Për veprën „Ma shkretnuen zemrën“ ka folur studiuesi Dr. Nail Drag, duke theksuar se „kemi të bëjmë me një botim të veçantë që paraqet vazhdimin e opusit të tij eseistik, që pasurohet me të dhëna dokumentare historike, që paraqet apologjinë e historisë së popullit shqiptar. Fotografia në ballinën e këtij libri, është monumentale e cila tash është bërë me vlerë jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ka të bëjë me eksodin biblik të shqiptarëve nga Kosova, në vitin 1999. Ishte kjo koha e neofashizmit serb, i cili në strategjinë e tij kishte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë“.
Me pas redaktori i botimeve Zija Vukaj, ka prezantuar angazhim e Lulash Palushajt në fushën e botimeve në fushën e letërsisë, por edhe jashtë saj. Për librin „Ma shkretnuen zemrën“ në mes tjerash tha se „ shumë është shkruar për Kosovën, për martirizimin e saj , për një nga kalvarët më të rënda të kombit tonë. E megjithatë, ky libër sjell mjaft fakte, personazhe, ngjarje të jetuara nga persona realë, që freskojnë mjaft histori të paraqitura më parë“.
Ndërsa për librin e dytë „Fjalë të Malësisë së Madhe“, autori ka bërë një punë të veçantë disavjeçare, duke mbledhur rreth 3000 fjalë, frazeologji dhe shprehje idiomatike. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me leksikun e gjuhës shqipe, ky botim paraqet vlerë të veçantë për dialektologjinë shqiptare, sepse ka të bëjë për pjesën veriperëndimore të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Vukaj e ka përfunduar paraqitjen e tij duke thënë se “ky fjalës do të jetë një ndihmës i vyer sidomos për studiuesit e dialektologjisë dhe të çfarëdo disipline linguistike, por edhe për shqipëruesit, poetët, mësuesit e së fundi edhe për përdoruesit tradicionalë të këtyre fjalëve, banorët e këtyre trevave“.
Në fund të të pranishmeve me fjalë rasti është paraqitur shkrimtari Lulash Palushaj, duke i falënderuar për këtë organizim.
Fragmente nga libri „Ma shkretnuen zemrën“ ka deklamuar Luljeta Avdiu-Cura.
Theksojmë me këtë rast se “Ethno museum-i” në Draginë është bërë një pikë referuese jo vetëm për vizitorë të ndryshëm, por edhe për studiues, shkrimtarë, publicistë dhe krijues të ndryshëm, të cilët këtu kanë gjetur mikpritjen për organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore.
(Kohapress)
