
Rrëfimi 1.
Takimi në oborrin e shkollës
Isha në oborrin e sipërm të shkollës fillore nën Kala duke pritur nipin, Ganin e vogël. Në afërsi gjithashtu ishte duke pritur një burrë 50 vjeçar. E pyeta a kanë dalë fëmijët nga ora? M’u afrua një zonjë e re dhe më tha:
“Ai nuk e flet gjuhën shqipe. Është bashkëshorti im”. Pastaj u prezantua:
“Jam Flutra, vajza e Verës dhe Avdo Goranës”.
Rrëfimi 2
Nga biografia e Flutrës
Flutra Gorana, vajza e Latif (Avdo) dhe Vera Goranës, u lind në Prishtinë në shkurt të vitit 1973. Lindja në Prishtinë nuk ishte bash e planifikuar, por pasi që Vera ishte nga Prishtina e Avdoja në atë kohë ishte në ushtri, ajo vendosi të rrinte pranë familjes që t’i ndihmojnë.
Ashtu filloi “beteja”:
“A je ulqinake apo kosovare?“
Vera, një nënë e veçantë, gjithnjë thoshte je shqiptare e prej nga je varet si e ndjen veten. Në Ulqin, fëmijët si fëmijët e ngucnin dhe e thirrnin kosovare.
Në Prishtinë e përqeshin theksin e saj dhe theksimin e germave XH dhe Ç të cilat, siç e dimë, në Kosovë nuk i përdorin.
Flutra e kaloi fëmijërinë në Ulqin së bashku në prindërit e saj dhe vëllezërit Astritin dhe Hamidin. Pasi gjyshi nga ana e nënës ishte kryeredaktori i Rilindjes dhe ishte adhurues i madh i librave, Flutra qysh në moshën e vogël kishte shumë libra në gjuhën shqipe. Disa nga ata libra nuk ishin libra që u përdornin në Mal të Zi, sidomos librat për historinë shqiptare. Ashtu njëherë e përgatiti një punim për orë të historisë kur ishte në klasë të 8-të.
Rrëfimi 3
Lidhja e Pirizrenit
Flutra me ndihmën e disa librave që i kishte dhe përkrahjes së nënës së vet, përgaditi një punim interesant për Lidhjen e Prizrenit. Arsimtarja e saj, njëra ndër arsimtaret më të dashtura që e kishte, Suzana Osmani e shikoi punimin. Ajo i tha Flutrës së ishte shumë interesant dhe kishte mjaft detaje që nuk ishin në librin e historisë. Por i tha që mos ta prezentonte para klasës. Atë ditë arsimtarja e lajmëroi nënës e Flutrës dhe i tha :
“Punimi ishte shumë interesant dhe është diçka që duhet të mburremi, por situata në shkollë dhe në shtet nuk është përkrahëse dhe frigohem që do t’i krijojnë probleme”.
Ishte viti 1987/1988.
Për ata që e mbajnë mend këtë vit, e kuptojnë.
Rrëfimi 4
Ndikimi i gjyshave
Gjyshi Asllan Fazliu dhe gjyshi Hamid Gorana
Pasi u përmend gjyshi Asllan, vetëm të cekim se ne si persona jemi gdhendur dhe formuar nga gjyshat e gjyshet, prindërit dhe vendi. Ashtu si të dy gjyshat kanë pasur rol dhe ndikim të madh në personin që Flutra është sot.
Gjyshi Asllan dhe gjyshi Hamid janë dy bota të ndryshme, e kjo është diçka e bukur dhe e veçantë.
Gjyshi Hamid vjen nga një familje e vjetër tregtare. Jetoi gjithë jetën në Ulqin. Ishte fetar dhe mburrej që pas Luftës së Dytë Botërore kaloi një kohë në burg sepse refuzoi t’i bashkëngjitet Partisë Komuniste. Nga ai vjen dashuria për Ulqinin, traditën dhe kuptimin e fesë.
Gjyshi Asllan e shtyri të mësojë, studiojë, shpërngulet në Prishtinë. Si intelektual shqiptarë dhe person që gjithmonë luftonte për të drejtat e shqiptarëve, mbërriti në Beograd të përfaqësonte popullin e vet.
Nga ai vjen dashuria ndaj diturisë dhe ëndrra që gjithmonë mund të arrijmë më shumë dhe mburrja nga prej nga kemi ardhur.
Rrëfimi 5
Shpërngulja për në SHBA dhe pastaj në Bejrut
Më 1992, Flutra së bashku me vëllaun Astritin u shpërngulën për në SHBA.
Atje vazhdoi studimet dhe diplomoi.
Flutra është nënë e dy vajzave, Jenan dhe Emma.
Pas 24 viteve që i kaloi ne SHBA, ajo u shpërngul në Bejrut – Liban ku edhe sot jeton dhe punon.
“Pse Bejruti?”
Flutra kishte një fascinim dhe dashuri për Bejrutin qysh në fëmijëri. Në vitet ’70-‘80 çdo mbrëmje gjatë lajmeve në 19:30 tregonin reportazhe nga lufta që ishte në Liban. Edhe pse çdo reportazh ishte tragjik, në mes të atij shkatërrimi dhe humbjeve jetësh, Bejruti e kishte njëfarë sharmi, që asaj si fëmi iu duk magjik. Flutra për herë të parë e vizitoi Bejrutin më 1977 me bashkëshortin i saj i cili ishte libanez.
Prej atij viti, shumë e shumë vizita vijuan ku u dashurua me këtë qytet, me traditat, popullin, ushqimin e shumë gjëra të tjera.
Për këto arsye Bejruti ka vend të posaçëm në zemrën e saj. Kur jeta në Amerikë erdhi deri në një pikë që më nuk ishte jeta që dëshironte, vendimi të shpërngulet në Bejrut ishte vendim natural.
Flutra edhe në Bejrut jeton buzë Detit Mesëdhetar. E rrethuar me malet Jabal dhe Lubana. Traditat janë shumë të ngjashme me ato në Ulqin.
Ky qytet është udhëkryq i shumë besimeve të ndryshme. Janë këtu kultura të ndryshme, këtu bashkohet lindja dhe përendimi, e kaluara dhe e ardhmja.
Rrëfimi 6
Vera Gorana
Ajo ka qenë për një kohë të gjatë drejtoreshë e Entit për Shërbim Shëndetësor të Ulqinit. Gjithmonë e qetë, por energjike. Ka dhënë kontribut të veçantë për rindërtimin e objekteve shëndetësore pas tërmetit të 15 prillit 1979. Me iniciativën e saj, Enti Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore nga Prishtina ndërton objektin e ambulancës prej 80 m2 në Zallin e Madh.
Në vitin 1981, Vera dhe Avdo Gorana dhe unë ishim mysafirë të “Arcom”-it në Bukuresht. Atëherë pushteti i Rumanisë nuk u ka lejuar të huajve të jenë mysafirë në shtëpitë e tyre. Por, Dmitar Florescu na ftoi në shtëpinë e tij. Në Bukuresht vizituam edhe një shtëpi të madhe të shëndetit në një lagje të këtij qyteti. Si kopje e saj u realizua edhe projekti për Ulqin.
Ndërtuesit e Shtëpisë së Shëndetit ishin nga ndërmarrja ndërkombëtare “Arcom” nga Bukureshti. Kryeshef i punimeve ishte inxhinieri i ndërtimtarisë Dmitar Florescu, kurse drejtori gjeneral i “Arcom”-it M. Florescu disa herë vizitoi Ulqinin dhe tregoi një interesim të veçantë për realizimin e këtij projekti. Me kryeshefin D. Florescu kemi pasur një bashkëpunim dhe shoqërim të mirë. Ishte shumë pedant. Në Bukuresht kishte gruan dhe një vajzë. Dmitar Florescu thoshte: ”Ja, Dr. Gani volim čisto” (Dr. Gani, unë dua pastër). Çdo ditë pas mbarimit të punimeve, punëtorët e pastronin komplet objektin i cili ishte në fazën e ndërtimit (Nga libri “Udhëtimi i një mjeku”, 2015).
Rrëfimi 7
Avdo Gorana që Raif Goranën e kishte axhë, ka treguar se ai ka regjistruar shkollën për pilot në Rajllovac afër Sarajevës në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur Sarajeva ka qenë pjesë e shtetit të pavarur të Kroacisë. Ai ka saktësuar se pas luftës padrejtësisht e kanë shpallur si pilotin e parë partizan Rudi Çajevacin, i cili ishte automekanik i aeroplanëve.
“Rudi Çajevac ka fluturuar me Rafo Goranën dhe ai ka qenë vetëm mekanik në kohën kur Rafo Gorana ka qenë pilot.
Rafo Gorana ka qenë piloti i parë në tërë ish-Jugosllavinë” – ka thënë Avdo Gorana (Nga libri “Çinari i Moçëm”, 2021).
Në fund
Ulqini – qyteti më i bukur
Është vështirë për ulqinakët që jetojnë në Ulqin ta adhurojnë këtë qytet, sepse shumë herë i gjejnë pikat negative.
Mirëpo bukuria e një vendi është në sytë e atyre që e shikojnë.
Për Flutrën nuk ka qytet më të bukur. Askund në botë si në Ulqin ngjyrat e pishave të Pinjeshit dhe deti e qielli formojnë një harmoni të këndshme për sy dhe shpirt.
Ky është vendi që e quajnë shtëpi. Baza nga cila ikë dhe prapë kthehet.
Vend ku bashkohet me vëllëzërit dhe fëmijët e tyre, fëmijët e saj, babën, shoqet e fëmijërisë.
Edhe pse udhëton shumë, Flutra Gorana vendin që e viziton më me qejf është Ulqini.
Ing. Gjorgjesku (Arcom-Bucarest Romania), Vera Gorana, Latif Avdo Gorana, Rodika Arcom-Bukuresht-Rumani), Dr. Gani Karamanaga
(Nga libri në dorëshkrim “Valixhja nga Amerika – Mërgimtarë”)
