Varrezat ulqinake në Maltë

Malta ka qenë në të kaluarën, deri në shek. XX, vendi ku ndalonin edhe detarët ulqinakë. Varrezat ulqinake në këtë vend janë dëshmi e lundrimit ndër shekuj të detarëve ulqinakë në vende të ndryshme të botës. Ato janë në një vend me varrezat turke, prandaj përkujdesjen e këtij lokaliteti e bën Konsullata e Turqisë

Gani Karamanaga

Malta është shtet i vogël, i përbërë nga tre ishuj. Gjendet në jug të Italisë, nën ishullin e Sicilisë, në Detin Mesdhe, jo shumë larg nga bregdeti verior i Afrikës.
Deri në shek. XI Malta i takonte Arabisë, mandej vjen periudha e kristianizmit. Për një periudhë, Maltën e pushtoi Napoleon Bonaparta.
Malta ka qenë në të kaluarën, deri në shek. XX, vendi ku ndalonin edhe detarët ulqinakë. Kohës së fundit shumë ulqinakë e vizitojnë Maltën. Në mesin e tyre edhe djali im Miniri me bashkëshorten Zuhren, në tetor të këtij viti e vizituan Maltën.
Një prej ditëve, derisa ishte për vizitë në Maltë, më telefonoi djali Miniri dhe më tha: Kam dëgjuar se këtu në Maltë janë varrezat ulqinake? Interesohu te shokët tuaj se si mund t‘i gjej?!
Së pari telefonova Jusuf – Cufo Likën. Ai më tha se Xhivat Zyberi ka qenë në Maltë dhe i ka vizituar varrezat ulqinake. Xhivati ia dërgoi djalit tim vendndodhjen e varrezave.
Varrezat ulqinake në Maltë janë në një vend me varrezat turke. Për këtë arsye, ruajtjen e këtij lokaliteti e bënte Konsullata e Turqisë. Në këtë mjedis gjendet një shtëpi ku punonin rojtarët e këtyre varrezave. Ata e orientuan Minirin deri te katër varrezat e ulqinakëve, të cilat i përkasin shek. XIII (sipas kalendarit islam).
Varrezat janë me mbishkrime në osmanishten e vjetër. Për këtë arsye, fotografitë e varrezave ia dërgova Ali ef. Bardhit, i cili është një ndër njohësit e rrallë të osmanishtes së vjetër te ne. Vetëm pas një ore, ai m’i dërgoi përkthimet e mbishkrimeve të këtyre varrezave:

Haxhi Mehmed Hoxha
Për shpirtin e tij fatiha
Viti 1236, muaji Dhu’l-kade

Qoftë i mëshiruar
Ulqinaku Ibrahimi, i biri i Mehmedit
Shpirtit të tij, fatiha
Viti 1252.

Ai (Allahu)
është Krijuesi, i Përhershem
Qoftë i mëshiruar, i falur
Mehmed Ulqinaku, i biri i Haxhi Et’hemit Kumin.
Shpirtit të tij, fatiha
Viti 1266.


Dervish Ibrahim(i)
Shpirtit të tij, fatiha
1267

Përmes këtij artikulli vërtetohet që detarët ulqinakë kanë lundruar para shumë shekujve. Gjithashtu vërteton përkujdesjen që ka treguar pala turke për ruajtjen e këtyre varrezave.
Po ashtu janë për t’u lavdëruar Xhivat Zyberi dhe Minir Karamanaga me bashkëshortet e tyre, që me respekt të veçantë i vizituan këto varreza. Një falënderim i veçantë edhe për Ali ef. Bardhin, që bëri përkthimin e mbishkrimeve të këtyre varrezave.

Të fundit

më të lexuarat