Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) vijoi para pak ditësh aksionin “Librat tonë në duart Tuaja” në Plavë, Guci dhe Rozhajë.
Siç njoftohet nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM), drejtori i këtij institucioni shtetëror, Gëzim Hajdinaga me bashkëpunëtorë, ua dorëzoi librat dhe revistat e botuara të këtij institucioni, drejtorëve të shkollës fillore “Dacaj” në Rozhajë, “Hajro Shahmanoviq” në Plavë, “Xhafer Nikoçeviq” në Guci dhe të “Beqo Bashiq” në Plavë.
“Drejtorët e shkollave kanë shprehur kënaqësinë e tyre që me këtë aksion, fondi i bibliotekave shkollore do të pasurohet me botime të vlefshme dhe e kanë njoftuar drejtorin Hajdinaga për librat të cilët u mungojnë fondit të tyre të bibliotekave, e që janë të domosdoshëm për realizimin e mësimdhënies”, njoftojnë nga ky institucion.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Gëzim Hajdinaga është shprehur se do të përkushtohet që këto shkolla të fitojnë librat e domosdoshëm, duke shprehur kënaqësi që aksioni “Librat tonë në duart Tuaja” ka hasur në një pritje të jashtëzakonshme nga personeli arsimor dhe nxënësit.
“Ky aktivitet i rëndësishëm është realizuar deri më tani në dymbëdhjetë shkolla fillore dhe në dy shkolla të mesme, ndërsa qëllimi ka qenë, njohja me produksionin botues të qendrës dhe ngritja e nivelit të kulturës së leximit tek nxënësit”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM).
t. u.