“Tregime të veçanta nga Ulqini” të botuara së fundmi janë një ogur dhe mundësi e mirë për t’u njohur me një pjesë të pashprehur të vendit dhe njeriut tonë. Pasi të keni lexuar ato tregime, secili prej jush, do të nisë ta vlerësojë ndryshe të kaluarën e njeriut dhe vendit tonë. Secili nga tregimet përbën vlerë dhe vlerëson qytetin dhe qytetarinë tonë, siç çmon lart secilin lexues me mënyrën sa të kujdesshme aq dhe artistike të të shkruarit
Argëzon Sulejmani
Preferoj ta them që në fillim se, deri më tani nuk kam treguar ndonjë interes të veçantë për rrëfimet me legjenda. Një kohë dhe diku, madje, mbaj mend t’i kem quajtur përralla për të rritur. Diku më vonë duhet ta kem kuptuar dhe arsyen e gjithë këtij mospëlqimi. Pavarësisht moshës, tek secili prej nesh, mbetet thellë e skalitur pjesa prej fëmije. Dhe, nëse me përrallat në fëmijëri krijova armiqësi ngase personazhet e dashur u shkrinë si dordolecë në diell, me legjendat nuk munda assesi të krijoja një raport simpatie për arsye se personazhet dhe ngjarjet nuk kishin asnjë lidhje me vendin dhe njeriun tim. Të rritur në një kohë kur nuk lejohej të mësohej asgjë nga historia e bashkëkombësve dhe përtej kësaj, detyroheshe të dëgjoje pafund ngjarje të një vendi që po zhbëhej përvit dhe akoma më rëndë, të shënoje data e ngjarje të një kombi që i ishte sulur me të dy duart frymës tënde. Kujtoj pjesën e letërsisë ku, ndonjëri prej vëllezërve Frashëri rrinte gjithnjë në fund të tekstit mësimor dhe shumica e profesorëve nuk arrinin apo nuk guxonin të përmbushnin mu deri në të fundit pikë planin e paraparë vjetor. Nga një ambient i tillë mund të vetëkuptohet se si një brezi pretendohej t’i mësohej arti i të jetuarit: “historia magistra vitae est”. Njeriu nuk ka si të respektojë e dojë tjetrin pa e njohur mirë vetveten. Mundësia e aftësia për të njohur tëndin njeriun dhe njeriun brenda teje është hap i parë për raporte të shëndosha me rrethin e ngushtë të sidoqoftë organizuar dhe pastaj botën si tjetër njësi. Kjo e metë vazhdon të na privojë, tashmë, jo veçse neve si njësi e shtypur, por dhe shtypësit si njësi e mashtruar. Nëse neve na thuhej që historia juaj s’është gjë tjetër veçse legjendë, atyre u servireshin legjenda të krehura si ngjarje historike. Si përfundim, me bollëk gjenerata të terrorizuara, keq informuara e smirësuara.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “771” të revistës Koha Javore
