
Drama historike “Mbretëria e qiellit” (Kingdom of Heaven, 2005) e regjisorit Ridlli Skot me Orlando Blum, Eva Grin, Eduard Norton, Liam Nelson, Xheremi Ajrons u bazua në shkrimin “Kryqëzatat, parë me sy të arabëve” (Les Croiades vues par les Arabes) të vitit 1983, të autorit Amin Maluf.
Shkrimi i Amin Malufit tregon anët e panjohura të konfliktit dyshekullor, që ende është pranishëm mes myslimanëve dhe krishterëve në Levant, me pasoja deri në ditët e sotme. Njohja e tij e gjuhës dhe burimeve historiografike arabe i mundëson të na pasqyrojë si u përjetuan në mendësinë e arabavë vërshimet e ushtarëve nga Evropa, me arsyetimin se po shkonin të çlirojnë varrin e Jezusit. Malufi çdoherë tenton të pasqyrojë në veprat e tij shikimin nga ana tjetër, perspektivën e kundërt ndaj diskursit të standardizuar.
Amin Malufi është autor i formatit të gjerë intelektual, i cili në mënyrë analitike deshifron historinë e botës dhe ekzistencën njerëzore në tërësi, duke theksuar ngjarjet kyçe, vendimtare për fatin e qytetërimit. Çdoherë në shkrimet e tij tenton të tregojë perspektivat e kundërta të cilat janë me qëllime të harruara, të falsifikuara, të fshehura.
Familja e Malufit është e veçantë sepse përbëhet nga komunitete pakicash të shumëfishta – kombinim i melkitëve dhe maronitëve, grekokatolikët arabë apo katolikët e ritit lindor dhe të traditës ortodokse, dy komunitete të afërta dhe të vogla numerikisht në mjedis me shumicë myslimane arabe. Libani është shtet i organizuar në formë komunitare, bashkësi e komuniteteve fetare të ndryshme. Çdonjëra prej tyre e ka versionin e vet të historisë, ku shpesh i bëjnë shantazhe njëra-tjetrës. Në Liban familjarët e Malufit ishin pakicë, në mjedis me shumicë myslimane, por kur u shpërngulën në vendet me shumicë krishtere, trajtoheshin si arabë apo turq.
Në vitin 1976 Malufi largohet nga vendlindja për shkak të luftës civile dhe vendoset në Francë, ku jeton dhe shkruan. Fati i vendit të tij ka lënë vulën e vet në veprimtarinë e tij letrare.
Malufi është arab i krishterë, diçka paradoksale apo vështirë e pranueshme nga shumë. Antiklerik i përbetuar, sikur dhe shkrimtari i njohur britaniko-pakistanez Tarik Ali, i përkushtuar ndaj idesë së humanizmit dhe shtrirjes së miteve pozitive të bashkëjetesës.
“Fakti që njëkohësisht jam i krishterë me gjuhë amtare arabe, gjuhë të shenjtë të Islamit, paraqet një nga paradokset kryesore që kanë formësuar identitetin tim”, shprehet Malufi.
Malufi përkujton bashkëvendësit në Perëndim se rajoni nga i cili ai vjen ishte i krishterë para Evropës, se krishterimin në Perëndim e sollën misionarët nga Levanti. As Jezusi, as Marija, Pjetri, Pali, Augustini, askush nuk u lind në brigjet e Tibrit, por në këtë rajon mitik, në djep të religjioneve të mëdha monoteiste, ku janë takuar dhe zëvendësuar qytetërimet dhe besimet. Si antiklerik, Maluf shpreh keqardhje që termi besimtar u përvetësua nga religjionet.
“Për mua besimtar është ai që beson në disa vlera bazë, që mund të ngushtohet në respektimin e dinjitetit të çdo qenieje njerëzore”. Shprehet se nuk ka simpati për shoqëri të njëtrajtshme, ku flitet për “të tanët’ dhe për “të tyret”.
Malufi në veprat e veta shpreh keqardhjen se bota ka humbur tendencën kah universalja si fuqinë më të madhe të trashëgimisë intelektuale të iluminizmit.
Sikur termi kafkian, që u bë sinonim për situata absurde, të pakuptueshme, tronditëse, jam i sigurt që termi malufian, në të ardhmen, do të përdoret si sinonim për frymë kozmopolite, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Mërgimi si temë e madhe e shekujve XX dhe XXI, temë e çdo narracioni të madh epik dhe religjioz, temë që ka përcaktuar jetën e vetë Malufit dhe familjes së gjerë të tij, vjen e përsëritet në të gjitha shkrimet e tij me nuanca të veçanta dhe kërkime të përgjigjeve humaniste kundrejt këndshikimeve të dhunshme kleriko-dogmatike.
Personazhet e novelave të tij, Leoni Afrikan, Baldasari, Mani, Omar Hajami e kanë të përbashkët ndjenjën e mërgimit, të brendshëm apo të jashtëm, dhe i karakterizon ndjenja e humbjes – të gjithë ata janë në kërkim të identitetit të vet, përgjigjeve metafizike mbi ekzistencën dhe botën e shohin jashtë kufizimeve të komuniteteve të veta, duke ngritur zërin ndaj çdo ekstremizmi dhe fanatizmi.
Novela e parë që lexova nga Malufi, që pa dyshim luajti rol vendimtar për të lexuar veprat e tjera, ishte “Shtegtimi i Baldasarit” (Le Périple de Baldassare, 2000). Detari gjenovez Baldasari, me origjinë nga Levanti, niset në fund të vitit 1665 për kërkim të librit misterioz që përmban emrin e 100-të të Zotit që mund tʼi sjellë shpëtim botës që ndodhet në kaos. Viti 1666 konsiderohej si viti i Bishës, nga klerikë fetarë anembanë dhe Baldasari gjatë novelës lufton me vetveten që të mos bie pre e besëtytnive dhe urrejtjes. Në një moment gjatë udhëtimit, miku i tij shprehet “kur besimi nxihet nga urrejtja, të bekuar janë ata që dyshojnë”. Gjatë aventurave të tij, Baldasari, mes tjerash, takohet me Shabatai Zevin në Smirna (Shabatai Zevi i kaloi vitet e fundit të jetës në Ulqin).
Kërkimi i një libri në rrafshin simbolik paraqet kërkimin e vetvetes, kërkimin për njohjen e absolutes dhe dashurisë si vlerë fisnike. Detari niset nga porti Biblos (porti më i vjetër në botë në Libanin e sotëm) dhe kthehet në Biblos – pra, në rrafshin simbolik, fillon dhe përfundon me libër. (Në këtë frymë i uroj punë të mbarë Librarisë “Ulqini”, që sot ka hapjen solemne).
(vijon)
