Një copëz e rrallë e shpirtit të Ulqinit po fiksohet përjetësisht në një dokumentar që sjell aromat, shijet dhe kujtimet e një tradite që nuk gjen vend në shpejtësinë e kohës moderne, por që pikërisht për këtë arsye ka më shumë vlerë se kurrë. Dokumentari “Thesari gastronomik i Ulqinit”, i realizuar nga Shoqata për Promovimin e Ndërmarrësisë së Gruas “Kualiteti Lokal”, është më shumë se një projekt kulturor – është një mision për ruajtjen e identitetit, një akt dashurie për trashëgiminë dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Ulqin.
Në qendër të këtij dokumentari janë gratë e njohura të Ulqinit – të cilat nuk njihen vetëm për mjeshtërinë në kuzhinë, por edhe për rolin e tyre si ruajtëse të traditës. Japraku, bamja, pitet e shtëpisë, peshku “kapama”, sarajlija – nuk janë thjesht ushqime, por pjesë e historisë dhe zakoneve të një vendi që ka ditur gjithmonë të jetojë në harmoni me natyrën dhe rrënjët e veta.
Vjollca Lika – Çobaj, anëtare e shoqatës “Kualiteti Lokal”, thekson se çdo grua që mori pjesë në këtë projekt, nuk solli vetëm një recetë, por solli një histori.
“Recetat tona nuk janë të shkruara në libra, por janë ruajtur me kujdes në bisedat mes gjeneratave, në darkat familjare, në gëzimet dhe hidhërimet që bashkonin njerëzit rreth tryezës. Ky dokumentar është mënyra jonë për të thënë: kjo është pasuria jonë, dhe ia vlen të ruhet”, shprehet ajo, duke falënderuar zonjat Sabina Peshku, Amira Bushati, Medina Sulejmani, Nurije Taipi, Suzana Kovaçi dhe Fatime Bilali.
Në çdo detaj të dokumentarit – nga mënyra se si përgatiten përbërësit, deri te ritmi i ngadaltë i gatimit, ndjehet përkushtimi, respekti për natyrën dhe dashuria për traditën. Ushqimet e përgatitura përfaqësojnë atë që sot njihet si slow food – një filozofi që i kundërvihet ushqimit të shpejtë, duke promovuar produkte lokale, përgatitje të kujdesshme dhe ruajtje të shijes së vërtetë.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë projekt është përfshirja e gjeneratës së re. Naxhije Molla, një vajzë e re nga Ulqini, është një ndër ato që jo vetëm mori pjesë në realizimin e dokumentarit, por edhe bashkëbisedoi me gratë që ruajnë traditën.
“Ky projekt më bëri të kuptoj se ne, të rinjtë, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen pa e njohur të kaluarën tonë. Çdo recetë është një derë që hapet drejt historisë së familjes, të qytetit dhe të kulturës sonë. Më ka frymëzuar që të mësoj më shumë – jo vetëm për të gatuar si gjyshet tona, por për të kuptuar edhe pse ato e bëjnë në atë mënyrë”, thotë ajo.
Përfshirja e të rinjve në projekte të tilla është një hap strategjik që garanton vazhdimësinë. Aty ku nuk mbërrijnë librat e historisë, mbërrijnë përvojat personale dhe emocionet që lindin nga këto biseda ndërbrezash.
Zeqarije Sulejmani, gjithashtu anëtare e kësaj shoqate, thotë se Ulqini, me bukuritë e tij natyrore dhe historike, është tashmë një destinacion i dashur për shumë turistë. Por ajo që turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë sot janë përvojat autentike – ato që nuk mund të përjetohen askund tjetër. Në këtë kuptim, gastronomia lokale bëhet një pasuri që nuk matet me para, por me ndjenjë.
“Ne kemi një pasuri që shumë destinacione të zhvilluara turistike e kërkojnë me ngulm – autenticitetin. Dhe asgjë nuk është më autentike sesa një pjatë që të kujton fëmijërinë, që është përgatitur me përbërës vendas dhe me dashuri të pastër,” thotë ajo.
Përmes promovimit të këtyre pjatave, Ulqini ka mundësinë të vendosë veten në hartën e destinacioneve që ofrojnë atë që quhet “turizëm përjetues” – një formë turizmi ku vizitori nuk është vetëm spektator, por bëhet pjesë e kulturës vendase.
Dokumentari “Thesari Gastronomik i Ulqinit” nuk është vetëm një projekt kulturor – është një thirrje për të reflektuar, për të ruajtur dhe për të ndarë atë që kemi më të shtrenjtë. Në një botë që vrapon pas risive, Ulqini zgjedh të ndalet për një moment, të ulet në tryezë dhe të kujtojë çfarë e bën të veçantë.
Ky dokumentar realizohet me mbështetjen financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Popujve Pakicë.
Shoqata “Kualiteti Lokal” vazhdon të punojë në projekte që fuqizojnë gratë, ruajnë trashëgiminë kulturore dhe ndërtojnë ura mes brezave. Së shpejti, për publikun do të bëhet edhe përurimi zyrtar i dokumentarit.
D. Teliqi
