Në një mjedis të veçantë, tek Ubla e Krajës në Ostros, dhe në prani të një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të librit dhe kulturës, të mërkurën e kaluar është përuruar monografia “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” e autorit Xhelal Muja.
Qëllimi i këtij libri, sipas autorit, është “që të ruhen këto objekte që për Krajën dhe krajanët kanë qenë jetë, sikurse uji që është jetë për njerëzit kudo që jetojnë”, por edhe të ndihmojë në sqarimin e disa paqartësive që ekzistojnë për ublat.
“Shpesh njerëzit që kanë më pak informacion thonë ‘Ubla e Krajës’ apo ‘Ublat e Krajës’, duke menduar që ka një, dy, pesë ose dhjetë ubla. Në libër kam shënuar 397, mirëpo ndërkohë veç janë shtuar nja 10 a 15. Lokacione, gjegjësisht vende, janë rreth 100, ku ka prej një deri në 22-23 ubla, sa janë në lagjen Bardhaj të Kështenjës, që është vendi me numrin më të madh të ublave në krejt Krajën”, ka thënë autori Muja.
Në fjalën e tij ai ka folur edhe për mënyrën e ndërtimit të ublave dhe llojet e tyre.
“Ubla ka gjithandej, edhe në breg të Liqenit, që faktikisht hyjnë në kategorinë e puseve, sepse ujin e marrin ose nga një burim nëntokësor, ose e thithin prej liqenit në rastin e shterrjes së burimit nëntokësor”, ka thënë Muja.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë ndihmuar në kompletimin dhe daljen në dritë të librit të tij.
Vështrimet e tyre për librin i kanë paraqitur redaktori i librit – mësimdhënësi, poeti dhe publicisti Ali Gjeçbritaj, dhe recensenti i librit – studiuesi dr. Nail Draga. Ata kanë vlerësuar punën me pasion të autorit në evidentimin e ublave, kësaj trashëgimie materiale që paraqet identitetin e Krajës dhe është sinonim i mjeshtërisë dhe mençurisë popullore.
Redaktori Gjeçbritaj ka thënë se ublat nuk janë vetëm trashëgimi kulturore dhe jetike, por edhe trashëgimi e veçantë historike.
“Gjatë leximit të librit, shikimit me vëmendje të fotografive, në të do të shihni se sa mjeshtër të përkryer kanë qenë ustallarët e ndërtimit të ublave të punuara me gur, pa material tjetër, ku do të vëreni se disa sish kanë unazën e grykës të punuar vetëm me një gur, gdhendur e latuar me daltë e çekiç. Andaj, unë konsideroj dhe pa asnjë dyshim pohoj se jeta në këtë nënqiell të Rumisë asnjëherë nuk është zhvilluar nën nivelin e qytetërimit të kohës”, ka theksuar ai.
Gjeçbritaj ka thënë se autori Xhelal Muja ka bërë punë voluminoze, “aq më tepër, sepse ai nuk është ekspert i kësaj lëmie, por profesor i matematikës. Por dëshira e madhe, vullneti dhe puna vetëmohuese për disa vite, na jep edhe shumë shpjegime dhe sqarime për ublat dhe puset si dhe besimet e vjetra, bestytnitë lidhur me ublat etj.”
Për recensentin Dr. Nail Draga, kemi të bëjmë me një libër të veçantë për nga përmbajtja dhe nga lënda, të cilën autori e ka trajtuar në mënyrë shumë serioze dhe në detaje.
“Shkrimet e deritashme (për ublat) kanë qenë fragmentare dhe ky është libri i parë, praktikisht, i cili i trajton në aspektin shumëdimensional ublat e Krajës”, ka thënë ai.
Draga ka thënë se ublat janë simbol autentik i mjedisit të Krajës dhe në rrethanat e reja kur ato e kanë humbur rolin e tyre shoqëror, ato janë pjesë e identitetit social e kulturor të popullsisë së Krajës.
“Libri ka si mision që edhe lexuesit, në veçanti brezat e ardhshëm, të njihen me një pjesë të historisë dhe mënyrën e të jetuarit të paraardhësve të tyre, sepse duke njohur të kaluarën me të drejtë vlerësohet e tashmja dhe planifikohet e ardhmja”, ka thënë ai.
Në emër të botuesit dhe organizatorit të përurimit, pjesëmarrësit i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba.
Ai ka thënë se Kraja ka ngjallur interesimin dhe kërshërinë e shumë studiuesve, të cilët janë marrë me aspekte të ndryshme të trevës së Krajës dhe se kësaj plejade të autorëve i është shtuar edhe Xhelal Muja me librin “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”.
Sipas tij, “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” është një libër që është shkruar me shumë pasion dhe dashuri për vendin e vet dhe këtë trashëgimi unike që e ka Kraja.
“Unë e kam quajtur një udhërrëfyes për ublat dhe për këdo që don të vizitojë Krajën. Është një dokument i mirë (i shkruar) për këtë pasuri, një libër që duhet ta ketë çdo familje krajane, por jo vetëm. Autori është një njohës i mirë i origjinës dhe mënyrës së ndërtimit të ublave. Ai nuk ka pretendime shkencore e as nuk pretendon se me këtë libër e ka thënë fjalën e fundit. Përkundrazi, rezervimi i autorit (në disa raste) tregon për seriozitetin e tij”, ka thënë kryetari i SHAI “Art Club”.
Të gjithë folësit kanë parashtruar nevojën e mbrojtjes dhe konservimit të ublave, këtyre ndërtimeve arkitekturore unike, me qëllim të shndërrimit të tyre në pika turistike dhe përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore. Në këtë aspekt është theksuar se libri “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” paraqet një hap të rëndësishëm për dokumentimin e kësaj pasurie.
Libri “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” është botuar para disa ditësh nga SHAI “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe disa kontribuesve të tjerë.
i. k.
