Ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i autorit Gazmend Çitaku, me titull “Busulla e artë”.
Është ky një libër i cili në vete përmban udhëpërshkrime historike dhe është i ndarë në tre kapituj. Brendësia e librit përmban 29 tekste të ilustruara me 100 fotografi autoriale dhe të gjitha këto paketuar në një format tërheqës dhe luksoz në 196 faqe.
Redaktor i librit është Ali Gjeçbritaj, redaktore gjuhësore Ardita Rama, recensent Qani Osmani, kurse lektor Asllan Bisha. Që libri të ketë format atraktiv si dhe vizualisht të jetë i pëlqyer u kujdes Indrit Çitaku, kurse libri u financua nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i Malit të Zi.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të leximit, të hënën mbrëma në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin u bë përurimi i këtij libri. Mbrëmjen e hapi nikoqirja Ardita Rama, e cila në pika të shkurtra i njoftoi të pranishmit për ecurinë e mbrëmjes si dhe përmbajtjen e librit.
Redaktori Ali Gjeçbritaj dha vlerësime të larta për librin, duke e vendosur atë në piedestalin më të lartë si për nga përmbajtja, cilësia dhe mesazhi që transmeton.
Recensenti Qani Osmani shprehet, mes tjerash, për librin: “Edhe pse e kaluara jonë shumë herë është kontestuar nga armiqtë tanë duke tentuar që ta përvetësojnë historinë tonë dhe figurat më markante kombëtare, puna hulumtuese mbetet arma më e fortë në dorën e intelektualëve dhe hulumtuesve shqiptarë, armë të cilën autori Gazmend Çitaku e ka përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Libri ‘Busulla e artë’, e shkruar jo në tavolinën e tij të punës por në ecje e sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit, hedh dritë për shumë objekte nga trashëgimia jonë historike dhe kombëtare.”
Kurse Jaho Kollari vazhdon: “Autori i këtij libri mbase është detari më i thyer i Anijes, meqë ai ndjek kohën, sikundër edhe hapësirën ku lundron ajo, duke e drejtuar atë ashtu si duhej. Kështu, kësaj radhe, na shpiu në një të kaluar të largët prej nga na u kthye me këto pamje mrekulluese dhe këto udhëpërshkrime mbresëlënëse që sonte i keni para vetes. Ajo që librin e bën të veçantë qëndron në aftësitë që ka ai t’i përshtatet shtatit të secilit, duke e rritur për një çikë atë. Çitaku zgjodhi këtë destinacion, që bëri që ne ta ndjekim ku na ndante hapësira, por na bashkonte koha, apo na bënte tok hapësira në kohën e bërë pikë e pesë!”
Pas librit “Udhëtime nëpër kështjellat ilire në Mal të Zi”, ky libër vjen si plotësim i udhëtimeve të mëhershme por duke vënë në vend të parë të kaluarën e lavdishme të Ulqinit dhe rrethinës së tij.
Mbrëmja ishte e konceptuar si në dy pjesë, ku pjesa e parë ishte pak më zyrtare, kurse e dyta e lirë dhe autori përmes bashkëbisedimit me të pranishmit bëri që mbrëmja të jetë interaktive. Që kjo të arrihej në fillim të gjithëve iu dhurua libri, kështu që përafërsisht të krijohet mundësia e parashtrimit të pyetjeve.
Në fund të mbrëmjes, autori i dhuroi bibliotekës së qytetit 30 tituj me nga tri kopje në mënyrë që të pasurohet fondi i librave të këtij institucioni.
(Kohapress)
