Tuz – Manifestimi kulturor dhe zbavitës “Karnavalet-Koret” shënoi këtë vit tridhjetëvjetorin e ekzistencës së kësaj tradite.
Në këtë vit jubilar të karnavaleve në Malësi, Shoqata Joqeveritare “Karnevali-Koret” organizoi një program të pasur dhe të larmishëm përgjatë pesë ditëve (netëve), ndërsa u ndoqën nga një numër i madh qytetarësh nga mbarë Malësia.
Nata e parë e karnavaleve në Malësi, e cila u mbajt më 28 shkurt 2025 në QKI “Malësia”, filloi me natën e humorit dhe të satirës, ku grupe të shumta u paraqitën në skenë, duke trajtuar përmes humorit dhe satirës tematika dhe dukuri të ndryshme që ngjajnë në shoqëri.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës Joqeveritare “Karnevali-Koret”, Arton Gjokaj u shpreh se ky eveniment kulturor ka zënë një vend të veçantë në trevat tona dhe më gjerë, dhe se ai është më shumë se një festë e thjeshtë.
“Karnavalet janë një dëshmi e pasurisë kulturore, e bashkimit të qytetarëve nga të gjitha grupmoshat, që nga më të vegjlit e deri te të moshuarit. Është eveniment i shpalosjes së kreativitetit, teatrit, humorit, vizatimit, këndimit dhe artit në përgjithësi. Gjatë këtyre tri dekadave, kemi parë defilenë e shumë maskave, performanca të jashtëzakonshme dhe kreativitetin e pafund të qytetarëve tanë të cilët edhe sot e kësaj dite përmenden nëpër qytetet e karnavaleve”, është shprehur kryetari i Shoqatës Joqeveritare “Karnevali-Koret”, Arton Gjokaj.
Në këtë vit jubilar, ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për të realizuar dhe për ta shkruar këtë histori tridhjetëvjeçare, që nga vullnetarët, artistët, qytetarët, diasporën dhe institucionet që e kanë mbështetur karnavalin në Malësi përgjatë këtyre viteve.
“Ky 30-vjetor nuk do ndodhte po mos të ishit ju. E patjetër, më duhet të përmend edhe këshillin me të cilin udhëheq unë dhe që shtatë vite me radhë, në mënyrë vullnetare, si të gjithë të tjerët, kanë ndihmuar dhe përkrahur shoqatën, duke lënë shpeshherë keq edhe veten. Do të duhet të ishin të gjithë këtu me mua në skenë, sepse unë pa ndihmën e tyre nuk do kisha arritur ta realizoj asnjë mbrëmje e jo më shtatë karnavale me radhë. Le të vazhdojmë ta bëjmë këtë karnaval edhe më të bukur, më të ngjyrosur dhe më të gëzuar për të gjithë. Kjo është festa jonë – e gjithsecilit dhe për të gjithë”, theksoi mes tjerash Gjokaj.
Karnavalet në Malësi kanë vijuar me aktivitetin “Ballo nën Maska”, “Karnavalet për fëmijë”, “Natën e saragave”, ndërsa janë përmbyllur me natën finale “Djegia e shtrigës dhe program muzikor” (4 mars 2025), që u mbajt në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz, me pjesëmarrjen e mbi pesëmbëdhjetë grupeve nga vendi, qytetet bregdetare të Malit të Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bullgaria dhe Serbia.
Pas defilesë dhe prezantimit mbi dy orë të të gjitha ekipeve, të cilat u ndoqën nga qindra qytetarë, u bë si zakonisht djegia e “shtrigës”, ndërsa festa vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me argëtimin nga shumë këngëtarë vendas, të cilët sollën një atmosferë akoma më të ngrohtë për publikun.
Karnavalet nga viti në vit kanë arritur një popullaritet të madh jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon dhe më gjerë.
Manifestimi kulturor “Karnavalet-Koret” e filluan rrugëtimin tridhjetë vjet më parë (në vitin 1995) me synim që doket, zakonet dhe traditat e lashta të zonës së Malësisë t’i prezantojnë, afirmojnë dhe ruajnë në formë karnavali, si pjesë e trashëgimisë kulturore të Malësisë.
Organizata Joqeveritare “Karnevali-Koret” është anëtare e plotë e Shoqatës së Karnavaleve në Shoqatën Evropiane të Qyteteve të Karnavaleve (FECC).
t. u.