Në 400-vjetorin e lindjes së imzot Pjetër Bogdanit e në kuadër të edicionit të 54-t të Manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit 2025 ” u zbulua shtatorja e këtij kolosi kombëtar si dhe u shënuan 30-vjetori i vdekjes së shkrimtarit Anton Pashku, 110-vjetori i Shkollës së Vashave dhe 125-vjetori i Abetares së Zymit.
Më këtë rast, në Zym të Prizrenit u përurua shtatorja madhështore e Pjetër Bogdanit. Shtatorja e këtij personaliteti me vlera të jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar e kulturor, do të qëndrojë përkrah asaj të atë Shtjefën Gjeçovit në kompleksin kulturor në Zym. Ajo është punuar nga skulptori nga Shkodra, Sadik Spahija, ashtu sikurse edhe shtatorja e atë Shtjefën Gjeçovit.
Takimin e hapi atë Ndue Kajtazi, kryetar i Klubit Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym. i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit e shumtë hasjanë e zymjanë, pastaj u dëshiroj mirëseardhje kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, atij të Gjakovës – Ardian Gjini, të parit të Kishës Katolike në Kosovë – monsinjor Dodë Gjergjit, deputetëve Arben Abrashi e Hisen Berisha, përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Kosovë – atij të Ambasadës së SHBA-së, konsullit të Ambasadës së Hungarisë, ambasadores së Kroacisë në Kosovë – Danijela Barishiq, Ermina Lekajt – këshilltare speciale në Ministrinë e Jashtme të Kroacisë, gjeneralit kroat Mlladen Mollçeviq, klerikëve myslimanë e katolikë nga Hasi etj.
Në fjalën e hapjes, atë Ndue Kajtazi citoi rreshtat e një poeti nga Gjakova për të rikujtuar rëndësinë e figurës së Pjetër Bogdanit për veprimtarinë e tij shkencore e atdhetare.
Në fjalën e tij, shkrimtari dhe publicisti Frrok Kristaj tha se ngritja e shtatores së imzot Pjetër Bogdanit ishte amaneti i ish-Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Imzot Dodë Gjergji theksoi se roli historik dhe kulturor i Pjetër Bogdanit është si “yll drite që gjithmonë ndrit në histori”, si për atdheun, kishën dhe dijen.
Pastaj u mbajt ora letrare “Anton Pashku”, me ç’rast u dorëzuan plaketa “Pjetër Bogdani” dhe u nda çmimi “Unaza e Katit”.
Programin kulturor-artistik e begatuan me pikat e veta artistike AEK “Katarina Josipi” nga Zymi dhe Ansambli “Pjetër Bogdani” nga Kruma.
Kjo ngjarje kulturore, e organizuar nga Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi”, u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
A. Daci
