Tuzi tanimë njihet edhe për Panairin e Librit

Më 12-15 shtator 2023 në mjediset e QKI “Malësia” është mbajtur edicioni i katërt i Panairit të Librit në Tuz, ku kanë marrë pjesë rreth 30 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Turqia. Gjatë ditëve të Panairit janë organizuar edhe disa veprimtari promovuese. Edicioni i sivjetshëm është mbajtur në kuadër të Vitit të Xhubletës

Në mjediset e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, më 12-15 shtator 2023 është mbajtur edicioni i katërt i Panairit të Librit, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 30 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Turqia.
Panairi është organizuar nga Komuna e Tuzit.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit se për fat të keq, në shtetet në rajon, me tranzicion të stërzgjatur, siç është edhe Mali i Zi, kultura trajtohet si harxhues i buxhetit.
Për dallim prej tyre, sipas tij, Komuna e Tuzit ka një qasje tjetër ndaj kulturës, duke e trajtuar atë si investimin më të mirë për ruajtjen e identitetit.
“Komuna jonë që në fillim të ekzistencës së saj ka marrë qasje tjetër, ngase jemi të vetëdijshëm se investimet në kulturë, arsim dhe sport janë ato investime që në shikim të parë nuk sjellin përfitime të drejtpërdrejta e të shpejta, por që në afat më të gjatë janë ato dhe vetëm ato që ruajnë identitetin dhe ardhmërinë tonë. Andaj sonte jemi të pranishëm në hapjen e Panairit të Katërt të Librit në Tuz”, ka theksuar ai.
Gjeloshaj ka thënë se përpos përparimeve të tjera, Tuzi tanimë njihet në hapësirat shqiptare dhe jo vetëm edhe si qytet i Panairit të Librit.
“Ndoshta dikujt edhe mund t’i duket i vogël, por për ne është me rëndësi tejet të madhe”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se Panairi i Librit në Tuz përpos që është bërë tradicional, po merr edhe karakter ndërkombëtar.
Sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale të Komunës së Tuzit, Marina Ujkaj, ka treguar se secili prej botuesve pjesëmarrës në Panairin e Librit ka sjellë të paktën 10-20 tituj të rinj të botimeve të tyre nga fushat e letërsisë, shkencës, publicistikës etj.
Ajo ka falënderuar botuesit pjesëmarrës të viteve të kaluara që i kanë nxitur kolegët e tyre që të marrin pjesë në Panairin e Librit në Tuz.
“Se organizimi ynë është i pëlqyeshëm për botuesit, tregon edhe vetë fakti se ata që kanë ekspozuar librat e vet viteve të kaluara po bëhen fjalëmirë edhe te kolegët e tyre nga të gjitha anët. U jemi mirënjohës të gjithëve, edhe pse e dimë se ky panair nuk është i madh siç janë mësuar ata, gjegjësisht nuk ka shitje të konsiderueshme”, është shprehur ajo.
Në Panairin e Librit në Tuz ishte paralajmëruar se do të ishte mysafir shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, por siç është thënë nga organizatori, ai nuk ka mundur të jetë i pranishëm për shkaqe shëndetësore.
“Se sa vlerësohet angazhimi ynë në organizimin e Panairit tregon edhe fakti se për hapjen e këtij panairi kishim konfirmimin se do të ishte i pranishëm edhe shkrimtari ynë më i madh, ndër më të mëdhenjtë e botës së sotme, Ismail Kadare. Edhe në Ditën e Komunës unë e paralajmërova, por me një drojë se mosha e tij e thyer, gati 88-vjeçare, mund të bëhet shkak i mosardhjes së tij. Sidoqoftë, pranimi i ftesës sonë prej tij na shtynë të punojmë edhe më fuqishëm në rrugën e filluar”, ka thënë kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Në mungesë të tij, shkrimtari Ismail Kadare ka dërguar një mesazh urimi për Panairin e Librit në Tuz.
Gjatë ditëve të Panairit janë organizuar edhe disa veprimtari promovuese. Kështu është promovuar veprimtaria e Institutit Albanologjik – Prishtinë, përmbledhja me poezi “N’teh” e poetes Melita Vjerdha, botuar nga Botimet Fishta; libri “Nevoja për kombe” i autorit Roger Scruton, përkthyer në shqip nga Albert Bikaj, botim i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; përmbledhja me poezi “Za mjegullor i liqenit n’ag” i autores Ledia Dushi nga Shkodra, një botim dygjuhësh (shqip dhe malazezisht), përkthyer nga Nikollë Berishaj, botim i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi; dhe veprimtaria e autorit nga Shkodra, Gjegj Jozef Kola, i cili jeton në Austri.
Në mbyllje të Panairit të Librit, organizatori ka ndarë mirënjohje për të gjithë botuesit pjesëmarrës.
Panairi i Librit konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Komunën e Tuzit. Ashtu si dhe aktivitetet e tjera kulturore gjatë këtij viti, edhe edicioni i katërt i Panairit të Librit në Tuz u organizua në kuadër të Vitit të Xhubletës.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat