Ulqin – Në prani të një numri të konsiderueshëm të njerëzve të kulturës, artit, shkencës, arsimit, politikës etj. nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, të enjten mbrëma në Ulqin është hapur solemnisht Libraria “Ulqini”, e vetmja librari në Mal të Zi me libra në gjuhën shqipe.
Libraria është hapur nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, me mbështetjen financiare të Qeverisë së Shqipërisë.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se ky është projekti i parë i prekshëm që KKSH-ja realizon me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe se beson që ky është vetëm fillimi.
“Realizimi i kësaj ëndrre, për mua personalisht besoj se do të mbetet vepra më e bukur dhe më fisnike e jetës sime”, është shprehur ai.
Nika ka falënderuar të gjithë ata që kanë mundësuar që, “kjo ëndërr e kahmotshme të bëhet realitet për shqiptarët në Malin e Zi, që fjala e shkruar ‘Libri’ në gjuhën shqipe, të ketë shtëpinë e vet edhe në Mal të Zi”.
Ai ka përshkruar shkurtimisht rrugën e realizimit të idesë për hapjen e Librarisë “Ulqini”.
Kryetari i KKSH-së e ka quajtur hapjen e librarisë si një moment krenarie kombëtare, duke potencuar kohën e hapjes së saj që përkon me festat e nëntorit.
“Në Nëntorin e Alfabetit të gjuhës shqipe e të festave kombëtare për shqiptarët, nuk kishte si të ndodhte më bukur se të fillonim festën me hapjen e një Qendre të Librit shqip për shqiptarët në Malin e Zi. Për mua ky është një moment krenarie kombëtare, ndërsa kjo librari do Zoti të mbetet për jetë e mot institut i kulturës shqiptare në Malin e Zi”, ka thënë ai.
Njëri prej nismëtarëve për hapjen e librarisë në Ulqin, arkitekti Mentor Llunji, ka treguar se si lindur ideja.
“Ideja ka nisur me një pyetje shumë të thjeshtë. Pyetja ka qenë: Si është e mundur që të jetojmë në një qytet mijëravjeçar, ku në secilin cep mund të blejmë nga një tullë, por në asnjë cep nuk mund të blejmë asnjë libër. Pra, ky konstatim kaq i thjeshtë ka prodhuar edhe nevojën që të marrim këtë iniciativë”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse themi se jemi qytet mijëravjeçar, atëherë së paku duhet të kesh tri gjëra: librari, galeri dhe kinema.
Në ceremoninë e hapjes së librarisë kanë përshëndetur edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ridi Kurtezi, Ifete Çeku nga Ambasada e Republikës së Kosovës, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit në Tiranë, Alda Bardhyli, Gjet Ndoj nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Nga KKSH kanë thënë se Libraria “Ulqini” nuk është konceptuar thjesht vetëm si librari, por do të shërbejë edhe si qendër e promovimit të librit dhe kulturës shqiptare.
i. k.
