
Emri dhe veprimtaria e Tahir Pashë Krajanit akoma ruhet në kujtesën dhe gojëdhënat e popullatës së Krajës dhe më gjerë. Po kështu, veprimtaria e tij njihet edhe prej literaturës.
Duke qenë se Tahir Pasha pjesën më të madhe të jetës së vet e kaloi në Stamboll, në sarajin e sulltanit, ku atij i janë besuar mjaft detyra të larta, me punën dhe suksesin e treguar ka bërë që të skalitet emri i tij në pallatin osman e për rrjedhojë edhe në Arkivin Osman në Stamboll.
Mjaft është folur dhe shkruar rreth jetës dhe veprimtarisë publike të Tahir Pashë Krajanit në Perandorinë Osmane, por jeta dhe veprimtaria e pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij, gjegjësisht e bashkëshorteve, fëmijëve etj., ende mbetet e pandriçuar plotësisht për publikun.
Janë të shumta dokumentet e këtij arkivi që bëjnë fjalë për jetën dhe veprimtarinë e Tahir Pashë Krajanit (Nga gojëdhënat dhe literatura shohim se ka pasur disa persona me emrin Tahir Pasha. Në të gjitha dokumentet e shfrytëzuara në këtë artikull nga Arkivi Osman i Stambollit ceket detyra e Tahir Pashës si sertyfengi, komandant i gardës së armëve në pallatin e sulltanit, çka jep për të kuptuar se bëhet fjalë për Tahir Pashë Krajanin e famshëm), familjes së tij, si dhe dy bashkëshorteve të tij, gjë që në të ardhmen na obligon që t’i hulumtojmë, por këtë radhë shkak është bërë gjetja e një dokumenti në këtë arkiv, i cili dëshmon ndërtimin e një shkolle fillore nga njëra prej bashkëshorteve të tij në fshatin Ostros të Vogël të Nahijes së Krajës – Kazaja e Shkodrës.
Dosja e cila bën fjalë për ndërtimin e kësaj shkolle i përket vitit 1312 rumi/1896 dhe ka tri faqe. Këto faqe përmbajnë shkëmbime informatash e vendime ndërmjet institucioneve rreth shkollës së ndërtuar në fshatin Ostros të Vogël nga fisnikja (bashkëshortja) e Tahir Pashës, ku ky i fundit në këtë kohë ushtronte detyrën e komandantit të dyfekçinjve (Sertyfengi), gardës së pallatit osman. Por në dokument nuk përmendet emri i bashkëshortes, pra ndërtueses së kësaj shkolle
Duhet cekur se me miratimin e reformës së arsimit osman të vitit 1869, shohim të jenë hapur shumë shkolla fillore publike katërvjeçare në shumë fshatra të trevës së Krajës (Shih Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll; Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870-1877, Stamboll, 2009; Hajrullah Koliqi, Historiku i arsimit në Krajë, Prishtinë, 1999; Hamid Alaj, Zhvillimi i shkollave dhe arsimit në trevën e Krajës dhe Shestanit, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2014; Hajrudin Muja, Kraja, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2019; Ali Gjeçbritaj, Shkolla në Krajë (1929-2019), 2020.), njëjtë siç është dokumentuar edhe në trevën e Anës së Malit (për më gjerësisht shih Rexhep Lleshi, Shkolla fillore “Bedri Elezaga 1869-2019”, Ulqin, 2019, ff. 49-53.), hulumtim që mbetet obligim të vazhdohet në të ardhmen. Por kësaj radhe, siç cekëm më sipër, do të ndalemi te një dosje arkivi që bën fjalë për ndërtimin e shkollës fillore në Ostros të Vogël.
Dosja e cila bën fjalë për ndërtimin e kësaj shkolle i përket vitit 1312 rumi/ 1896 dhe ka tri faqe. Këto faqe përmbajnë shkëmbime informatash e vendime ndërmjet institucioneve rreth shkollës së ndërtuar në fshatin Ostros të Vogël nga fisnikja (bashkëshortja) e Tahir Pashës, ku ky i fundit në këtë kohë ushtronte detyrën e komandantit të dyfekçinjve (Sertyfengi), gardës së pallatit osman. Por në dokument nuk përmendet emri i bashkëshortes, pra ndërtueses së kësaj shkolle.
Në bazë të kronologjisë së datave të shënuara në këtë dosje, shohim se dokumenti i parë i përket datës 7 maj 1312 rumi/19 maj 1896 dhe bart vulën e Valiut të Shkodrës, Abdullah Beut. Nga dokumenti shohim se Vilajeti i Shkodrës i dërgon një shkresë Ministrisë së Arsimit, ku pasi e falëndëron atë, e njofton për ndërtimin e një shkolle/mektebi iptidai (shkollë fillore katërvjeçare) nga ana e bashkëshortes së Tahir Pashës dhe se këtë shkollë e frekuentonin dyzet e tre (43) nxënës, prej të cilëve njëzet e tetë (28) djem dhe pesëmbëdhjetë (15) vajza.
Për nga data, shkresa e dytë mban datën 21 maj 1312 rumi/ 2 qershor 1896 dhe ka nënshkrimin e Muhjidin Beut dhe vulën e drejtorisë së shkollave (mektebi iptidai) (shkolla fillore katërvjeçare) – Ministrisë së Arsimit, dërguar zyrës së sekretarisë. Edhe në këtë shkresë, pasi jepen të dhënat për ndërtimin e shkollës nga bashkëshortja e Tahir Pashës, njoftohet se dokumentacioni rreth punës së shkollës i kalon sekretariatit në fjalë.
Kurse shkresa e fundit në këtë dosje i përket datës 7 qershor 1312/ 19 qershor 1896 dhe është përpiluar nga zyra e sekretarisë në adresë të Fletores Zyrtare për t’u publikuar (BOA (Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll), MF.MKT, 321/29).
Në këtë dosje nuk ceken lëndët dhe kurrikulat mësimore. Porse studiuesit këto shkolla i konsiderojnë edhe shkolla shqipe, sepse në mësim përdorej edhe gjuha shqipe, nxënësit mësonin për jetën e përditshme, për traditën e historinë e tyre. Veprimtaria e këtyre shkollave kishte karakter kombëtar ngase mësuesit e tyre mbanin lidhje të ngushta me intelektualë e veprimtarë krajanë e shkodranë (Hajrullah Koliqi, Historiku i arsimit në Krajë, Prishtinë, 1999, f. 14).
Siç cekëm edhe më lart, në dosjen e mësipërme nuk ceket emri i bashkëshortes së Tahir Pashës, e cila e ndërtoi këtë shkollë fillore në Ostrosin e Vogël. Kjo gjë e bën të vështirë që të njohim me saktësi se kush mund të ketë qenë ajo.
Gjatë hulumtimeve të mëtejshme në këtë arkiv kemi identifikuar një dosje të datës 18 gusht 1313/ 30 gusht 1897, në të cilën shohim emrat e dy bashkëshorteve të Tahir Pashës, më e madhja në moshë zonja Hatixhe dhe tjetra zonja Xhenanë. Nga ky dokument shohim se Pallati i Sulltanit (Yıldız Sarayı) ndan nga një dekoratë, nishan osman të bamirësisë (şefkat nişanı), të klasit të parë për zonjën Hatixhe dhe të klasit të dytë për zonjën Xhenanë (BOA, İ.TAL. 119/29).
Kurse në dosjen tjetër të datës 21 teşrin-i sani 1316/ 4 dhjetor 1900, shohim se bashkëshortes së dytë, zonjës Xhenanë, i ndahet dhe një dekoratë tjetër po për bamirësi, porse këtë radhë e klasit të parë (BOA, İ.TAL. 234/26.), njëjtë siç i është dhënë para katër vitesh bashkëshortes së parë, zonjës Hatixhe.
(vazhdon)
