Për Koha Javore: Vilhelme Vrana Haxhiraj
-Çfarë masa ligjore u morën nga organizmat evropiane, rajonale dhe nd/kombëtare ndaj krimeve monstruoze të shfarosjes etnike të shqiptarëve të Çamërisë dhe të Kosovës? Si nuk thuhet një fjalë për gjenocidin shfarosës të diktaturës komuniste në Shqipëri? Çuditërisht këto krime të bëra në grupime nga shovinizmi grek dhe serb u anashkaluan, kur duhej bërë një Nuremberg. Pa u gjykuar asnjë shtet që shkaktoi mijëra krime dhe dhunime, atyre u hapën dyert e demokracisë,u dhanë ndihma humanitare nga FMN (fondi monetar botëror) dhe e kanë rrugën të hapur për t’u anëtarësuar si në të gjitha organizmat nd/kombëtare dhe në BE. Kurse Shqipëria nuk i plotëson kushtet e vendosura nga BE.
Zotërinjtë ambasadorë të akredituar në Shqipëri, Arsyeja qëndron tek keqtrajtimi që i është bërë kombit më të lashtë, duke u dhënë liri shteteve fqinje Greqisë dhe Serbisë që të shijnë mbi shqiptarët.
Një gjë nuk është e qartë se, cili ishte fajtori për krimet monstruoze, për varrezat masive të Hanit të Hotit, të Srebenicës, Ulqin-Tivarit etj?! Rënkon Toka e Çamërisë dhe e Kosovës nga gjaku i pa terur i shqiptarëve të masakruar. U mbush Shqipëria e bukur dhe e pasur si mbitokë e nëntokë plot me varre pa emër. Ky vend i lashtë u shndërrua në një burg gjigand ku kishte vetëm rojtarë dhe të burgosur. Si ka mundësi që Fuqitë e Mëdha (tutore të vendeve të vogla që vinin nga kampi lindor i socializmit), lejuan në vendin tonë që drejtimin e pushtetit, politikës dhe diplomacisë që kishin lënë baballarët, e morën bijtë dhe nipat e tyre, duke ndërruar vetëm flamur dhe përdorën disa emërtime bashkëkohore, se gjysma paskan ndryshuar.
Jo zotërinj, jo. Bijtë e diktaturës e duan kapitalizmin, por me marksizëm-leninizmin në gji…Deri dje (nga 1941-1990) diktatura komuniste shqiptare, ndërtoi 750 000 bunkerë, ndërkohë që shqiptarët flinin katër kurora në një apartament. Vallë nuk i dinin Fuqitë e Mëdha këto shkelje të të drejtave të njeriut në familjen shqiptare?! Shqiptarët e ndërgjegjshëm që i përqafuan lëvizjet demokratike në vend, nuk kuptojnë një gjë, punonjësit e Sigurimit të Shtetit që kryen për gjysmë shekulli krime makabre, meritonin të jepnin llogari e t’i nënshtroheshin drejtësisë Çuditërisht ata ishin të parët që zunë vendet kapitaliste dhe imperialiste që urrenin deri dje. Ndërsa sot janë bërë shtetas amerikan. Ata përfaqësojnë të persekutuarit në parlamentin shqiptar, janë përfaqësues diplomatikë nëpër botë dhe në organizmat Evropiane.
Shkëlqesi të diplomacisë botërore në Shqipëri, mos luani rolin e tutorit dhe as të guvernatorit, as të drejtoni me shkopin magjik, por duhet të jeni këshilltarë të matur, miq të mirë dhe të sinqertë që ia doni të mirën Shqipërisë që po shpërbëhet dhe shqiptarit. Diplomacia e huaj duhet të jetë asnjanëse në përkrahjen e partive politike në vend.
Fuqitë e Mëdha dhe Diplomacia Botërore në vendin tonë duhet të kenë parasysh këto gjëra që tham dhe si më poshtë…
Të ndëshkuar padrejtësisht nga lufta e klasave, gjysma e shqiptarëve u vranë pa gjyqe, u burgosën, u internuan si individ, si familje, si fis dhe nga njëherë edhe si krahinë, atëherë pse u lanë në heshtje nga evropianët? Jetët e humbura dhe dhunimet shtazarake të femrave shqiptare nga serbët nuk mund të tolerohen dhe jo më të harrohen. Ajo që të lë pa mend është se nga këto dy shtete, njëra është anëtare e BE, kurse tjetra kandidate…pra janë parë me syrin e nënës. Pse Fuqitë e Mëdha e shohin Shqipërinë me syrin e njerkës?
Përsa i përket Ballkanit të Hapur “open Balcan”, kjo është histori e vjetër, e cila ka nisur në vitin 1946 me krijimin e Republikës së Shtatë Jugosllave, (marrëveshja Tito-Enver Hoxha),i cili pasi i dorëzoi Greqisë, Çamërinë, kurse Kosovën ia shiti Jugosllavisë, donte ta shkrinte kombin më të lashtë në kontinent. I jap të drejtë Kryeministrit Albin Kurti, që pa u shlyer fajet dhe krimet ndaj Kosovës, nuk mund të ketë bashkëpunim paqësor në Ballkan. Ballkani i hapur është një marrëveshje interesash vetjake të ngushta mes politikanësh. Serbia me çdo kusht kërkon dalje në det. Ishte shkaku që synimet i ka nisur qysh me vrasjen e djalit të Franc Jozefit që u bë pretekst për Luftën e Parë Botërore.
Zotërinj të organizmave ND/kombëtare keni bërë shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, sidomos SHBA, por mos harroni se këto dy shtete të një kombësie, bëjnë pjesë në hartën gjeo-politike të Evropës, por portat për të hyrë në të janë të mbyllura me tutius… Arsyet kërkojini te vetja, jo tek ne, sepse shqiptarët ende mbijetojnë për shkak të politikave të paafta, apo të mbrapshta të çdo ngjyre. Secila nga forcat politike ka fajet dhe përgjegjësitë e veta, si:
Mungesa e transparencës së politikanëve dhe shtetarëve, sorollatjet e administratës së fryrë për një grusht shqiptarësh të papapunë, deliri i madhështisë e drejtuesve të politikes së çdo ngjyre, euforia e parakohshme që kanë çuar në disfatë fatale. Katastrofë për vendin janë kandidaturat e çdo force politike apo shtetërore, të cilat emërohen sipas opinionit të kryetarit me të vetmen synim që të jenë vegla të pushtetit që të vet, si në çdo parti dhe në pushtet, madje në çdo nivel institucional dhe partiak… Në vend mbizotëron gënjeshtra, mashtrimi, marrëveshjet ndërshtetërore antikombëtare tejet tinëzare, korrupsioni, banditizmi si, metoda apo mënyra të përdorura për të nënshkruar tradhtinë e kombit vetëm për interesa personale. Të gjitha këto makinacione me fasadë farse, bënë që shqiptari i zhgënjyer ka ngelur në udhëkryqet e politikave të mbrapshta, në kurthin e manipulacioneve, trafiqeve të shumëllojshme. Edhe ata që u ngritën të parët për një demokraci të tipit perëndimor kanë humbur shpresën, humbën besimin në të ardhmen kur shohin që është instaluar një diktaturë neokomuniste në vend. Si pozita dhe opozita shqiptare duhen t’i vënë gishtin kokës se po mpaket, po plaket kombi dhe ndërgjegjja kombëtare ka humbur rrugën e Shqiptarizmit. (Fund)
