Thirrje për të respektuar të drejtat e fëmijëve

Tuz – Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq, u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që ndodhen në pozita të rëndësishme, që të krijojnë ligje dhe politika për realizimin e të drejtave të fëmijëve, përkatësisht që të drejtat e fëmijëve të garantuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara, të jenë prioritet i agjendës së tyre të punës.
Këtë apel znj. Deceviq e bëri me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, e cila u mbajt në QKI “Malësia” në Tuz, me pjesëmarrje të nxënësve dhe mësimdhënësve të SHF “Mahmut Lekiq” dhe të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji”.
“Së pari mendoj për ndërtimin e shoqërive të shëndetshme ku investohet në fëmijë që nga mosha e hershme, dhe me këtë nënkuptojmë një sistem shëndetësor i cili e përkrah fëmijën dhe familjen në çdo aspekt. Siç duket, situata me Covid-19 është duke lënë pasoja të mëdha në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët, dhe prindërit kanë nevojë për mbështetje më të madhe e informim më të mirë, jo vetëm për realizimin e të drejtave në shëndetësi, por edhe në ofrim më të suksesshëm të shërbimeve sociale dhe të atyre edukative”, u shpreh Deceviq.
Ajo theksoi se shkollat duhet të jenë vendet ku nuk bëhen dallime në mes të bashkëmoshatarëve për arsye të pozitës sociale, përkundrazi, vende ku çdo fëmijë duhet të ndjehet i mirëseardhur, dhe ku janë krijuar kushtet për pjesëmarrje të barabartë.
“Të drejtat e fëmijëve nuk duhet vetëm të festohen, por duhet të trajtohen dhe të realizohen atëherë kur fëmijët kanë më së tepërmi nevojë”, u shpreh ndër të tjera znj. Deceviq.
Ky aktivitet me tematikë “Kam të drejtë për çdo gjë”, shpalosi një program letrar e zbavitës, ku u lexuan poezi dhe pati performancë në piano nga nxënësit e pranishëm, të cilët më pas e hapën ekspozitën me punime të tyre kreative.
Shënimi i Ditës Botërore të Fëmijëve u organizua nga OJQ “Fëmijët e Malit të Zi”, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit, SHF “Mahmut Lekiq”, Shkollën e Mesme të Përzier “25 Maji”, QKI “Malësia” dhe OJQ “Arigatou Internacional”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat