
Trashëgimia kulturore është trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë, të cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara tek gjeneratat e tashme me qëllim të kujdesit për të mirën e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale (të tillë si ndërtesat, monumentet, librat, veprat e artit dhe objektet e ndryshme), kulturën shpirtërore (të tilla si folklori, traditat, gjuha dhe njohuritë tradicionale), si dhe trashëgiminë natyrore (duke përfshirë peisazhet e rëndësishme kulturore).
Akti i qëllimshëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore për të ardhmen është i njohur si konservim (anglisht preservation).
Kur flitet për kulturën dhe arsimin është e pamundur të injorohet lidhja mes këtyre dy koncepteve. Nga njëra anë ka kulturë me simbolika dhe një gamë të pafund kuptimesh dhe përmbajtjesh; në anën tjetër
ekziston qenia njerëzore e aftë për të kuptuar kulturën, e aftë për të transferuar vlerat e saj në krijimin e kulturave të reja. Veprimi dhe komunikimi social janë fushat ku ndodh kjo përplasje konjitive e subjekteve me realitetin, në të cilat individi formon njohuritë e tij/saj në krijimin e imazhit të të botës, përmes së cilës ai/ajo realizon lidhje krejtësisht të reja dhe të ndryshme. Kështu është e mundur të përkufizohet kultura si një “rrjet ose një sistem i njohurive të akumuluara, zakonet, vlerat, besimet dhe modelet e sjelljes të cilat shërbejnë për të zgjidhur çështjen themelore – mbijetesën tonë” (Ogbu, 1989, f. 5).
Me ritmin e tashëm të jetesës dhe përdorimin e internetit pothuajse nga çdo moshë, sikur është zbehur dëshira rreth trashëgimisë kulturore. Për të mbajtur të gjallë trashëgiminë na duhet që të edukojmë brezin e ri. Prandaj si mësimdhënëse e shoh më së të nevojshme që lënda Trashëgimi kulturore të jetë lëndë e planprogramit mësimor të rregullt ose të pakten t’ju ofrohet nxënësve te lista e lëndëve zgjedhëse.
Këtë vit nga Instituti për Arsim i Malit të Zi janë ofruar lëndët: punëtori gjuhësore, bimët e shëndetshme, kimia përmes eksperimentit, gjeografi interesante, sporti për sportistë, etj.
Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë aftësimit të nxënësve në njohjen dhe përvetësimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të krijuara nga populli ynë dhe nga popujt e tjerë të botës.
Përmes lëndës Trashëgimi kulturore duhet të kemi për qëllim formimin dhe edukimin qytetar të brezit të ri, i cili duhet të njohë, të respektojë, të mbrojë dhe të pasurojë vazhdimisht vlerat më të spikatura të kulturës së vendit të tij dhe të vendeve të tjera në botë.
Shqetësues është fakti se sa pak nxënësit dinë për rrethin e vet duke u nisur nga monumentet historike, legjendat, këngë të djepit etj, në krahasim me brezin e moshuar dhe brezin që nuk jetojnë më, të cilët edhe pse nuk ishin të shkolluar kishin një bagazh të madh kulturor dhe vendin e vet e njihnin shumë mirë dhe kishin një krijimtari të pasur gojore.
Përmes lëndës së trashëgimisë kulturore nxënësit do të mësonin vlerat e lartpërmendura dhe do të ishin më të pasur nga ana kulturore.
Vend të rëndësishem kur është fjala te trashëgimia zënë edhe veshjet kombëtare të cilat te shqiptarët e Malit të Zi janë ruajtur me fanatizëm.
Me të drejtë Dr. Drita Statovci shkruan :”Veshja si element, si i kulturës materiale ashtu edhe i asaj shpirtërore, është veçanërisht interesante po qe se kihet parasysh se ajo është rezultat i një procesi shumë të gjatë të formimit krahas me zhvillimin e tij shoqëror-historik. Veshja popullore (e një treve) i nënshtrohet evolucionit historik sikundër edhe e tërë kultura meteriale. Veshjet popullore kanë evoluar, janë përsosur e transformuar në rrjedhën e një varg shekujsh. Në to mund të hasen elemente ose gjurmë të elementeve të ndikimeve të shumta kulturore në kontekstin e proceseve e ngjarjeve të ndryshme shoqërore-historike. Në origjinalitetin dhe autoktoninë e veshjeve popullore shqiptare mund të gjenden edhe ngjashmëri dhe gjurmë të kulturës së lashtë ballkanike dhe mediterane, të shumtën të kulturës ilire si dhe diç më pak të kulturës bizantine dhe asaj orientale e në kohën e fundit edhe ndikime të kulturës euro-perëndimore. Duke krahasuar elemente të ndryshme të veshjeve popullore shqiptare është arritur te konstatimi për ekzistencën e lidhjeve me kulturën e ballkanasve të lashtë dhe më pas me atë të ilirëve dhe kështu mund të shkohet prapa deri te faza e tyre fillestare”.
Të mësuarit, menduarit, dhe përhapja e njohurive në shoqëritë e organizuara, zhvillohen në institucionet arsimore. “Arsimi është një nga aktivitetet më komplekse dhe në të njëjtën kohë më të përgjegjshme njerëzore” (Rosiq, 2009, f. 19). Prandaj është e pamundur të vëzhgohen institucionet arsimore jashtë kontekstit kulturor, përtej korrelacioneve ndërmjet kulturës, edukimit dhe individit. Komar (2009) thekson: “Edukimi nuk mund të jetë pa një kornizë kohore,… nuk mund të jetë jashtë kohe,… edukimi është në thelb i përkohshëm” (Komar, 2009, fq. 297).
Për t’i bërë nxënësit të ndjeshëm ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore në mjedisin e tyre, praktika edukative duhet të ofrojë nxitje jo në formën e verbalizimit dhe asimilimit pasiv të fakteve, por nëpërmjet të mësuarit ndërveprues, integrues, duke krijuar kushte që u mundësojnë nxënësve të përjetojnë dhe jetojnë praktikisht trashëgiminë e tyre, një rrugë drejt njohjes përmes aktiviteteve autentike dhe përvojës së menjëhershme që nënkupton një interpretim krijues të realitetit dhe komunikim krijues (Stevanoviq, 2002).
Një perspektivë e tillë i trajton nxënësit jo vetëm si konsumatorë të vlerave kulturore, por edhe si krijues të kulturës dhe vlerave të saj të ardhshme; i qaset shkollës jo vetëm si një vend ku përgatitet për jetë kulturore, por edhe si burim kulture dhe qytetërimi, si dhe një promovues i një mënyre jetese kulturore dhe qytetëruese.
Rruga e mundshme drejt arritjes së qëllimit të edukimit ndodhet te koncepti i mësimdhënies dhe të nxënit integrues përmes “mësimdhënies me qendër veprimin” (Terhart, 2001).
Nxënësit duhet të ftohen të dalin nga klasa për të vëzhguar mjedisin, për të vëzhguar atë që i mahnitë, për të eksploruar duke vëzhguar, dëgjuar, prekur, shijuar dhe diskutuar për ngjyrat, format, përmasat, sipërfaqet, ritmet dhe kontrastet që ata perceptojnë, mësojnë dhe përjetojnë në një mjedis duke vëzhguar format e trashëgimisë. “Përvoja bazë e vëzhgimit dhe shikimit te fëmijët shënohen me qëndrime personale ndaj objekteve dhe mjedisit që fëmija vëzhgon. Gjatë këtij procesi shfaqen përvoja dhe emocione, përvoja të ndryshme shqisore dhe, bota reale shfaqet në imagjinatën e botës së fëmijës si një zbulim i një ekzistence të thjeshtë e të gëzueshme” (Kelava, 2006, f. 73).
Pra, lënda e trashëgimisë kulturore duhet patjetër të jetë pjesë e planprogramit mësimor dhe brumosja e nxënësve duhet të fillojë që nga kopshti dhe shkolla fillore e më gjatë.
