madhe përmes dëbimeve me dhunë e pastrimit etnik të popujve josllavë, veçmas të shqiptarëve, e më pas edhe të gjermanëve, hungarezëve e të tjerëve sipas parimit politik “në viset tona s’ka pakica kombëtare” (Rexhep Qosja). Me projektet e tilla programore, që do të përcaktojnë politikën kombëtare e shtetërore serbe, parashiheshin edhe masat e mjetet për realizimin e tyre. Në projektin e dytë të Vasa Çubrilloviqit (nëntor 1944) shkruan: ‘Koha e luftës është koha më e përshtatshme për zgjidhjen e këtij problemi të madh. Çështja për zgjidhjen e së cilës në kohë të paqes mund të duhen dhjetëra vjet ose shekuj, në kohë të luftës mund të zgjidhen për ndonjë muaj a vit” (R. Qosja).
Ndërsa në tekstin e pasthënies së vëllimit të parë të librit “Shtigje të lirisë”, redaksia thekson se burgjet jugosllave ishin edhe armë e luftës, ishin edhe shkollë e edukimit patriotik dhe farkë e kalitjes politike e luftarake. Ishin inkubator i ideve, planeve dhe strategjive për ringjalljen, vazhdimësinë dhe rimëkëmbjen e projektit të shumë brezave të Rilindjes dhe të fuqizimit të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Siç thoshte Adem Demaçi, “Lëvizja shtonte të burgosur politikë, por edhe burgu politik shtonte dhe e forconte Lëvizjen”.
Për karakterin mizor të burgjeve jugosllave, për burgosjet e lirisë dhe çlirimtarëve, për prangosjen e lirë dhe ngujimin e Lëvizjes, edhe është folur dhe në një masë edhe është shkruar, ndonëse jo sa e si duhet.
Ky vëllim me biografitë e ish të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, të viteve të para të pas Luftës së Dytë Botërore, është trajtesë fillestare e një projekti më voluminoz, gjithëpërfshirës për burgun politik, që do të përfshijë dhjetëra vëllime. Duke qenë projekt aq i madh, është pritur se do të mbështetet financiarisht nga institucionet e shtetit – Kosovës. Kjo do ishte më e pakta që mund të bënin dhe që do të duhet të bëjnë për mijëra të burgosur politikë, për sakrificat e tyre të pandalshme për liri e çlirim kombëtar.
Këto janë edhe arsyet për titullimin e veprës “Shtigje të lirisë”, nëpër të cilat ka kaluar kjo kategori atdhetarësh dhe familjet e tyre, por ka edhe shtigje të tjera nëpër të cilat kanë kaluar kategori të tjera të luftëtarëve për çlirim e bashkim kombëtar, siç ishin luftëtarët me penë, artistët dhe armata e mësimdhënësve atdhetarë.
Redaksia e librit në fjalë, në përmbajtjen e tekstit të tij shkruan se vargu i pandërprerë nëpër shtigje lirie vazhdon: te paradoksi i paradokseve, me prangosjen e të pafajshmëve, të veprimtarëve të dëshmuar, të atdhetarëve dhe të luftëtarëve të shquar në luftën çlirimtare e fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata edhe tani, pas fitores së lirisë, mbahen me vite të tëra brenda grilash, padrejtësisht, tani në burgun “e Kosovës” në Hagë, që veç emrit “e Kosovës”, asgjë tjetër të Kosovës nuk ka. Edhe këto janë shtigje të lirisë sonë.
Duke iu referuar konstatimit të Shilerit, se ëndrrat më të bukura për lirinë shihen në burg, lind pyetja: po tani, në këto vite lirie, çfarë ëndrrash shohin ish të burgosurit politikë? Përgjigjen, mbase e gjejmë, e përvetësojmë dhe e shumëzojmë tek i pavdekshmi Ukshin Hoti: “Nëse ky qe fati ynë, ne do të pajtohemi me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguajmë, sepse fëmijët tanë dhe ne vetë jemi kuptimi i jetës sonë”, është kjo shprehje përmbyllëse e redaksisë së librit “Shtigje të lirisë”, vëllimi i parë (I).
Në të janë përfshirë biografitë me shumë foto portrete të 310 të burgosurve politikë shqiptarë, të 8 (tetë) familjeve shqiptare të internuara në Vojvodinë dhe të 20 familjeve shqiptare të burgosura dhe të mbajtura peng në burgje deri në arrestimin apo vrasjen e familjarit të përndjekur nga shumë troje etnike shqiptare në Jugosllavi dhe më gjerë.
Në fund të librit gjenden kopje të dokumenteve të ndryshme: shtatë faqe të listës së të dënuarve me vdekje në Pejë, 1944-1945, Vendimi i qeverisë serbe për publikimin e fatit të të pushkatuarve dhe varrezat e fshehta pas 12 shtatorit 1944, 4 faqe të kopjes së regjistrit të Gjykatës së Prishtinës për të dëmtuar në vitin 1949 në disa qendra të Kosovës, kopja e të dhënave për të pushkatuar në kohëra dhe qendra të ndryshme të Kosovës etj.
Në fletëfalënderimin në faqen e fundit të librit, kryesia e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe redaksia falënderojnë përzemërsisht Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për financimin e punës së autorëve të teksteve, përgatitjen për shtyp dhe për shtypjen e këtij libri.
Në fund, pa ngurrim dhe me plot gojë shpehi konstatimin se libri “Shtigje të lirisë” (vëllimi i parë) vërtet është vepër madhore e shprehjes, ndriçimit dhe reflektimit të dhunës dhe torturave të kryera ndaj të burgosurve politikë shqiptarë në kazamatet e ish-Jugosllavisë.
