KOHA NUK MË MJAFTON
Sot koha nuk më mjafton
as nesër as pasnesër jo se jo
nuk më mjaftoi as dje
duke shikuar orën në mur
dita më iku pa e parë
më zuri muzgu
duke përcjellë akrepat
varur në qiell
me këmbë duke matur
hijen time
e me hapa gjatësinë
e truallit që shkela
ylli i parë që shndrin në qiell
më zuri duke fshirë djersën
me monotoninë e errësirës
që mbuloi hapësirën
hëna plakë nuk u pa
ajo del sonte pas mesnate
kur unë fle
koha nuk më mjaftoi
të lexoj mbishkrimet në varreza
ra edhe gjethi i fundit nga dega
gati më zuri frymën
fundi i pa shpresë
mbeta pa e lexuar
nishanin e fundi
nuk më mjafton koha
të shuaj etje për mall e ëndrra
mangësitë në vargje më mbetën
duke ecur pas kohës në ikje
koha nuk më mjafton për frymëzim
mua jo për ju nuk di gjë
POROSI
Mos i hidhni sytë
atje ku të shkojnë
në shalë lakuriqe
të grave
do mbeteni
pa asnjë dhëmb
në gojë.
Mos shikoni vjedhurazi
gjokse të fryra
kokën do thyeni
në shtylla bulevardesh
shikimi do ju tradhtojë
do mbeteni pa sy.
BUKUROSHJA
Sytë si gështenjë
faqet si mollë e kuqe
beli e hollë si degë qershie
sa bukur po të rri fustani
princesha ime perlë hijeshie.
Kur kthej kohën pas
veten e qortoj
ku sytë i paskam pas
më kohë nuk të pashë
tash veten mallkoj.
Edhe sot e tillë
bukuroshe je
vitet që na ikën
nuk të plakën fare
flokët me të bardha
në valë deti dalë.
JAM LABEAT
Jam këtu në tokën time, i vjetër shumë i lashtë
këtu kam lindur, këtu kam nënë e babë
nuk e di saktësisht sa herë janë ndërruar kufijtë
di se këtu kam lëshuar shtat unë dhe të parët e mi
jam përkundur në djep druri me rreth mbi kokë
me zëëmblin e ninullave të nënave shamibardha
më kanë burrëruar gurët në muret e kullave kala
gdhendur me mjeshtri nga dora e ustallarëve ilirë
me lahutën e varur në mur e me dy tela çiftelie
u kam kënduar kreshnikëve në gjuhën arkaike
me kulturën e vargëzimit që përcollën shekujt
në këtë truall, mbi këta gurë kemi ngritur flamur
unë jam birë labeati në këtë fushëgropë
me ujë liqeni kam larë fytyrë e trup pa drojë
ndaj valëve të trazuara gjithmonë ngadhënjimtar
mua më kanë trimëruar këto kulla mbuluar me bujari
KORI I THINJAVE
Janë radhitur në tre rreshta në kaptinë
mbi ballë, në butë të kresë, mbi qafë
në majë të kokës tullace dirigjenti.
Pylli me gojë të hapur ndjek heshtjen
rënien e gjetheve të fundit përpin
trungu kërkon të hyjë në plagët e moshës.
Rreth meje shushurimë e gjetheve të tharë
shkelën me këmbë e nuk lënë gjurmë
kori i thinjave tash mori udhë.
Në kështjellën e kafkës, ashtit tim
rrugëtojnë ëndrrat në lashtësi
si anijet velëbardha në detin e trazuar.
KËNGË TË VONUARA
Sonte do fle më herët se zakonisht
askush s’e di kur do më zërë gjumi
ëndrrat do t’i lë te dritarja
nesër do t’i radhis në kolonën zanore.
Sot dua më zë të lartë të thërras
zanën e malit dhe bilbilin në degë lisi
janë bujari në kohë, zë, e bijë fisi
lutja ime është drejtuar kah qielli.
Ëndërr e bukur fshehur në jastëk
zgjohet lehtë në pentagramin e kohës
kënga ime e vonuar u shkrua
në zemrat e nënave që këndonin mbi djep.
SONTE
O, sonte, sonte
të pres, të pres
të bëhem një trup
i vetëm në heshtje
nesër prapë
të preki çasti tim
e pastaj në heshtje
të çajë rrugët
deri në horizont
atje në lindje
të një jete të re
me këngë
jo me dallgë
e me plagë
si deri dje
VETA E PARË
Kush ma theu ashtin sonte
veta e dytë njëjës apo ….
ma thyen lehtë si kristalin
ata të vetës së tretë shumës
edhe pse janë pa asht
trup pa eshtra mish me dy sy
qe s’e shohin vetën e parë
udhët m’i zunë shtigjet m’i mbyllën
më zunë frymën pa mëshirë
e unë në vetën e parë
ua mësova lakimin e foljes
LAKIM
Unë pastrohem
edhe ti po ashtu
si unë
ai freskohet më ujë,
fytyrën lanë
si ne
lakoje foljen lahem
s’e bëj dot thotë
është mbaruar uji
e shteruar lumi
sot.
SHTEGTIM
Sot kam mbjellë rrënjë shiu
kokën e kam futur në hoje hapësire
me duar jam kapur për ujëvare.
Para meje shtegtojnë fluturime
pulëbardhash krahëgjata
harruan veten duke mësuar të tjerët.
Sonte nuk më dhembin plagët
që ma kalbën trupin në muzg
por fara e keqe që po mbin.
Kam frikë të shkel mbi ëndrra
pritja ende më mban peng
dua të keqes që lind
derën t’ia mbyll me shul.
Ky shtegtimi im i pa kthim
shkrihet mbrëmjeve i dehur
me muzikë shëtitë bregut
mbyll kapakët e dritareve
grisë dritën deri në agim
dhe në heshtje pret shtegun
të hapet.
Nga përmbledhja në dorëshkrim “Hëna mbi Liqen”