U bë përurimi i librave të autorëve Dr. Nail Draga dhe Hajrullah Hajdari

Vuthaj – Pothuajse është bërë traditë e përhershme që më datën 31 korrik, në sallën për takime, tubime, seanca dhe manifestime të ndryshme kulturore, artistike e shkencore të shtëpisë së rikonstruktuar të kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, me vetë kontributin e vuthjanëve në diasporë, por edhe të atyre vendas, mu në ditën e datës së inaugurimit të saj, të organizohen dhe mbahen çdo vit akademi solemne, përurime veprash letrare, ekspozita të arteve pamore, tryeza të rrumbullakëta, manifestime të ndryshme etj.
Edhe këtë vit, pikërisht të dielën e kaluar, më 31 korrik, në sallën e sipërpërmendur të Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj, në prani të një numri të konsideruar të adhuruesve të veprës së shkruar letrare nga Vuthajt, vendbanimet me popullatë shqiptare të komunave të Gucisë dhe Plavës, por edhe të shumë bashkëvendësve mërgimtarë nga diasporë, u bë përurimi në mënyrë solemne i veprave me vlerë dhe peshë madhore për shqiptarët: “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”, e autorit Nail Draga dhe “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”, i autorit Hajrullah Hajdari.
Duke i përshëndetur të pranishmit, akademinë solemne të përurimit në fjalë e hapi moderatorja e programit, vashëza vuthjane, Arbenita Vukaj, e cila pas leximit të ca fragmenteve nga libri i autorit të Nail Dragës, për të paraqitur librin e sipërpërmendur, fjalën ia dha profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe të burgosurit politik (ca herë) nga Vuthajt, Binak Ulajt.
Me emocion, dinjitet, përpikëri dhe përkushtim, Binak Ulaj e filloi elaborimin e vet kushtuar promovimit të librave të Dr. Nail Dragës dhe Hajrullah Hajdarit.
Propozimin e gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Mr. Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, që të organizojmë përurimin e librit “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”, përgatitur nga Nail Draga dhe librin “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”, të autorit Hajrullah Hajdari, e ka pritur me kënaqësi të veçantë. Jo vetëm për arsye të miqësisë së hershme me ta, por në rend të parë, për rëndësinë e temave që trajtojnë në këto dy vepra me rëndësi historike, juridike e dokumentare.
“Libri ‘Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve’, është përmbledhje kumtesash, dokumentesh e rrëfimesh të të mbijetuarve të kësaj masakre. Ndër kumtesat më të plota për këtë krim, i cili me të drejtë është cilësuar si njëri ndër krimet më të përgjakshme dhe më të pabesa të bëra ndaj shqiptarëve, janë shkrimet e historianit, Uran Butka, e Dr. Nail Dragës, Fran Shkrelit, të ‘Zërit të Amerikës’, Sheradin Berishës dhe të autorëve të tjerë”, shprehet referuesi Prof. Binak Ulaj, dhe shton: “Në studimin e Sheradin Berishës ‘Si ndodhi masakra e Tivarit?’, por edhe në kumtesat e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë libër, jepen të dhëna konkrete për numrin e shqiptarëve të mobilizuar, dhe koha e mobilizimit të tyre. Studiuesi Sheradin Berisha, thekson se në janar të vitit 1945, për në frontin verior (të Sremit), janë mobilizuar 18.500 shqiptarë, në përbërje të brigadave Kosovare dhe pesë mijë të tjerë nga Maqedonia. Gjatë muajve mars-prill të vitit 1945, përmes rrugës Prizren-Kukës- Shkodër-Tivar (për në frontin e Adriatikut) janë deportuar (mobilizuar) 16.423 shqiptarë nga Kosova, rreth 4.600 të tjerë nga viset etnike shqiptare të Maqedonisë.
Në bazë të studimeve dhe analizave të bëra, autorët e kumtesave të botuara në këtë libër, kanë nxjerrë të njëjtin konkluzion: mobilizimi i një numri kaq të madh të shqiptarëve nga Shtabi Operativ i Kosovës, i përbërë kryesisht nga serbo-malazezë dhe dërgimi i tyre jashtë Kosovës, në kohën kur lufta veç kishte përfunduar, ishte dobësimi i potencialit njerëzor luftarak të shqiptarëve, me qëllim që ta realizonin sa më lehtë e më me pak humbje ripushtimin e Kosovës”, shprehet referuesi Ulaj dhe në vazhdim shton: “Këtë synim djallëzor e dëshmojnë dokumentet dhe faktet e shumta të dhëna në këtë libër, e veçmas fati i tri eshalonëve të mobilizuara e grumbulluara në kazermat e Prizrenit, gjithsej 8.400 shqiptarë të moshës mestarë rreth 35 vjeç, dmth të moshës më vitale për jetë-luftë. Në bazë të rrjedhës së ngjarjeve, të mobilizuarit do të parandiejnë se diç po përgatitej, por nuk mund ta bindin veten se do tu ndodhte diç e tmerrshme. Ja si e përshkruan autori Berisha këtë parashikim të tyre: ‘Çarmatosja atyre u ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë, dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada e XXVII e divizionit 46 serb, e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar…’dhe më tej ai shton: ‘Vrasjet para u bënë në mesnatën e 26 dhe 27 marsit, gjatë një pushimi në qiellin e hapur në Kukës. Me këtë rast u vranë njerëzit më autoritarë nga radhët e të mobilizuarve, që ishin eprorë shqiptarë që komanduan njësitë ushtarake gjatë marshimit për në kazermat ushtarake të Prizrenit…’ ”
Përshkrimi i rrugëtimit të mëtejmë, vrasja e atyre që nga lodhja e sëmundja s’mund ta vazhdonin rrugën, vrasja e atyre që shmangeshin vetëm për ta shuar etjen në ndonjë krua a burim, janë dëshmi e mizorisë kafshore të ushtarëve serbë e malazezë.
Gjatë elaborimit Prof. Ulaj, theksoi se pjesë përbërëse e këtij libri janë edhe rrëfimet e atyre që i kishin shpëtuar masakrës, rrëfimi i Azem Hajdarit, i Çerkin Muharrem Salihut dhe i të tjerëve, që janë botuar edhe si libra të veçantë. Ai sidomos veçoi përshkrimin e mizorisë dhe përmasën e masakrimit të shqiptarëve pasi kishin arritur në Tivar të dërmuar nga lodhja, ankthi e vrasja e shokëve nga i përjetuari Azem Hajdari.
“… kjo kolonë (eshaloni i dytë) është ndalur në qendër të qytetit (me urdhër), kinse për të pushuar dhe ndërkohë, ndodh një ekses në mes të rojës dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër. Nga ky konflikt, ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre.
Situata e tensionuar me qëllim, e shtyri masën që të shtrihet përtokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë nën shënjestër të pushkave dhe mitralozave që ishin vëndosur në çdo qosh të rrugëve, dritareve dhe tarracave të shtëpive e në shkëmbinj përreth. Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për katër në gjatësi prej 5-6 kilometrash, e ku mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe tre katëshe. Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë (rreth 1.000 veta) dhe brenda oborrit të rrethuar me mure (2.200-2.500 veta), ata do të sulmohen nga të katër anët, brenda një ore. Gjithë masa e grumbulluar në atë hapësirë, nuk mbeti në këmbë. Me atë rast oborri u shndërrua në lum gjaku. Në atë grumbull njerëzish të kryqëzuar si kubiku i drurëve, një mbi një, nuk mund të dallohej kush është kush, ku e ka kokën e ku këmbët a trupin. Ishte shumë i vështirë për ne që mbetëm gjallë, detyrimi të qëndrojmë në këmbë mbi kufoma”.
Në vazhdim të elaborimit Prof.Ulaj, theksoi se me të drejtë autori i librit, Prof. Nail Draga, këtë masakër e krahason me masakrën e Srebrenicës në Bosnje, kurse ai (Ulaj), shtoi se e tillë ishte edhe masakra në burgun e Dubravës më 22 maj të vitit 1999, ku gardianët qëllojnë me armë të ndryshme të burgosurit shqiptarë.
Duke folur mbi librin e Dr. Nail Dragës, Prof. Ulaj tha se edhe rrëfimi i të mbijetuarit Çerkin Muharrem Saliu, i regjistruar nga gjuhëtari dhe përkthyesi Haxhi Birinxhiku, është si një roman. Nga përjetimet e përshkruara nga ai, përshtypje të veçantë lënë pjesët ku përshkruan ikjen e besën dhe mikpritjen e anamalasve dhe të krajanëve, të fshatrave të rrethit të Shkodrës, arrestimin tri herësh të tij, dhe ikjen, për ta zënë më në fund dhe dorëzuar nga Policia e Shqipërisë te pjesëtarët e OZN-së famëkeqe. Raste të tilla kanë ndodhur edhe te qytetarët shqiptarë të trevës së Plavës e Gucisë.
Prof. Ulaj theksoi se pjesë të veçanta të librit janë ato pjesë ku flitet për atë se kush ishte fajtor për këtë masakër, cili ishte roli i shqiptarëve. Këto pjesë kërkojnë vëmendje të veçantë dhe gjykim.
Historiani Uran Butka shpreh mendimin se “Masakra u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe në bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar”, dhe ndër të tjera shton se: “Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacional-çlirimtare të Shqipërisë në Kosovë.”

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat