Trashëgimia, kultura dhe identiteti ynë

“Në këtë libër nuk bëhet fjalë vetëm për recetat. Ky libër ka diçka në vete, sepse të parët tanë, sidomos gratë, kanë pasur filozofinë e vet të jetës”, ka thënë Jasmina Hasa, njëra prej autoreve të librit

Ulqin – Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, të hënën mbrëma në mjediset e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin është përuruar libri “Kuzhina tradicionale e Ulqinit” i autoreve Hadixha Gjoni dhe Jasmina Hasa.
Të gjithë folësit kanë vlerësuar rëndësinë e këtij libri për ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë.
Njëra prej autoreve të librit, mësimdhënësja Jasmina Hasa, ka thënë se në këtë libër nuk bëhet fjalë vetëm për recetat.
“Ky libër ka diçka në vete, sepse të parët tanë, sidomos gratë, kanë pasur filozofinë e vet të jetës”, ka thënë ajo.
Hasa ka theksuar se punën në përgatitjen e librit e kanë bërë falë nënave, tezeve, vjehrrave, familjarëve të tjerë, “të cilat kuzhinën e kanë pasion dhe të cilat na kanë lënë receta, që vërtet me kohë kanë filluar të harrohen”.
Për autoren tjetër, Hadixha Gjoni, njëherazi nënkryetare e Komunës së Ulqinit, është e paimagjinueshme që sot Ulqini të mos ketë asnjë restorant tradicional.
“Mund të botohen një, dy, tre libra, veç ta kuptojë çdokush, qëllimi ynë është t’ia kthejmë edhe në atë formë traditën këtij vendi dhe begatinë turistike që duhet ta ketë”, ka thënë ajo.
Duke folur për pasionin e saj për kuzhinën, Gjoni ka thënë se për dikë është e pakonceptueshme se si një femër e cila ka profesionin e vet, aktivitetet e veta të shumta, e don kuzhinën me aq pasion.
Recensenti i librit, publicisti Mustafa Canka, ka thënë se aromat dhe shijet magjepsëse, “të cilat fatkeqësisht, dita-ditës vijnë duke u rralluar, me dashuri dhe pasion kanë tentuar që t’i përmbledhin dhe ruajnë në këtë libër Hadixha Gjoni dhe Jasmina Hasa”.
Sipas tij, ato ia kanë arritur qëllimit, duke e shënuar në këtë mënyrë veten në analet e këtij qyteti me traditë mijëravjeçare.
“Këto vepra na nevojiten jo vetëm për ruajtjen e traditës sonë të bukur, por edhe për faktin se vetëm turizmi që është interesant, i llojllojshëm, me shpirt, mund të ketë sukses. Mysafirët sot kërkojnë të përjetojnë kulturën dhe përvojën lokale”, ka thënë ai.
Recensenti tjetër i librit, shkrimtari Muzafer Çaushi, ka thënë se librat e këtillë janë një thesar i vogël.
“Mes kopertinave të këtij libri janë ruajtur të gjitha ato aromat, erërat, shijet që i kemi marrë qysh se kemi qenë fëmijë, nostalgjia, kuzhina më e mirë për mendimin tim dhe të shumicës. Aty është trashëgimia jonë, kultura jonë, identiteti jonë i ruajtur”, ka thënë ai.
Ai ka lexuar disa fragmente nga tregimi i tij i titulluar “Kalendari i nanamadhes”, që është pjesë e librit, ku në të folmen e Ulqinit përshkruhet dialogu i nuses me vjehrrën mbi ushqimin dhe kuzhinën.
“Ky tregim është një homazh i vogël i të gjitha atyre, një përmendore e vogël që të mos harrohen ato gra që kanë jetuar për kuzhinë dhe për familjet e veta”, ka thënë Çaushi.
Njëri prej redaktorëve gjuhësorë të librit, gazetari Ismet Kallaba, ka thënë se libri “Kuzhina tradicionale e Ulqinit” është dëshmi e pasurisë së madhe dhe llojllojshmërisë së ushqimeve të kuzhinës ulqinake.
“Libri është edhe një thirrje për t’iu rikthyer traditës, e cila ashtu si krijohet edhe humbet.
Është një thirrje ndaj të gjithë atyre që merren me gastronomi apo kulinari, që medoemos ta bëjnë kuzhinën e Ulqinit pjesë të menysë së restoranteve të tyre”, ka thënë ai.
Moderatorja e përurimit, udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, ka thënë se libri “Kuzhina tradicionale e Ulqinit” paraqet një enciklopedi të vërtetë të recetave tradicionale ulqinake, të përcjella me foto.
“Kur e shfletova për herë të parë, më befasoi larmia e recetave të grumbulluara, disa prej të cilave i lexoja për herë të parë. Duke i shënuar në këtë libër, autoret i ruajtën nga harresa mu këto receta jo fort të njohura, por edhe ato të përditshmet që dalëngadalë po zëvendësohen me gatime ‘moderne’”, ka thënë ajo.
Autoret kanë falënderuar të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në realizimin e librit, duke u dhënë një recetë apo në forma të tjera.
Libri është botuar nga Instituti për Politikën Gjinore “Dulcinea”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Komunës së Ulqinit, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale” – Ulqin.
Përurimi i librit është organizuar nga Instituti për Politikën Gjinore “Dulcinea” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit – Qendrën e Kulturës – Ulqin.
Në fund të përurimit, autoret kanë ndarë libra falas për të gjithë pjesëmarrësit. Po ashtu, në hollin e Qendrës së Kulturës është shtruar koktej me ushqime tradicionale.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat