Vëllim me peshë dhe vlerë të lartë që shpalos, thellon dhe reflekton njohuritë për epikën shqiptare, veçmas për Eposin e Kreshnikëve

Shaban Hasangjekaj

Në muajin prill të vitit 2023, doli nga shtypi libri i pestë studimor për Eposin e Kreshnikëve në Ballkan “Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise në Ballkan”, autor i të cilit është epikologu i mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit.
Recensues të vëllimit në fjalë janë: Prof. Dr. Nebi Bardhoshi, Akademia e studimeve Albanologjike, Tiranë, Prof. Dr. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, Milano, Itali, Parathënie, Dr. Sc. Mikaela Minga, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Pasthënie, Prof. Dr. Izaim Murtezani, Instituti i Folklorit, Shkup dhe Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku, Instituti Albanologjik, Prishtinë, Korrektorë: Avdi Gashi dhe Sulejman Dërmaku, Përkthyes: Shqipe Z. Neziri dhe Faruk Ferataj, Përkthyes konsultant: Robert Wilton, Përkthyes redaktor: Justin Elliot dhe Redaktor teknik: Zeni Ballazhi. Libri është shtypur në Shtypshkronjën “Grafoprint”, Prishtinë dhe përbehet prej 538 faqesh, botimin e të cili e ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Vëllimi (libri) në fjalë fillon me tekstin e parathënies së recensuesit Prof. Dr. Nicola Scaldaferri: “Vitet e fundit janë shënuar disa hapa me rëndësi thelbësore në studimin dhe njohjen e repertorëve të këngës epike shqiptare. Kjo ka ndodhur për disa arsye. Nga njëra anë, mund të shohim thellimin e punës në terren dhe botimin e tyre në koleksione, që kanë shpalosur një traditë të gjallë në një zonë të gjerë territoriale, kjo nuk ka të bëjë vetëm me territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me zona të konsiderueshme të vendeve fqinje”.
Recensuesi Scaldaferri në vazhdim të parathënies së vëllimit shton se “Nga ana tjetër, vërehet botimi i materialeve arkivore-historike me rëndësi të madhe, si koleksionet e njohura të M. Parry dhe A.B. Lord, të ruajtura në Universitetin e Harvardit, përfundimisht, pas kaq vitesh, ato e kanë parë dritën, ndaj janë bërë të arritshme për studiuesit dhe entuziastët si në versionin e printuar, ashtu edhe në internet, materiale me rëndësi të paçmuar për studimet e epikës shqiptare”.
Prof. Dr. Nicola Scaldaferri në recensionin e vet të shprehur në parathënien e vëllimit thekson: “E gjithë puna e bërë ndër vite nga Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, përfaqëson nj gurthemel të këtyre operacioneve. Ai është anëtar i ekipit (ku përfshihen V. Friedman, N. Scaldaferri dhe i ndjeri J. Kolsi), që realizoi botimin e materialeve të ruajtura në Harvard, pra ka një njohuri të thellë dhe unike për materialet e atyre koleksioneve. Prof. Dr. Zymer U. Neziri është gjithashtu promotor i hulumtimeve të ndryshme në terren, që u zhvilluan në kuadër të Projektit E5. Ideja për të kërkuar Eposin e Kreshnikëve në kuadrin më të madh gjeografik të vendeve kufitare, ofron një perspektivë që zgjeron njohuritë e epikës shqiptare dhe shkon përtej mënyrës tradicionale të qasjes ndaj kësaj çështjeje”. Andaj libri i botuar si vëllim i pestë (V) i serisë “Studime për folklorin”, ofron një tregim domethënës të këtyre përvojave të ndryshme kërkimore të kohëve të fundit në fushën e këngës epike shqiptare.
Autori Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri librin (vëllimin) e vet në fjalë, të pestin me radhë për Eposin e Kreshnikëve, e ka ndarë dhe radhitur në tri pjesë: I. Eposi i Kreshnikëve në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit (2002-2020), i ndarë në katër trajtesa shtjelluese: 1. Eposi i Kreshnikëve të Sanxhakut të Pazarit të Ri në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit, 2. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Plavës e Gucisë në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit, 3. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Rugovës: Lahutari Rizë Zymeri në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit dhe 4. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Mërturit: Lahutari Sokol Martini në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit. Pjesa II. Rezultate të punës kërkimore në Gadishullin Ballkanik (G. Ilirik) për Eposin e Kreshnikëve (2012- 2020), e ndarë në gjashtë trajtesa shtjelluese: 1. Eposi i Kreshnikëve – Monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në pesë shtete të Ballkanit dhe tradita lahutare në Krajë: Projekti E5 në Ballkan, 2. Eposi i Kreshnikëve ne Malësi të Madhe në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 3. Eposi i Kreshnikëve në Llapushë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 4. Eposi i Kreshnikëve në Drenicë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 5. Eposi i Kreshnikëve në Gostivar me rrethinë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan dhe 6. Eposi i Kreshnikëve në Kërçovë me rrethinë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan. Pjesa III. Portrete rapsodësh të njohur të Rrafshit të Dukagjinit, përbërë nga dy trajtesa shtjelluese: 1. Halil Beka-Mehmetaj (1913-2002), rapsod i njohur i Rrafshit të Dukagjinit dhe 2. Bajrush Doda (1936-2011), rapsod i njohur i Rrafshit të Dukagjinit.
Nga të dhënat e sipërshënuara rrjedhë se libri në fjalë ka katër punime kërkimesh arkivore në SHBA, në Universitetin e Harvardit nga viti 2002 e këndej, Sanxhaku i Pazarit të Ri, Plava e Gucia, Rugova, Mërturi, ka gjashtë punime kërkimesh në terren nga viti 2012 e këndej: Kraja e Tivarit, Malësia e Madhe, Llapusha, Drenica, Gostivari e Kërçova, si dhe dy portrete rapsodësh (Halil Beka-Mehmetaj e Bajrush Doda).
(Vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat