
Në fillim të muajit janar të këtij viti (2025), doli nga shtypi libri me titull “Studime tiflopedagogjike – përvoja dhe hulumtime” i autorit Enver Ulaj, shkrimtarit, publicistit, gazetarit, pedagogut dhe përkthyesit nga fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë, i cili jeton, punon, vepron dhe krijon në qytetin e Pejës, i punësuar dhe i ngarkuar me shumë detyra profesionale në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda”, Pejë, ish-Shkolla speciale për të verbër “Xheladin Deda”.
Librin në fjalë e botoi QBMK “Xheladin Deda”, redaktor i të cilit është Ahmet Mahmutaj, recensent Xhavit Kastrati, lektor Nexhmedin Beqiraj, redaktor teknik Xhavit Thaçi, ballina Berat Thaçi, bazuar në punimet e nxënësve të verbër, publikimi i të cilit u financua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës në kuadër të Programit për mbështetjen e librit dhe autorëve. U shtyp në shtypshkronjën “PAB Advertising” – Pejë dhe përbëhet prej 362 faqesh.
Tekstin e përmbajtjes së librit autori Ulaj e ka ndarë, radhitur dhe sistemuar në tri pjesë të shpërndara në gjithsej 20 trajtesa shtjelluese:
Pjesa e parë (I): Edukimi i personave të verbër në tetë trajtesa shtjelluese; Pjesa e dytë (II): Personat me aftësi të kufizuara dhe media në katër trajtesa shtjelluese; dhe Pjesa e tretë (III): Jeta e personave të verbër në Kosovë në tetë trajtesa shtjelluese, të gjitha të konkretizuara, demonstruara dhe prezantuara me një vistër skicash, tabelash, ilustrimesh e fotografish.
Parathënia e librit në fjalë fillon me të dhënën prej se autori ka filluar punën për herë të parë si mësimdhënës në shkollën, që në atë kohë quhej Shkolla Speciale për të Verbër “Xheladin Deda”, më se dy dekada më parë në shtator të vitit 2003, në mend e ka pasur si dhe çfarë mund të bëjë më shumë sesa mësimdhënia në këtë institucion. Në atë kohë nuk kishte pothuaj asnjë përvojë me personat e verbër. Shkollimin që e kishte ndjekur më parë, as për një herë të vetme nuk e kishte parashikuar mundësinë që ai, i diplomuar si profesor i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, mund të soste një ditë në një shkollë me nxënës të verbër dhe me dëmtime në të parë. Në shkollë, as në ministri nuk gjeti asgjë të shkruar për të udhëzuar mësimdhënësit dhe kuadrin tjetër të ri të punësuar në institucion.
Një libër i vjetër i vitit 1968, i autorit Vilhelm Hajmers, i përkthyer nga gjuha gjermane në vitin 1986, për punën me persona të verbër dhe një pasqyrë të gjendjes së personave të verbër në Kosovë gjatë viteve ‘70 nga Fehmi Pushkolli, nuk ishin ndonjë ndihmesë në punën edukativo-arsimore me personat e verbër. Përvoja duhej krijuar vetë, nga përballjet, ngritjet dhe rëniet gjatë procesit arsimor, nga udhëzimet e kolegëve më me përvojë dhe nga ato që shihte në institucione të tjera.
Njëzet vjet më vonë, në kuadër të institucionit, jashtë tij dhe me angazhimet personale të mësimdhënësve, janë disa faqe të shkruara lidhur me edukimin dhe arsimimin e personave të verbër, për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë në këtë fushë. Ky libër është edhe një kontribut shtesë pikërisht për këta njerëz dhe ofron përvojën dhe studimet e autorit personalisht në këtë fushë.
Nga viti 2011, pas kthimit nga vizita në qendrën Ganspoel në Belgjikë dhe bazuar në modelin e tyre, në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda”, autori i librit, Enver Ulaj me bashkëpunëtorë kanë themeluar disa njësi të reja të nevojshme për institucionin, që tashmë ishte shndërruar në një qendër burimore ambicioze.
Autori Ulaj ishte i nderuar me përgjegjësi të jetë themelues dhe udhëheqës i tri prej atyre njësive: Qendrës së trajnimeve të ekipit për publikimin e materialeve dhe Koordinimin me publikun dhe donatorët. Angazhimi në fjalë Ulajt i ka dhënë mundësi të mrekullueshme për të parë shumë përvoja mësimi në shkollat e Kosovës, rajonit dhe më gjerë nëpër Evropë e SHBA, të përgatisë materiale bashkë me kolegët e vet për trajnimet, artikujt, kumtesat dhe prezantimet brenda dhe jashtë vendit. Me etjen për sa më shumë materiale lehtësuese për mësimdhënësit e Qendrës Burimore, që pati prej ditës së parë të punës në këtë shkollë, angazhimet e cekura Ulajt i mundësuan të përgatisë dhe prezantojë materiale të shumta që u kanë shërbyer në punën e tyre.
Autori i librit në fjalë, Enver Ulaj, në tekstin e parathënies thekson se në Qendrën e Trajnimeve kanë përgatitur, licencuar dhe ofruar trajnime në më se dhjetë tema të fushës së angazhimit dhe punës me persona të verbër dhe në përgjithësi me personat me aftësi të kufizuara. Nga këto programe trajnimi kanë përfituar mijëra veta në Kosovë dhe jashtë saj.
Edhe në Njësinë e përgatitjes dhe publikimit të materialeve mësimore, në diçka më shumë se një dekadë janë publikuar rreth 3.000 faqe punime për punën me personat e verbër, përfshirë librat e serisë me katër pjesë “Edukimi i fëmijëve të verbër”, libra të tjerë kushtuar çështjeve specifike të edukimit gjithëpërfshirës në Kosovë, përkthime, hulumtime, kumtesa, artikuj, broshura, udhëzues dhe doracakë të temave të ndryshme, konfirmon autori Ulaj në tekstin e parathënies së librit. Koordinimi i mirë me donatorët dhe mbështetja e sinqertë e disa organizatave dhe MASHT-i, krijuan mundësi për këto publikime, hulumtime dhe vizitat studimore që kanë shërbyer së tepërmi në punën e tyre.
Përvojën e vet në koordinimin dhe zbatimin e punës së mësipërme, autori Ulaj e ka bartur në këtë libër. Bashkë me përvojën e vizitave në institucione të ndryshme arsimore në mbi 20 shtete të botës, ku shkollohen fëmijë me aftësi të kufizuara.
Autori Enver Ulaj me admirim thekson se përgatitja e këtij libri ka qenë një punë e vështirë dhe sfiduese që e ka ndjekur një kohë të gjatë. Bashkë me dilemën se si mund të futen mes dy kopertinave tekste të shkruara në situata dhe për nevoja të ndryshme, shtruar me qasje dhe me kërkesa të ndryshme. Edhe përmbajtja dhe zhanri i teksteve ishte i ndryshëm – ka pasur aty punime shkencore, artikuj e kumtesa, përshtatje të teksteve ekzistuese për t’i bërë më të kapshme dhe më të qasshme për mësimdhënësit dhe prindërit, si dhe materiale që në përmbajtje mund të quheshin edhe thjesht dokumente.
Lidhur me përmbajtjen e tekstit të librit, autori Ulaj me përkushtim bën me dije se njëzet trajtesat e përfshira në këtë botim, edhe pse kanë të përbashkët vetëm faktin se trajtojnë përvoja me personat e verbër në Kosovë, për nga përmbajtja dhe forma janë tërësisht të ndryshme. Nëntë prej tyre janë punime autoriale, të përgatitura si udhëzues, artikuj e kumtesa për nevoja të ndryshme gjatë punës profesionale në institucion, pesë prej tyre janë hulumtime, tri janë shkruar në bashkautorësi, tri-katër të tjera autori Ulaj i ka krijuar i angazhuar si ekspert nga organizata të ndryshme, duke pasur mbështetjen nga grupe profesionistësh që kanë qenë në shërbim të projektit, kurse dy prej tyre janë vetëm përshtatje të materialeve të autorëve apo programeve ekzistuese të hartuar nga të tjerët që autori i ka përshtatur për nevojat e mësimdhënësve në shkollat e Kosovës. Arsyeja pse autori Ulaj i ka futur të gjitha në një botim është e thjeshtë: Ai ka dashur që mësimdhënësve, prindërve dhe të gjithë atyre që kanë mungesë literature në gjuhën shqipe t’u ofrojë sa më shumë nga materialet që kanë pasur në dispozicion si një ndihmë e vogël në punën e tyre të vështirë. (vijon)