U hap ekspozita e pesë piktorëve të njohur ulqinakë

Podgoricë – Të hënën në mbrëmje u hap ekspozita, “Reflektim i mediteranit”, e piktorëve të njohur ulqinakë e cila u mbajt në hollin e Qendrës së Kulturës “Budo Tomoviq” në Podgoricë.
Në prani të një numri të kufizuar të adhuruesve të artit, të personaliteteve të jetës politike, publike e të fushave të tjera, në këtë ekspozitë u prezantua krijimtaria artistike e Vahida Hasanaga- Nimanbegut, Edin Kapllanit, Mersiha Rasulbegoviq- Mavriq, Naser Hasa dhe e Bilal Nikeziqit.
Këtë ekspozitë e ka shpallur të hapur akademiku dhe shkrimtari i njohur malazez, z. Zuvdija Hoxhiq i cili vlerësoi lart krijimtarinë e pasur dhe cilësore artistike të pesë piktorëve në fjalë.
Në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, piktorja e njohur nga Ulqini, Vahida Hasanaga- Nimanbegu tregoi se ideja e prezantimit të punimeve të tyre në këtë ekspozite ishte që publikut t’i sillet një freski artistike pas një periudhe relativisht të gjatë të mungesës së aktiviteteve të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato artistike.
“Ekspozitën e parë e kemi pasur në Bijello Pole, më pas në Tivar, sonte në Podgoricë dhe mbase edhe në Tuz në të ardhmen, dhe në disa qytete të tjera. Unë mendoj se ne, disa krijues të Ulqinit, kemi pse të ekspozojmë, sepse kemi punime cilësore dhe ideja jonë herë pas here është që t’i prezantohemi publikut të qyteteve të Malit të Zi”, u shpreh piktorja, Vahida Hasanaga- Nimanbegu.
Nimanbegu në këtë ekspozitë u prezantua me tri punime artistike të ciklit mediteran, piktura këto që i takojnë kohës moderne, disa prej të cilave kritikët e artit i klasifikojnë si peizazh modern.
Kjo ekspozite është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat