
Se Ulqini është një vend shumë i lashtë këtë të gjithë e dinë. Gjurmët ilire mund t’i konsiderojmë si gjurmë relativisht të reja sepse në pjesën më të lartë të kalasë janë gjetur gjurmë edhe më të vjetra, që nga periudha e gurit. Nuk është për t’u çuditur pra se mbretëresha Teutë e donte shumë Ulqinin. Ajo shfrytëzonte çdo mundësi që të qëndrojë sa më shumë në këtë kala sepse në Ulqinin e saj ndihej sikur të ishte në parajsë. Kurse Pinesi, djali i mbretit Agron, edhe pse shumë i ri në moshë i rrinte pranë mbretëreshës Teutë dhe së bashku udhëhiqnin shtetin nga kalaja e Ulqinit.
Dorarti me babanë e vet shpesh vizitojnë kalanë. Dorarti përveç se i sheh dhe prek muret e kalasë ai këtu edhe mëson ndodhi e histori të ndryshme. Kështu një ditë duke shëtitur rrugicave të kalldrëmuara të kalasë ata të dy ndalojnë në një vend për të cilin babai fillon të tregojë.
Ja shiko ky katakomb këtu, në periudhën osmane ka shërbyer si vendqëndrim i të zënëve rob – tregon babai. Hyrja e ngushtë të çon disa metra nën tokë e pastaj atje në terrin e nëntokës gjendej hapësira ku rrinin të prangosur robërit. Por nëse shkojmë edhe më larg në histori, në kohën e ilirëve, këtu kanë qëndruar luanët dhe kafshët tjera të egra me të cilët gladiatorët dilnin në dyluftim, vazhdon babai i Dorartit duke qeshur.
Por kalaja jonë nuk ka arenë, baba?! – ia kthen Dorarti.
E vërtetë se sot nuk kemi arenë, por dikur në këtë vend ku sot qëndron kjo ndërtesë e papërfunduar ka qenë amfiteatri apo arena e Ulqinit. Aty ishte fusha e gjerë, kurse në anën veriore, në shkallët e gurta, ulej publiku. Mua si fëmijë më kujtohet fusha sepse këtu vinim të luanim me top me kalalitë – tregon babai me nostalgji.
Po çka ndodhi? Pse nuk ekziston më amfiteatri? – pyet Dorarti.
Ndodhi lufta biri im. Askush nuk çante kokën për asgjë e edhe më pak për trashëgiminë tonë materiale. Dolën njerëz të cilët thoshin se është toka e tyre. Nxorën dëshmi të rrejshme, siguruan leje ndërtimi të dyshimta dhe futën makinerinë e rëndë mu në themelet e bedenit të kalasë. Derisa ne u kthjellëm, dëmi u bë dhe mbeti kjo katrahurë në këtë formë që është sot. A mund ta paramendosh se jo shumë vite më parë në këtë fushë zhvilloheshin dyluftime me desh. Mblidheshin këtu të gjithë, i madh e i vogël. Të gjithë ulqinakët vinin me këngë e valle të përcillnin dyluftimet. Ndeshjet e deshve ishin tradicionale dhe zhvilloheshin çdo vit, andaj edhe publiku njëzëri numëronin goditjet kokë më kokë të deshve derisa më i dobëti dorëzohej. Ishte ky një ritual që përcillej brez pas brezi, që nga parahistoria. Pra, rrënjët e këtyre dyluftimeve shkonin deri në periudhën e Argonautëve. Që nga koha kur Argonautët u nisën të kërkonin bashkën e artë ose siç i themi ne sot ulqinakçe postí i artë i dashit e që kalaja e Ulqinit ka një lidhje misterioze me këtë bashkë të artë – tregonte babai i Dorartit.
Bashka e artë? Më thuaj diçka më shumë të lutem baba – i lutet Dorarti, babait.
U ulën në shkallët e improvizuara dhe babai fillon tregimin:
Sipas mitologjisë, Jasoni, për t’u bërë mbret duhej t’ia sillte bashkën e artë mbretit aktual. Ky ishte një mision i pamundur ngase shumë trima kishin provuar ta marrin por pa sukses. Bashka e artë ishte shumë e çmueshme ajo ndodhej në Kolkidë. Dorart ja pra a e sheh se ku qëndron lidhja e Ulqinit me Kolkidën. Menjëherë mendja na shkon te prejardhja e emrit të Ulqinit, sepse sipas disa studiuesve emri i Ulqinit ka lidhje me Kolkidën. Madje disa thonë se Ulqinin e kanë themeluar kolkidaist që në parahistori. Nëse kjo do të mund të ishte e vërtetë atëherë edhe tradita ulqinake e dyluftimeve të deshve vjen që nga kjo kohë dhe se Argonautët Bashkën e artë ndoshta e kanë sjellë në Ulqin. Por, edhe një fakt tjetër çon ujë në mullirin e kësaj që po them. Monedha e Ulqinit mesjetar në njërën anë kishte Shën Mërinë kurse në tjetrën dashin. Pastaj a të kujtohet se disa shtëpi për shkak të besëtytnisë ende kanë të varura brirët e dashit përmbi derë të shtëpisë?
Po, po, ja ajo shtëpia aty më lart tek ai qemeri i vetëm që ka mbijetuar deri më sot i ka brirët gjigande të dashit të varur përmbi derën e hyrjes – thirri Dorarti i entuziazmuar.
Babai vazhdoi:
Jasoni mbledh argonautët dhe niset për në Kolkidë që të marrë bashkën e artë. Mbreti i Kolkidës, Ejeti, këtë lëkurë të artë dashi e kishte të varur në një pemë dhe atë e ruante një dragua i tmerrshëm i cili nuk flinte kurrë. Andaj, edhe ishte shumë e vështirë ta merrte ndokush. Meqë Jasonin e mbronte Hera, gruaja e Zeusit e ky ishte hyu kryesor, ajo Jasonin e nxirrte fitimtar në të gjitha sfidat që haste gjatë udhëtimit për në Kolkidë. Atje përmes Medeas, vajzës së mbretit së Kolkidës e cila dashurohet në Jasonin, ia arrin që ta marrë bashkën dhe të kthehet në atdhe. Ja pra kjo është shkurtimisht legjenda e Jasonit dhe bashkës së artë të Kolkidës dhe lidhja e saj me traditën e prezencës së dashit në Ulqin. Pra, ulqinakët patën për traditë dyluftimet e deshve, monedha e Ulqinit kishte të stampuar dashin si dhe pothuaj çdo shtëpi përmbi derën e hyrjes kishte brirët e dashit.
Me fjalët e fundit të tregimit edhe dielli kishte perënduar andaj edhe që të dy u çuan për të shkuar në shtëpi. Para se të nisen Dorarti shprehu dëshirën që të futet brenda katakombit. Eci dy-tri metra dhe meqë nuk kishte asnjë lloj drite përveç asaj në telefonin e mençur, u detyrua të kthehet mbrapa. Në vesh i dukej se dëgjonte zëra luanësh por edhe tinguj të mprehjes së shpatave. Por, jo, jo, ishte kjo vetëm pjellë e imagjinatës nga tregimi i babait. Herën tjetër, babai, i premtoi se do të shkojnë pranë murit ilir ciklopik dhe atje do t’i tregojë histori tjera lidhur me ngjarjet historike të Ulqinit.
Dorarti ishte i gëzuar sepse sot kishte mësuar edhe diçka nga e kaluara e famshme e vendlindjes së vet. Ai do thërrasë shokët dhe shoqet dhe së bashku të vijnë e të futen në brendësinë e katakombit dhe të zbulojnë gjurmë nga e kaluara.
Tregim nga romani për fëmijë dhe të rinj në dorëshkrim