Tufë poezish

(Krijime të anëtarëve të Seksionit letrar “Gjon Buzuku” të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” Ostros – Krajë. Poezitë i zgjodhi mësimdhënësi Ali Gjeçbritaj)

Frymë
Që kur ke shtegtuar nga mbretëria ime
Çdo gjë përreth është ngrirë
Nga ky dimër i përhershëm ndjenjat më janë pirë
Jepi frymë!
Në një kohë pa stinë të kam takuar
Miliarda vite më parë në botën e shpirtrave
Prandaj ende shpirtin ta njoh, gjysmak ka mbetur shpirti im,
Nga fryma yte jepi frymë!
Mos pyet si jemi gjetur në këtë glob të deshtimit?!
Në ëndrra, në yje, në libra ngjitur i kemi pasur emrat.
Ndoshta pak më larg se duart e atij mëngjesi,
Që të përhimta i bëri mëkati e s’lëvizin edhe pse hidhërimi do ta kapë vetminë në fyt.
Nëse s’të janë fshirë nga zemra shenjat e gishtërinjve të mi, kthehu!
Jepi frymë kësaj qenieje të kushtuar për ty, mos buzëqesh!
Se njëherë me të pranverën ke mbjellur,
e njëmijë herë me rrënjë i ke shkulur,
të gjitha orkidet e kopshtit tim.
Gjithçka është vyshkur brenda meje,
Jepi frymë!
Në gjumin e të lodhurve pres shpresë nga pashpresa,
mëshirë nga iluzioni,
Në makth më është kthyer ëndrra,
Ku mungon shikimi yt.
Kur të paktën në botën e pavërtetë,
Jepi frymë!
Mos u largo nga mendimet, nga e shkuara, nga këngët,
Mos u shkëput nga unë se… se ndiej që po mbytem në vete
Të lutem, më jep një rreze nga vetja, një ditë, një fjalë,
Të lutem se… se fundin e shoh,
Të lutem, frymë…

Esmerinda Lekperi, kl. IX

Familja ime
Nëna ime zgjohet herët çdo mëngjes
Lan, pastron, gjellë përgatit, por mua nuk më harron.
Babai punëtor, punon për familjen tonë
Kafshatën nga goja për ne e ndanë.
Vëllai që më do shumë
Kujdeset për mua
Më do me gjithë zemër, jetën jep për mua.
Unë familjen time e dua shumë
Gjyshin dhe gjyshen që më vejnë në gjumë
Për çdo natë më japin llokum.
Familja ime është mrekulli
Të gjithë së bashku jemi një mrekulli.

Albinora Kovaçi, kl. IV, Arbnesh

Një buzëqeshje e ëmbël
I kam zbuluar diellit dëshirën e zbehtë
Për dashurinë e valëve
Të pyjeve të gjelbëruara
Më fali një rreze.
Ia kam treguar hënës ëndrrën në netët e gjata
Më fali një yll të më prijë në errësirë.
I kam falur bilbilit për brengën e pathënë
Për lotin e shpirtit,
Më fali një këngë.
I kam përshkruar poetit ndjenjën e vetmisë
Më fali një libër.
Iu kam rrëfyer voglushëve përrallat e magjishme
Më falën nga një buzëqeshje.
Në heshtje, pa thënë asnjë fjalë
Kam zgjatur duart drejt nënës në përqafim
Më fali dashurinë e tërë botës.

Fjorentina Lekperi, kl. V, Arbnesh

Dallëndyshja
Dallëndyshen e pyeta:
Prej kah ke shtegtuar?
Nga viset e largëta
Tek ti kam udhëtuar.
Mirë se vjen, mikeshë e dashur,
Krahëhapur të kam pritë
Cicërimat e tua
T’i dëgjoj çdo ditë.
Nën çatinë e shtëpisë
Çerdhen e ndërton
Kohën më të bukur
Me ty po kaloj.

Ildorina Lekperi, kl. III, Arbnesh

Buzëqesh
Kur të jesh e trishtuar, buzëqesh
Sa herë të ndjesh nostalgji, buzëqesh
Sa herë të jesh e lënduar, buzëqesh
Kur të të braktisin, buzëqesh
Kur qielli të mbulohet nga errësira
ti prapë buzëqesh…
Buzëqesh…
Buzëqesh duke e ditur se mbas çdo vështirësie vjen lehtësimi
Buzëqesh duke e djegur armikun për së gjalli
Buzëqesh dhe tregoji botës se derisa të kesh
atë buzëqeshje në fytyrë
asgjë s’do të të mposhtë.

Emina Lika, kl. IX

Nëna
Thesar me shumë vlerë
Emri më i bukur në jetë
Lule që nuk gjendet mbi dhè
Është nëna që më dha jetë.
Dashuri që s’blehet me para
Gruaja që të jep edukatë
Ajo që kurrë s’të lë në një anë
Nëna, më e bukura dhuratë.
Blerim Maxhura, kl. VIII
Për ty
Për ty botën do ta ndryshoja
Hënën e artë ta vë kurorë
Me retë e bardha të qepi fustanin
Dhe zogjtë e malit t’i sjell dasmorë.
Një tufë lule shumëngjyrëshe
Nga kopshti magjik mbretëror
Unazën e artë prej rreze të diellit
Ta sjell nga qielli ty në dorë.
Ty, o princesha ime të ëndërroj
Flokët e tua si fije ari
Sytë e tu magjeps të zi
Vetulla si krahu i dallëndyshes
Buzët e kuqe si qershi.
Dhe një ditë kështu të imagjinoj
Në krahët e mi fort të shtrëngoj
Me yjet e natës të krahasoj
Nga dora kurrë s’do të lëshoj.

Irdin Ramusha, kl. IX

Topsheqeri im
O Omer, o topsheqer,
Një herë ikën, një herë vjen
Dua të të kam gjithmonë pranë,
Por ti banon në Tiranë.
O Omer, o topolak,
Eja ti të luajmë pak,
Bëjmë minare e ndërtesa
Nganjëherë bëjmë edhe ngatërresa.
Të kujtoj shpesh me mall,
Të puth faqe, të puth ball’
Të dua shumë, o çamarrok,
Eja të luajmë të dy tok.

Rumejsa Kaca, kl. IV, Ostros

Të fundit

më të lexuarat