Ulqin – Piktorja nga Peja, Liridona Gjuka – Bogu ka hapur të shtunën mbrëma (24 gusht 2024) ekspozitën personale të titulluar “Tani” në Kullën e Balshajve, pjesë e kompleksit të Muzeut të Ulqinit, ku ajo është paraqitur para artdashësve dhe publikut me rreth njëzet punime në teknikën akril në pëlhurë.
Piktorja ka thënë se nëse do të duhej të bënte një përshkrim të pikturave të saj, atëherë ajo do të kishte bërë një lidhje mes valëve të detit të cilat kanë ndikuar pa dyshim në realizimin e punimeve, ndërsa tingujt e valëve i ka krahasuar me vijat në pikturat e saj – në portrete, në peizazhe etj..
Lidhur me titullin e ekspozitës, Gjuka – Bogu ka thënë se “për një piktore kur të fillojë të bëjë pikturimin apo paraqitjen e imagjinatës nëpër punime, atëherë është i vetmi vend ku në kohën e tashme gjatë pikturimit aty jam vetvetja”.
Për punimet e ekspozuara ka folur piktorja ulqinake Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, e cila edhe e ka hapur ekspozitën.
“Në punimet e Liridona Gjuka – Bogut shoh ndikim të grafikës, pikturës, animacionit dhe teknikës së kombinuar. Dominon vija në intensitet të ndryshëm, lojë ritmike e vijave dhe figurave lëvizëse. Artistja e shfrytëzon hapësirën e dhënë në mënyrë maksimale, hulumton, përdor elemente të ndryshme si vijën, formën, ngjyrat, tonet dhe teksturat duke i kombinuar për të arritur deri tek marrëdhënia e duhur ndërmjet tyre”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, piktorja pejane na bën të shohim një botë intime të imagjinatës së saj, ngjyra, ritmi në pikturë ku paraqiten portrete, peizazhe.
“Po ashtu një ritëm të jashtëzakonshëm të ngjyrave nga ato gri të qeta tek e portokallta, që duket sikurse ka lindur atje, si dhe e gjelbra që ndërlidhet dhe duket sikur çdo gjë është në ekuilibër. Nuk përcaktohet në një ngjyrë, gjë që na tregon një kërkim të vazhdueshëm të saj. Veprat e Liridonës sigurisht që na bëjnë të kërkojmë dhe të shohim zhvillimin e mëtejshëm të saj”, është shprehur piktorja Mersiha Resulbegoviq – Mavriq.
Liridona Gjuka – Bogu ka lindur në Pejë, në vitin 1983. Studimet themelore dhe ato të magjistraturës për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2007. Ka hapur disa ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, në Kosovë dhe jashtë saj. Që nga viti 2008 punon mësimdhënëse e artit figurativ në Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali” në Pejë. Piktura e saj “Portret” është vlerësuar dhe është pjesë e koleksionit të artit publik në Kosovë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (2022).
Ekspozita është hapur në kuadër të festivalit Skena Verore “Ulqini 2024”, i cili organizohet nga Qendra e Kulturës – Ulqin.
i. k.