Tuzi bëhet qendër e librit dhe e kulturës rajonale

“Panairi është bërë vendtakim i pritshëm për të gjithë ata që duan të kultivojnë dashuri për librin dhe dijen. Ky panair është mundësi për të njohur autorët dhe botuesit, për të ndarë ide dhe për të krijuar ura bashkëpunimi që zgjasin përtej këtyre ditëve të Panairit”, u shpreh kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj

Nga data 9-12 shtator 2025, në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz u mbajt edicioni i gjashtë i Panairit të Librit, me moton “Vlerat që na ndjekin”.
Në stendat e panairit u prezantuan afro dyzet shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Në natën e parë të Panairit, gjatë hapjes zyrtare, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, tha se Panairi i Librit, si ngjarja më e rëndësishme kulturore në komunën e Tuzit, sfidoi të gjitha vështirësitë, duke u ngritur në piedestalin e një ngjarjeje kulturore tradicionale.
“Panairi i Librit ka krijuar lidhje me shtëpi botuese, autorë e dashamirës të fjalës së shkruar, duke i rezistuar kohës e duke bërë lidhje të forta me vlerat më të larta që fal krijimtaria, studimi, hulumtimet dhe gjurmimet e autorëve të ndryshëm”, u shpreh Ujkaj.
Ajo shtoi se ky panair, me karakter rajonal dhe më gjerë, për disa ditë e shndërron Tuzin në një qendër të madhe, e cila tenton të japë kontributin e saj për afrimin kulturor si mes shqiptarëve, ashtu edhe të popujve të tjerë.
“Sepse ‘Vlerat që na ndjekin’ janë vlerat që i hasim në libër, aty ku pushon shpirti, ‘shkarkohet’ mendja dhe plotësohet zemra. Dhe besoj se të gjithë këtë pushtetin e librit mbi ne e kemi të përbashkët”, theksoi Ujkaj.
Gjatë hapjes së Panairit, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, u shpreh se ky panair është një ngjarje kulturore që bashkon autorë, botues dhe qytetarë në këtë komunë, dhe se ky panair, që në fillim ka pasur ndikim në zhvillimin kulturor të komunës.
“Panairi është bërë vendtakim i pritshëm për të gjithë ata që duan të kultivojnë dashuri për librin dhe dijen. Ky panair është mundësi për të njohur autorët dhe botuesit, për të ndarë ide dhe për të krijuar ura bashkëpunimi që zgjasin përtej këtyre ditëve të Panairit”, u shpreh ai.
Gjelaj tha se libri na lidh me të kaluarën, na ndihmon ta kuptojmë të tashmen dhe na udhëheq drejt së ardhmes.
“Pikërisht ky fakt na motivon që të vazhdojmë dhe të krijojmë hapësira ku libri dhe kultura të jenë gjithmonë të pranishme, si shtyllat e identitetit tonë dhe e zhvillimit të komunës”, u shpreh kryetari i Komunës së Tuzit.
Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij panairi, programi ofroi një pasqyrë të pasur të leximeve, bisedave dhe prezantimeve të librave.
Dita e parë filloi me promovimin e librit “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi” të autorit Prof. dr. Fatmir Sejdiu (ish-President i Republikës së Kosovës). Autori foli për këtë vepër letrare bashkë me Prof. dr. Ibrahim Berishën, me të cilin shpalosen çështje shumë interesante rreth gjithë asaj çfarë është dokumentuar në këtë vepër.
Dita e dytë nisi në mëngjes me leximin e përrallave “Udhëtimi i Pinokios drejt së vërtetës”, vazhdoi në orën 18:00 me promovimin e librit “Fëmijëria në xhep” nga Aleksandra Vujisiq, më pas u prezantua “E mësuam paskajoren” nga Ahmet Selmani dhe përfundoi me promovimin në orën 20:00 të librit “Gjurmë të postës në trojet shqiptare 1800-1944” nga Fadil Smajlaj, ku folën edhe Dr. Ervis Krymbi dhe Robert Camaj.
Dita e tretë filloi gjithashtu në mëngjes me leximin e përrallave “Aventurat e vogëlushëve me libra”, vijoi në orën 18:00 me bisedën me Ana Tisin dhe në mbrëmje u prezantua “Baballarët përpara djemve” nga Ksenija Popoviq dhe “Enciklopedia imagjinare”, për të cilin folën autori Prof. dr. Bajram Kosumi dhe botuesja Irena Toçi.
Panairi i Librit solli botime të reja dhe qe një rast i mirë për t’u njohur me autorë të ndryshëm shqiptarë, por edhe të huaj, me një pafundësi tematikash që sjell libri si dëshmi e gjallë e kulturës dhe identitetit tonë.
Për disa ditë me radhë, Tuzi u shndërrua në një qendër ku fjala e shkruar bashkoi admirues të librit, duke dëshmuar edhe një herë se libri mbetet ura më e fortë mes njerëzve dhe kohërave.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat