“Fusha e tij e interesimit në kuptimin psikologjik dhe artistik, shikuar globalisht, është njeriu bashkëkohor me mikro dhe makrokosmosin e tij, të cilin Goga e prezanton në formë jo të zbukuruar, por të zhveshur, të thjeshtësuar, pothuaj si një grafi rëntgeni, si një organizëm që vështirë se eksponon pjesët e tij përbërëse, si një hije apo njollë duke mos iu përshtatur shijeve të publikut, por duke ecur gjithmonë rrugës së vet të individualizmit me vetëbesimin për të krijuar artin e tij me karakteristika njohëse origjinale”, ka thënë piktori dhe kritiku i artit Qazim Muja
Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ organizoi të enjten mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin përurimin e monografisë „Të menduarit është formë“ dhe hapjen e ekspozitës retrospektive të piktorit Rudi Goga, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij.
Kjo veprimtari homazh në kujtim të jetës dhe veprës së piktorit kishte për qëllim vlerësimin e kontributit të tij në fushën e artit te shqiptarët në Malin e Zi, artit malazias dhe artit kombëtar në përgjithësi.
Monografia është botuar në vitin 2014 nga SHAI „Art Club“, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Ndërkaq në ekspozitën retrospektive janë prezantuar një pjesë e veprave të këtij piktori.
Në vështrimin e tij mbi krijimtarinë artistike të Rudi Gogës, piktori dhe kritiku i artit Qazim Muja ka thënë se piktori Rudi Goga kishte artistin e madh Joseph Beuyes idol të vetin, në jetë dhe në krijimtari, andaj dhe motoja e tij “Arti është jetë, jeta është art”, siç duket edhe ka dalë nga bindja e Bojsit se vetëm arti mund ta ndryshojë jetën dhe se jeta është vepër e artit. i. k.
