U bë përurimi i librave të autorëve Dr. Nail Draga dhe Hajrullah Hajdari

vazhdon nga numri 1021
Përgjegjësinë e shtetit shqiptarë për masakrën e Tivarit, e thekson edhe autori i librit Dr. Nail Draga, tha Prof. Ulaj në elaborimin e vet.
Për librin “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”, në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike të konkretizuara me fjalë dhe shifra, elaboroi edhe kryetari i Kuvendit të kombit shqiptar dhe ish-themeluesi dhe kryetari i Shoqatës Atdhetare “Kosova”, shkrimtari dhe publicisti nga Shqipëria, Dashamir Uruçi, si dhe vetë autori, Nail Draga.
Elaborimin lidhur me përurimin e librit “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” të autorit Hajrullah Hajdari, redaktori i veprës në fjalë, Dr. Nail Draga, e filloi me shprehjen:“Trajtimi i temave që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi, janë inspiruese për autorë të ndryshëm, që është dëshmuar me botime të veçanta në këto tri dekadat e fundit. Kemi të bëjmë me kohën e pluralizmit, ku autor të profileve të ndryshme, kanë trajtuar e botuar artikuj, studime e botime me vlerë nga fusha e shkencës, letërsisë, kulturës, e publicistikës.
Në mesin e atyre autorëve është edhe Hajrullah Hajdari, i cili pas tri librave të botuar deri më tash
‘Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941’ (2016); ‘Ulqini në dokumentet malazeze nga viti 1880 deri më 1915’ (2018), ‘Pronat dypalëshe të shqiptarëve në të dy anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi’ (2019), së fundmi opinionit i prezantohet me botimin e ri të katërt me titull ‘Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990’, botuar nga SHAI ‘Art Club’ në Ulqin. Libri paraqet periudhën e socializmit përkatësisht të ideologjisë komuniste deri më dështimin e këtij rendi shoqëror në vitin 1990, kur këtu u miratua në praktikë pluralizmi politik”.
Në elaborimin e tij, Dr. Draga theksoi se fjala është për një periudhë kohore, e cila në rrethana të reja proklamonte barazinë shoqërore në një mjedis shumëkombësh, siç ishte shteti përbashkët me emrin Jugosllavi, ku bënte pjesë edhe Mali i Zi. Në këtë ish-republikë, shqiptarët ishin popullsia e vetme jo sllave, andaj kanë sfiduar rrethanat e kohës për të mbijetuar, sepse ndonëse në spektrin formal juridik, shqiptarët ishin të barabartë si qytetarët e tjerë, por praktika tregonte të kundërtën, ata ishin të diskriminuar sepse nuk ka ekzistuar vullneti politik i pushtetit për barazi qytetare e nacionale.
Mos investimi në viset shqiptare, infrastruktura e pavolitshme dhe papunësia, ishin parakushte për emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme, duke mbetur plagë e pashërueshme deri në ditët tona, theksoi referuesi Draga në elaborimin e vet, dhe shtoi se me një fjalë kemi të bëjmë me një spastrim të heshtur etnik, praktikisht me shpopullarizimin e vendbanimeve shqiptare që dëshmohet nga burimet statistikore. Ndërsa, nga të dhënat që i prezanton autori Hajdari për shqiptarët sipas regjistrimeve të popullsisë (1948-1981), del qartë se kemi të bëjmë me falsifikim të të dhënave për shqiptarët sipas vendbanimeve, sepse numri i shqiptarëve ka qenë më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Ndërsa, të dhënat e prezantuara për gjoja deklarimin e popullsisë malazeze në vendbanimet shqiptare ku nuk ka pasur asnjëherë të tillë, dëshmon falsifikimin e të dhënave, me dirigjimin e pushtetit, me prapavijë politike, duke i paraqitur shqiptarët me pjesëmarrje sa më të ulët në kuadër të popullsisë së përgjithshme.
Referuesi Nail Draga theksoi se autori Hajdari librin e ka ndarë në shtatë pjesë, duke i trajtuar me qasje shumëdimensionale çështjet preokupuese për popullsinë shqiptare në Mal të Zi. Në të dhënat e prezantuara përveç konsultimit të literaturës përkatëse, bien në sy dokumentet arkivore të cilat opinionit i prezantohen për herë të parë.
Duke lexuar këtë libër, çdokush e ka të qartë se sa ka qenë vështirë të jetohet si shqiptarë, sepse pushteti ideologjik ndaj shqiptarëve kishte standarde të dyfishta, ku në mënyrë perfide luftonte identitetin kombëtar shqiptar.
Periudha kohore e trajtuar në këtë libër, ka të bëjë me ideologjinë komuniste, e cila në mënyrë formale bazohej në parimet e barazisë nacionale për të gjithë, por, në praktikë ishte krejt ndryshe, theksoi Draga në elaborimin e tij, dhe shtoi se barazia nacionale për të gjithë ata popuj, të cilën morën pjesë në luftën për çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga okupatorët mbeti vetëm premtim që u dëshmua me tkurrjen e të drejtave nacionale të pakicave kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin shembull tipik i këtij konstatimi, dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse sistemi shoqëror-politik, i vendosur në territorin e Malit të Zi pas Luftës së Dytë Botërore, ka pasur të gjitha karakteristikat e pushtetit totalitar me bazament ideologjinë politike.
Referuesi Nail Draga, foli edhe për shumëçka të përfshirë në librin e Hajrullah Hajdarit, dhe në fund veçoi: “I vetëdijshëm se nuk kemi të bëjmë me çështje personale, por me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi për periudhën kohore 1945-1990, autori i librit ofron të dhëna me interes, të cilat trajtohen, analizohen dhe publikohen për herë të parë, ndërsa shfrytëzimi i lëndës arkivore, jo vetëm për nga forma, dëshmon për qasje profesionale për çështjet e trajtuara”.
Referuesi Draga, pa hezitim përmbyllë konstatimin se ky botim me vlerë i fushës historiko-juridike, por gjithsesi edhe nga sociologjia politike, do të jetë nxitje për studiues të ndryshëm, për të vazhduar hulumtimet sipas profilit të tyre profesional, e si i tillë do të jetë referencë e nevojshme për të gjithë ata që do të trajtojnë rrethanat shoqërore e politike për shqiptarët në këtë mjedis, për këtë periudhë kohore.
Referuesi i dytë, dhe njëherazi lektori i librit në fjalë, Mr. Ismet Kallaba, në emër të botuesit – Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, kryetar i së cilës është, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi organizatorin e përurimit të librave, në krye me Binak Ulaj, që ka përzgjedhur të përuroi këta dy libra në Vuthaj, të botuara nga shoqata e tyre.
“Veprimtaria botuese është njëra ndër aktivitetet kryesore të shoqërisë tonë, e cila është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Gjatë këtyre 32 viteve, që nga fillimi, në dhjetor të vitit 1990, ‘Art Club’-i ka botuar rreth 175 libra të fushave të ndryshme, kryesisht të autorëve shqiptarë në Mal të Zi. Viteve të fundit, është rritur numri i librave nga autorët shqiptarë në Mal të Zi, gjë që është për tu gëzuar, por në anën tjetër duhet ta pranojmë që kemi pak studime. Në këtë aspekt, duhet parë dhe vlerësuar edhe katër librat studimore të autorit Hajrullah Hajdari, pavarësisht se jemi tubuar këtu për të përuruar librin e fundit të tij. Ky libër nuk mund të shikohet si i ndarë (i veçuar), sepse është vazhdimësi e punës kërkimore të autorit dhe e tre librave të tij të mëparshëm. Për këtë arsye, do t’i them përmbledhtazi disa mendime për autorin dhe veprat e tij, si dhe rëndësinë e tyre për studimin shqiptar në Mal të Zi dhe më gjerë. Kush e njeh autorin e librit, e din që ai është shembull i njeriut të përkushtuar, i cili kudo ka punuar, ka lënë gjurmë. Pas daljes në pension, ai i është përkushtuar pasionit të tij-studimit të çështjeve preokupuese që lidhen me shqiptarët në Mal të Zi. Fakti se për një periudhë të shkurtër prej 5-6 vitesh i ka sjellë lexuesit katër libra, dëshmon se kemi të bëjmë me një studiues produktiv. Ato janë rezultat i përkushtimit dhe i punës së tij vetmohuese, i durimit si cilësi e një punonjësi serioz”.
Në elaborimin e vet mbi veprimtarinë krijuese të autorit Hajrullah Hajdari, Mr. Ismet Kallaba, veçoi disa gjëra që për të janë thelbësore në librat e tij: së pari, përzgjedhja e temave apo e objektit studimor. Të katër librat e Hajdarit 1. “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”; 2. “Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915)”; 3. “Pronat dypalëshe – në të dy anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi” dhe 4. “Pozita kushtetuese juridike dhe politike e shqiptarëve më Mal të Zi nga viti 1945-1990”, trajtojnë tema që janë thelbësore për historinë dhe identitetin e shqiptarëve që sot jetojnë në Mal të Zi; së dyti, janë botimet dokumentare që bazohen në materialet arkivore të grumbulluara nga kërkimet në arkivat e Malit të Zi, Shqipërisë etj., është shprehur kështu, sepse një pjesë e studimeve të sotme, qoftë për shkak të lehtësisë apo pamundësisë materiale të autorit, vuajnë nga mungesa (mangësia) e studimeve në terren dhe arkiva; së treti, plotësimi i boshllëkut të studimeve, që lidhen me shqiptarët dhe çështjet shqiptare në Mal të Zi, janë deficitare dhe – së katërti, dobia e këtyre librave për të tjerët (lënda arkivore që ai sjellë) u shërben edhe studiuesve të tjerë që merren me studimin e kësaj materie.
Objekt i hulumtimeve dhe studimit në librin “Pozita kushtetuese juridike dhe politike e shqiptarëve më Mal të Zi nga viti 1945-1990”, janë akte juridike të RSFJ-së dhe Malit të Zi, institucioneve ndërkombëtare, raporti mes tyre, forma dhe rendi juridik i qeverisjes, veprimtaritë dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore-legjislative, ekzekutive, gjyqësore, administrative dhe politike, roli i politikës në qeverisje, ngjarjet dhe proceset politike dhe gjyqësore me ndikim në jetën e përditshme, qytetari – në veçanti shqiptar.
Objekt e librit janë edhe vuajtjet dhe qëndresa e shqiptarëve në Malin e Zi, zhvillimi kulturor, arsimor e ekonomik në periudhën 45 vjeçare në kuadër të Malit të Zi. Libri trajton një periudhë të rëndësishme, por të ndjeshme. Andaj ky libër mund të konsiderohet edhe si thirrzë ndaj kujtesës sonë kolektive, për të mos harruar, është prehur në fund të referimit të tij konciz dhe konstruktiv Mr. Ismet Kallaba.
Për librin në fjalë, në mënyrë koncize dhe analitike, ka folur edhe autori Hajrullah Hajdari.
Në fund të përurimit, autorët e librave, Dr Nail Draga dhe Hajrullah Hajdari, kanë falënderuar panelistët për vlerësimin e librave të tyre, e po ashtu, kanë shprehur falënderime edhe për pjesëmarrësit në numër të konsiderueshëm në akademinë solemne të përurimit.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat