Trajtim i temave dhe situatave aktuale të përditshmërisë sonë

Regjisorja tregon se ajo është mbështetur në skenarë të disa autorëve italianë, por e ka përshtatur tekstin duke futur edhe të folmen lokale për ta bërë sa më të kapshëm për publikun vendas. “E bukura e këtij teksti është se nuk ka kufizime dhe shumë regjisorë të filmit e kanë realizuar film. Unë, pasi arrita të gjej tekstin, e adaptova sipas konceptit tim regjisorial, sipas situatave në qytetin tonë dhe së folmes sonë”, shprehet ajo

Komedia “Buongiorno”, e shfaqur në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin ditë më parë (25 shkurt 2025), i ka tejkaluar pritshmëritë e organizatorit, por edhe të publikut nisur nga fakti i numrit të tyre, ku ka qenë “luks” të gjesh një karrige.
Në këtë shfaqje, prodhim i Teatrit “Teuta”, e vënë në skenë nga regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu, rolet kryesore i luajnë Bashkim Alaj, Blerta Kurti, Musa Hoxha, Albana Kurti – Zeçeviq, Edis Luka, Amra Demiri dhe Arbër Seferi, ndërsa skenografinë dhe kostumografinë e ka realizuar Jetmira Hoxha.
Komedia “Buongiorno” trajton tema dhe situata aktuale të përditshmërise sonë, duke
filluar nga jeta e dyfishtë e shoqërisë, intrigat, bullizimi. Ajo përshkruan shoqërinë
e katër miqve, bashkë me partneret e tyre, të cilët besonin se dinin gjithçka për
njëri-tjetrin, por në fakt rezultoi që është e kundërta.
Duke u bazuar në një realitet i cili na përcjell dita-ditës, kjo shfaqje përmes sarkazmit
dhe situatave komike paraqet një realitet të hidhur të vërtetë në të cilin ndodhet sot shoqëria
jonë.
E kënaqur pas suksesit që pati kjo shfaqje dhe pritjes mirë nga publiku në Ulqin, regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu rrëfen përshtypjet e saj dhe tregon se si lindi ideja për vendosjen në skenë të kësaj vepre.
“Shpesh vizitojmë teatrot e rajonit për të përcjellë temat/mesazhet që trajtohen ditëve të sotme, dhe kështu të jemi edhe ne në hap me të tjerët. Ka qenë pikërisht një shfaqje e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi e cila më nxiti të hulumtoj më gjatë për të gjetur skenarin dhe për të menduar çdo detaj deri te vënia në skenë e kësaj drame”, shprehet ajo.
Skenari është një tekst botëror, që është vënë në skenë në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe disa qytete në rajonin tonë, si dhe është realizuar edhe si film. Regjisorja Mustafiq – Avdiu tregon se ajo është mbështetur në skenarë të disa autorëve italianë, por e ka përshtatur tekstin duke futur edhe të folmen lokale për ta bërë sa më të kapshëm për publikun vendas.
“E bukura e këtij teksti është se nuk ka kufizime dhe shumë regjisorë të filmit e kanë realizuar film. Unë, pasi arrita të gjej tekstin, e adaptova sipas konceptit tim regjisorial, sipas situatave në qytetin tonë dhe së folmes sonë”, shprehet ajo.
Edhe titulli i shfaqjes mban emrin e një caffe bari të njohur në Ulqin.
“Situata e cila ndryshon rrjedhën e shfaqjes ndodh pikërisht në një lokal/kafene. Që të jetë sa më aktuale dhe e përditshme për publikun tonë, vendosa ta ndërlidh me një nga lokalet më të frekuentuara nga rinia jonë, e që është pikërisht ‘Buongiorno’, të cilët i falënderojmë për bashkëpunimin. Duke marrë parasysh se edhe autorët e tekstit janë italianë, atëherë u përshtat edhe më shumë titulli i shfaqjes”, rrëfen regjisorja.
Provat për vënien në skenë të shfaqjes kanë filluar në muajin tetor të vitit të kaluar, por ato janë ndërprerë për shkak të angazhimeve të tjera të disa aktorëve.
“Me vullnetin e mirë të tyre dhe dashurinë që kanë ata për skenën, arritëm që procesi i realizimit të kësaj shfaqjeje të vazhdojë dhe kështu pas dy muajsh arritëm deri në finalizim të projektit”, thotë Mustafiq – Avdiu.
Megjithëse shumica e aktorëve janë amatorë, regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu është tejet e kënaqur me lojën e tyre. Sipas saj, ata i janë përshtatur roleve të tyre duke përcjellë më së miri mesazhet dhe emocionet e shfaqjes te publiku.
“Aktorët dhe ballafaqimi i tyre me tekstin/temat, ka qenë po ashtu siç edhe ne jemi në përditshmëri, ku mundohemi t’i fshehim gabimet tona dhe t’i zbusim. Por unë jam munduar që maksimalisht t’i qëndroj konceptit regjisorial dhe vendosa që këta personazhe t’i zhvesh dhe t’i trajtoj ashtu siç edhe ne jemi në përditshmërinë tonë”, thotë ajo.
Regjisorja është mirënjohëse edhe për publikun, i cili e ka pritur shfaqjen më mirë sesa ajo e kishte menduar.
“Kam qenë skeptike, sepse temat që i trajton shfaqja janë tabu dhe të pabiseduara më parë kaq haptazi”, thotë ajo.
Aktorja Blerta Kurti, e cila në shfaqje luan një prej roleve kryesore, thotë se nuk e ka pasur të vështirë ta përvetësojë rolin “pavarësisht se secili rol ka peripecitë e veta, derisa arrin që mos ta ndiesh më si rol, por sikur çdo gjë është reale dhe po luan faktikisht jetën tënde”.
Në karrierën e saj ajo ka luajtur në disa role, por e veçanta e rolit në shfaqjen “Buongiorno” është se duhet të luante rolin e një zonje të sofistikuar.
“Pavarësisht fasadës prej një zonje, kisha dhe unë një anë të fshehtë, të ‘errët’ le ta quaj. Kështu, dhe kjo ndoshta e ka bërë të jetë pak më ndryshe”, shprehet Kurti.
Aktorja nuk ka dëshirë të flasë shumë për lojën e saj në këtë shfaqje pasi që thotë se nga natyra është vetëkritike dhe gjithmonë kërkon më tepër prej vetes, ndërsa shpreh mirënjohje për publikun.
“Unë si tip jam shumë kërkuese dhe të them të drejtën, në fund të çdo premiere them që kam pasur mundësi të jap më shumë dhe gjithmonë i bëj një autokritikë vetes. Por këtë do ia lëmë kohës dhe mundësive të tjera për shfaqje më të mira akoma. Sa i përket publikut, dua t’i falënderoj me gjithë shpirt. Ju jemi shumë mirënjohës për përkrahje dhe duartrokitje zemre. Ne jemi kaq pak dhe na duhet po aq pak përkrahje e dashamirësi që të na frymëzojnë për shfaqje më të bukura, akoma më me profesionalizëm. E kam thënë dhe e rithem: ne tashmë kontratën e kemi bërë. Ne ju falim kënaqësi, të qeshura deri në shpirt e ata neve duartrokitje zemre. Mirënjohëse të gjithëve që ishin atë natë dhe kërkim falje atyre që nuk munden dot ta shijonin shfaqjen për shkak që salla ishte e tejmbushur”, thotë aktorja Blerta Kurti.
Edhe regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu u kërkon ndjesë atyre që kanë mbetur jashtë natën e shfaqjes, por premton se ajo do të shfaqet përsëri në Ulqin. Në planin e tyre është edhe shfaqja e kësaj pjese edhe në ndonjë qytet të rajonit.
“Do na duhet me patjetër ta përsërisim edhe një herë në Ulqin, duke vazhduar më pas në Tuz, si plani më i afërt. Pastaj sapo të kemi mundësi, kemi dëshirë të rrugëtojmë në qytetet e rajonit”, thotë ajo.
Realizimi i kësaj shfaqjeje është mbështetur nga Komuna e Ulqinit, në kuadër të konkursit për organizatat joqeveritare, si dhe nga shumë institucione dhe sponsorë të tjerë.
“Mirënjohje për institucionet/sponsorët, të cilët edhe një herë besuan në punën tonë dhe përkrahën realizimin e këtij projekti”, thotë regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu.
Shfaqja “Buongiorno” ka treguar edhe një herë se Ulqini e don teatrin dhe ka nevojë për të.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat