Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bashkëpunim të suksesshëm kulturor, veçanërisht në fushën e botimeve, përkthimit dhe kinematografisë, kështu është shprehur ministrja e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, dr. Tamara Vujoviq në takimin e zhvilluar me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, me rastin e Javës së Kulturës malazeze.
Nga Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, njoftohet se ministrja Vujoviq e falënderoi për pritjen e ngrohtë ministrin Gonxhja, duke theksuar se Java e Kulturës malazeze organizohet në Shqipëri për herë të dytë dhe se kultura duhet të jetë në shërbim të nevojave bashkëkohore të shoqërisë e cila mund të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik.
“Vitin e kaluar e kemi prezantuar me sukses trashëgiminë tonë kulturore dhe krijimtarinë bashkëkohore. Gëzohemi që edhe këtë vit, institucionet organizojnë programe interesante, të cilat, jam e sigurt se do të jenë të vizituara. Java e kulturës nuk është vetëm një mundësi për promovim e kulturës, por edhe për promovimin e turizmit, prezantimin e ofertës tonë gastronomike, por edhe të shtetit tonë si destinacion të përshtatshëm për investime të huaja”, ka thënë ministra e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, dr. Tamara Vujoviq.
Ministrja Vujoviq ka ftuar që vitin e ardhshëm, të organizohen Ditët e Kulturës Shqiptare në Mal të Zi, gjë që është pranuar nga pala Shqiptare.
“Popujt tonë janë afër, ndajnë histori dhe vlera të përbashkëta, ndaj bashkëpunimi në fushën e botimeve dhe të përkthimit është shumë i rëndësishëm. Është i nevojshëm përmirësimi dhe nxitja e mëtejshme e këtij lloj bashkëpunimi, duke pasur parasysh se Shqipëria ka krijuar tashmë Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe se Ministria e Kulturës dhe Medias po planifikon të krijojë një Agjenci Libri, kështu që modeli shqiptar do të mund të të jetë i dobishëm për ne”, është shprehur, Vujoviq.
Ajo ndër të tjera përkujtoi se dy ministritë tashmë bashkëpunojnë me sukses në fushën e kulturës dhe se përmes bashkëpunimit ndërkufitar, janë realizuar disa projekte në fushën e kinematografisë, dhe se qendrat e filmit kanë realizuar disa bashkëprodhime të përbashkëta.
Ndërkohë, për sa i përket mënyrave të investimit në kulturë, sigurimit të fondeve shtesë për investime dhe mundësive për valorizimin ekonomik të aseteve kulturore, ministrja Vujoviq ka theksuar se Mali i Zi me kënaqësi do të studionte modelin e zbatuar nga Shqipëria në atë fushë, i cili do të mund të ishte i zbatueshëm edhe në vendin tonë, veçanërisht në lidhje me iniciativat private dhe trashëgiminë kulturore, donacionet, sponsorizimet, etj.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka prezantuar ministrinë që lidh ekonominë, kulturën dhe inovacionin, nën një çati, duke vënë në dukje se ky koncept kontribuon në valorizimin ekonomik të kulturës, “e cila kontribuon në zhvillimin ekonomik, në përfshirjen shoqërore dhe sociale. Ministri po ashtu theksoi se me aplikimin e zgjidhjeve inovative, buxheti për kulturën është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar”.
“Kultura duhet t’u shërbejë nevojave bashkëkohore të shoqërisë dhe të ndjekë zhvillimin, “ka thënë Gonxhja.
Ai, siç thuhet, ka theksuar se progresi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian është shumë domethënës dhe se Mali i Zi është model për Shqipërinë në procesin e integrimit.
Në të njëjtën kohë, ministrja e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, dr. Tamara Vujoviq i ofroi ndihmë dhe mbështetje në këtë fushë, dhe theksoi se shpreson që Mali i Zi të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së, gjë që do t’i tregojë rajonit se procesi i zgjerimit është i gjallë dhe do ta rrisë euroentuziazmin.
Gjatë Javës së Kulturës malazeze në Shqipëri, janë organizuar një sërë aktivitetesh të larmishme, si prezantimi i Teatrit Mbretëror “Zetski dom”, Qendra e Filmit e Malit të Zi, Muzeu Detar i Malit të Zi, Muzeu i Artit Bashkëkohor i Malit të Zi me një pasqyrë të krijimtarisë bashkëkohore të Malit të Zi, mbrëmje letrare, etj.
Programet u realizuan në Tiranë dhe Shkodër nga data 7 deri më 12 nëntor.
Java e Kulturës malazeze është organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Tiranë në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës dhe Medias të Malit të Zi dhe ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë.
t. u.