Tre autorë që i bashkon Ulqini, historia dhe e tashmja

Mbrëmja është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi dhe Qendra e Kulturës – Biblioteka e Qytetit – Ulqin dhe qëllimi i saj, siç ka thënë udhëheqësja e takimit Ardita Rama është “prezantimi i krijimtarisë së tre shkrimtarëve ulqinakë me një karakteristikë të përbashkët e që është boshti tematik i veprave të tyre: Ulqini dhe ulqinakët, historia dhe e tashmja”. Për tre autorët dhe krijimtarinë e tyre kanë folur shkrimtari Hajro Ulqinaku, publicisti Gazmend Çitaku dhe gazetari Ismet Kallaba

Ulqin – Krijuesit Dr. Gani Karamanaga, Ismet Karamanaga dhe Mustafa Canka ishin në qendër të mbrëmjes së krijuesve ulqinakë, të titulluar “Tre portrete”, e cila është mbajtur të mërkurën mbrëma (24 maj 2023) në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Mbrëmja është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi dhe Qendra e Kulturës – Biblioteka e Qytetit – Ulqin dhe qëllimi i saj, siç ka thënë udhëheqësja e takimit, njëherazi udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, është “prezantimi i krijimtarisë së tre shkrimtarëve ulqinakë me një karakteristikë të përbashkët e që është boshti tematik i veprave të tyre: Ulqini dhe ulqinakët, historia dhe e tashmja”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Salko Luboder, ka thënë se është i kënaqur të kontribuojnë në afirmimin e tre krijuesve të rëndësishëm në Ulqin.
“Ju ulqinakët e dini gjithsesi se sa meritorë janë këta tre persona për valorizimin e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe traditës së Ulqinit. Unë do të thoja se kjo nuk është e rëndësishme nga aspekti i kulturës, traditës së Ulqinit, por shumë më gjerë, tërë Malit të Zi dhe rajonit”, ka thënë ai.
Sipas Luboderit, tre krijuesit janë njerëz të cilët lënë “gjurmë me vlerë të arta që do të mbesin të pashlyeshme në traditën, historinë dhe kronikat e këtij mjedisi dhe tërë Malit të Zi”.
Për tre autorët dhe krijimtarinë e tyre kanë folur shkrimtari Hajro Ulqinaku, publicisti Gazmend Çitaku dhe gazetari Ismet Kallaba.
Shkrimtari Hajro Ulqinaku ka folur për krijimtarinë e autorit Gani Karamanaga, me profesion mjek, dhe njohjen e tij me të.
“Mora vesh se doktori ka në dorë dorëshkrimin e librit ‘Historiku i shërbimit shëndetësor në Ulqin’. Është kryevepra e doktorit, është vepër e profesionit të tij”, ka thënë ai.
Ulqinaku ka thënë se e ka ngacmuar vazhdimisht Karamanagën që të shkruajë dhe ai nuk ka hequr dorë nga të shkruarit duke botuar një mori librash të fushave të ndryshme.
“Kjo e hidhëroi doktorin, eksplodoi doktori dhe u shndërrua në një mulli që prodhoi libra. Dhe gjë e mrekullueshme që gjendet një ulqinak që merret me shkrime sikurse doktori”, është shprehur ai.
Ulqinaku ka folur edhe për librat e tjerë të Karamanagës.
“Vepra që më së shumti më ka zgjuar interesim është ‘Çinari i moçëm’, një libër në të cilin thotë të vërteta të cilat ulqinakët i kanë mbajtur të fshehura, s’ia kanë thënë kujt as në bodrum dhe doktori i ka nxjerrë në shesh të gjitha ato t’bame e t’pabame që i ka pësuar shqiptari”, ka theksuar ai.
Në vështrimin e tij për autorin Mustafa Canka, gazetar, publicist, aktivist ekologjik etj., publicisti Gazmend Çitaku ka thënë se ai është një njeri modest i cili parreshtur i përkushtohet bashkëjetesës dhe interkulturalizmit.
“Mustafë Canka si interkulturalist së pari mundohet ta rregullojë qytetin e vet e përmes tij edhe shtetin dhe mbarë shoqërinë. Si kontribues i shoqërisë civile, Mustafën e gjen në rendin e parë si në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ashtu edhe të mjedisit jetësor, peshqve, detit, Adës, Kripores, ullishtës dhe interkulturalizmit. Ai njëkohësisht është edhe kronist i kohës dhe dëshmitar i shumë proceseve dhe ngjarjeve që kanë ndodhur te ne”, është shprehur ai.
Çitaku ka thënë se ata që e njohin personalisht Cankën “e dinë se kanë të bëjnë me një optimist i cili trumbeton se pesimizmi dhe frika për të ardhmen janë aleatë të këqinj dhe se me të tillë nuk ka të ardhme të ndritshme”.
Gazetari Ismet Kallaba ka thënë se nuk mund të flasësh për krijimtarinë e Ismet Karamanagës nëse nuk e njeh mirë atë vetë, personalitetin e tij, sepse kjo është e lidhur drejtpërdrejt me krijimtarinë dhe librat e tij.
Ai po ashtu ka thënë se nuk mund ta imagjinosh Kalanë e Ulqinit pa Ismet Karamanagën. “Kalaja dhe ai janë një binom i pandarë, sepse sa herë që përmendet Kalaja e Ulqinit në mend të shkon, para së gjithash, Ismet Karamanaga. Kalaja për të është dashuri, ashtu si edhe vetë qyteti i Ulqinit. Të gjithë e duan vendin e vet, gjë që është e natyrshme, por tek Ismet Karamanaga kjo është më e theksuar, i kalon caqet e dashurisë së zakonshme. Kalaja dhe Ulqini janë burim frymëzimi për të, ndërsa librat e tij fryt i kësaj dashurie”, është shprehur ai.
Në fund të mbrëmjes, publikut të paktë në numër, në emër të tre krijuesve u është drejtuar Dr. Gani Karamanaga, i cili ka thënë se ajo çka i bashkon ata është se e duan vendin e tyre Ulqinin dhe se të gjitha veprat e tyre janë në dy gjuhë – shqipe dhe malazeze.
“Dhe kështu duke e respektuar këtë gjë, ne jemi të tre një shembull i bashkëjetesës në Ulqin, se në Ulqin gjithmonë është jetuar së bashku. Edhe në kohët e vështira, edhe në kohët e sotme, Ulqini është vend që nuk ka mundur të infektohet me sëmundjet e nacionalizmit ose ndodhjeve të këqija që kanë ndodhur në shumë vende të ish-Jugosllavisë, dhe ne tre në veprat tona kultivojmë Ulqinin, ndodhjet, historikun, dhe punojmë, shoqërohemi dhe jemi ata të cilët asnjëherë, as familjet tona, nuk kemi bërë dallime”, ka thënë ai.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat