Tufë poezish: Ali Gjeçbritaj

HËNA MBI LIQEN

Në qiell filloi të zhvishej
nisi loja e saj
hoqi të gjithë rrobat
në heshtje u zhyt
në ujin qelibar.

Djem të trazuar
hipën në degë
tërë natën e kaluan
në majë të shegës.

S’e zunë dot hënën
Njëri-tjetrin ngushëlluan
me kokrra të shegës
gjerdan i punuan.

Me degë ulliri
kurorë i thurën
lule limoni
në gushë i varën.

FLLAD

Erë Rumie ka fry shtatë ditë
Shtatë natë pa u ndalë flladi
Mbolli mbi truall farë bimësie
E bota u pushtua me gjallëri

Nga pllajat e bjeshkës fllad mali
Frymëmarrjen ia shton trungut
Buzëliqenin e rrahin valët lehtë
Etjen ia shuan tokës së zhuritur

Sa bukur në bebëza syri
Shikoj gjithë botën në qindra vjet
E në vatër kam ndezur zjarrin
Të pjek gështenja që i mblodha vet.

PIKË SHIU

Në xhamin e dritares
udhëton heshtja
drejt pragut
për të dalë
e ai i mbyllur
nuk hap derë
pa u kthyer në lot
dry i gozhduar
në portë pret
çelësin magjik
në heshtje
të hapet udha
për parajsë
të rrugëtojë
pa shtrëngatë
rrezja drejt
në dritare ra
me ngjyra ylberi
vallëzon në horizont
brigje liqeni
shtatë ngjyra bashkon
në kolorit
nga qielli që mori

VARKA IME

Mbi syprinën e ujit të liqenit
lehtë, lehtë e herë me furi
lundron barka ime në qetësi
në krye të valles së peshqve
vajza e e veshur me të bardha
ndez zjarrin në vatrën e gurtë
më jep pak jetë nga bardhësia jote
të shijoj shijen e frytit magjik
gatuar e pjekur në tëndin qerpik.

VALË LIQENI

Gurë në breg liqen
gdhendur me valë
nuk e di
kush je ti
zanë mali apo
floçkë liqeni
më thuaj
unë jam
i shkreti djalë
hipur
në degë ulliri
nuk zbres dot
në tokë
shëtis
natën më hënë
duke belbëzuar
me vete
valë liqeni
valë jete

VALLJA KRANJANE KËSAJ I THONË
(në frymën e këngës popullore)

Ejani kapuni të gjithë në valle
Në vallen tonë të madhe
Kush është i ri nuk e lë
Vallen tonë po e zë
Të gjithë të brofim në këmbë
Mos ta lëmë vallen pa zënë
Ai që nuk vjen në këtë valle
Nusja mos i lindtë djalë
Mos i lindtë as djalë as çikë
Niset vallja rrotullohet
Të ri e të reja dorë për dore
Pleq e plaka po shendohen
Po shikojnë me shumë dashuri
Kujtojnë kohën sa shpejt iku
Kujtojnë kohën kur ishin të ri
Gjëmon trualli ushton mali
Jehon kënga gjithandej
Kësaj i thonë kënga krajane
Kësaj i thonë valle e madhe
Valle me vajza e djem.

BETEJA E RE

Pas shumë vitesh
pushoi lufta
nënshkrova paqe
me veten.

Tash
kam nisë
betejë të re
me jetën.

UNË, NJERI I KËSAJ BOTE

Humbja nuk m’u bë dhimbje
As dhimbje, humbje jo se jo
Shpesh ngatërrohem prej dhimbjes
E humbjen e shkatërroj me forcë
Zemërimin e mbështjelli me pëlhurë
E duart e mpira i ngrohi nën sqetulla
Jam qenie njerëzore andaj
Botën e pagëzoj me emrin njeri
Lotët kur rrjedhin fytyrës
Na i ngrohin damarët e jetës
E unë njeriu i kësaj bote
Jam luan me qafëkurorë
Mbuluar me hoje hapësirash
Kaq për sot më shumë nuk di
Nesër flasim për diçka tjetër

QIRINJTË

Sa qirinj të ndezur
nuk i numërova
as edhe një herë
me gërshërë e pretë
këtë copë jete
tokën e shkelmuat
me thembra çizmesh
të mos dalë
më njomësia thatë
harruat se jeta
një ditë do të lind
edhe nën gjurmë
qirinjtë e ndezur
çizmen e bënë
copë e grimë
tmerrësisht jeni
të trishtuar
si asnjëherë
drita e qirinjve
ua verboi sytë
sfidoi mortin
që mbollët

SHPORTË KUJTIMESH

Bie shi, shuan etjen
tokës së zhuritur
ia njomë buzët
shporta nuk mban ujë
kujtime mbulova sot
me thupra shelgu
nën hijen e trungut
me fruta nëpër degë
kushedi nga fryn
era e ajnikut
bora ka nisë shtegtimin
si frymëmarrja ime
si t’ia vë emrin
kësaj shporte
më rrethin hark
mbushur me pagëzime
fiq të tharë në trinë

Të fundit

më të lexuarat