Triumfon Rumejsa Tafa

Në kategorinë e shkollave fillore, vendin e parë e ka zënë Brejdina Rexha, nxënëse e klasës së tretë e shkollës fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, vendin e dytë Emanuela Jankoviq, nxënëse e klasës së shtatë e shkollës fillore “Marshall Tito” – Ulqin, kurse vendin e tretë Ermina Dragoviq, nxënëse e klasës së pestë e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros. Në kategorinë e shkollës të mesme, vendin e parë e ka fituar Liriona Mehmeti, vendin e dytë Sara Iljazi dhe Seida Bajraktari, kurse vendin e tretë Blerona Xhurreta, të tri nxënëse të vitit të tretë të shkollës së mesme “Vëllazërim Bashkim”

Ulqin – Nxënësja e klasës së pestë të shkollës fillore “Boshko Strugar”, Rumejsa Tafa ka fituar vendin e parë në edicionin e 17-të të Garave të recituesve të rinj për shkollat në komunën e Ulqinit, që janë mbajtur të shtunën mbrëma (1 qershor 2024) në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin. Ajo ka recituar poezinë e autorit Fatos Fidani “Pse nuk ha ti nënë?”
Në kategorinë e shkollave fillore, vendin e parë e ka zënë Brejdina Rexha, nxënëse e klasës së tretë e shkollës fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, vendin e dytë Emanuela Jankoviq, nxënëse e klasës së shtatë e shkollës fillore “Marshall Tito” – Ulqin, kurse vendin e tretë Ermina Dragoviq, nxënëse e klasës së pestë e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros.
Në kategorinë e shkollës të mesme, vendin e parë e ka fituar Liriona Mehmeti, vendin e dytë Sara Iljazi dhe Seida Bajraktari, kurse vendin e tretë Blerona Xhurreta, të tri nxënëse të vitit të tretë të shkollës së mesme “Vëllazërim Bashkim”.
Në edicionin e sivjetshëm kanë marrë pjesë 14 nxënës të shkollave fillore në Ulqin (“Bedri Elezaga”, “Boshko Strugar”, “Marshall Tito”) dhe Krajë (“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”) si dhe të shkollës fillore “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin.
Vlerësimi i garuesve është bërë nga juria në përbërje: Zija Vukaj, studiues dhe kritik letrar nga Shkodra, Sidorela Berishaj, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Tuzi (Malësia) dhe gazetarja Albana Kurti – Zeçeviq nga Ulqini.
Nxënësit fitues janë shpërblyer me diploma dhe të holla, ndërsa për të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe mësimdhënësit të cilët i kanë përgatitur ata Fondacioni “Studenti” ka dhuruar nga një libër.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka folur për punën 20-vjeçare të kësaj organizate.
“Për këto dy dekada ne kemi punuar së bashku për të ndihmuar të rinjtë dhe gjatë kësaj kohe kemi organizuar aktivitete të ndryshme, si tribuna me qytetarë, mbrëmje studentore, konkurse letrare, tryeza të rrumbullakëta, projekte për të rinj, veprimtari kulturore, shënimin e 70-vjetorit të kryetares së parë, znj. Syme Kokaj, tryezën për Covid 19 etj., por Garat e Recituesve të Rinj, qoftë në nivel lokal, qoftë me të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi, kanë qenë në plan të parë duke u munduar që këto t`i bëjmë tradicionale”, është shprehur ai.
Kovaçi ka njoftuar se në të ardhmen këtë fondacion do ta drejtojë Albiona Pali, e cila në fjalën e saj ka thënë se Fondacioni “Studenti” do të vijojë rrugën e deritashme duke punuar për të mirën e të rinjve.
Projekti i Garave të recituesve të rinj – Ulqin 2024 është mbështetur nga Komuna e Ulqinit në konkursin për organizatat joqeveritare për vitin e kaluar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat