
Një ndër familjet e moçme ulqinake është edhe ajo Beci. Kemi të bëjmë me një familje të ndarë dysh që nga koha e rënies së Ulqinit (1880). Pra, një pjesë e kësaj vëllazërie jeton në Shqipëri kurse pjesa tjetër në Ulqin, Mal të Zi. Duke iu referuar studiuesit shkodran Hamdi Bushatit dhe veprës së tij “Shkodra dhe motet”, si dhe Eqrem Becit “Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit”, e ata duke iu referua tradites gojore, tregojnë se kjo vëllazëri për shkaqe gjaku, ka lëvizur në shekullin XVII nga Pecajt (Dukagjin) në drejtim të Krajës. Në këtë kohë ata vendosen atje dhe themelojnë fshatin Bes ku rrinë shkurt dhe sërish shpërngulen dhe përfundimisht vendosen në Ulqin.
Ardhja e tyre në Ulqin përcillet me rimëkëmbje ekonomike. E që në periudha të ndryshme kohore përveç si pronarë tokash e ullishtash i gjejmë edhe si pronarë të shumë anijeve me tonazhe të ndryshme. Të dhënat e para historike për pjesëtarë të familjes Beci i hasim në Luftën e Kënicës (1862) ku spikatet Halit Beci i cili së bashku me nipin (Mehmet Becin) përmenden në këngën që ia ka kushtuar gjeniu popullor kësaj lufte.
“Halit Beci shkrep më shkrep
Ai të nipit po na i thrret:
Del e shih trimat e shkretë
Sotermanit kah shkojnë përpjetë,
Në Kërnicë janë nisë me dekë!”.
Me këto vargje si dhe me ngjarjet e mëvonshme historike do vërtetohemi në përkushtimin dhe sakrifikimin jo vetëm të pasurisë familjare por edhe kontributin në çështjen kombëtare duke marrë pjesë në rreshtat e parë të luftës jo vetëm si luftëtarë por edhe si udhëheqës të denjë për mbrojtjen e qënies kombëtare shqiptare. Pinjoll i kësaj familje është edhe Mehmet Beci (1830-1907) i cili së bashku me Mehmet Bet Gjylin udhëhoqën ulqinakët në luftën për mbrojtjen e Ulqinit (1878-1880). Studiuesi Bushati na sjell të dhëna interesante lidhur me mbrojtjen e Ulqinit. Ai thotë se jo vetëm udhëheqës e luftëtarë por ata të dy mbështetën edhe financiarisht për dy vite përpjekjet e ulqinakëve në mbrojtje.
“Hajde, hajde o Mehmet Bec,
Nepi gajret, o kti milet!”
Pohimet e Hamdi Bushatit na i vërteton pasardhësi i familjes Beci, Ibrahim Iljaz Beci, i cili tregon se Mehmet Beci si vizionar që ishte ia kishte arritur që në periudhën e hapjes së kanalit të Suezit të blente aksionet e këtij kanali. Ai me anijet e veta, shtatë sosh, kishte punuar një kohë të gjatë në bartjen e materialit andaj nga kjo punë kishte arritur që t’i sigurojë vetes dhe familjes së vet një jetë më të lehtë. Mirëpo veprimataria e tij patriotike ka bërë që ai pas një kohe të shesë aksionet e kanalit të Suezit dhe me ato mjete së bashku me Mehmet Bet Gjylin të mbajnë për një kohë të gjatë me furnizime vullnetarët për mbrojtjen e Ulqinit. Pra, jo vetëm atdhetar dhe patriot por ai flijon edhe pasurinë për hir të vendlindjes dhe kombit.
Me rënien e Ulqinit, Mehmet Beci shpërngulet në Shkodër. Turqit e internojnë së pari në Anadoll dhe kur e kthejnë në Shkodër i bijnë pazarit me duar të lidhura në mënyrë që ai të poshtrohej. Tregtarët dhe zejtarët në shenjë mbështetje dhe respekti për Mehmet Becin në atë kohë të gjithë mbyllin qepenet. Mehmet Beci pasi vendoset në Shkodër edhe pse kishte mundësi, ai asnjëherë nuk pranoi të blente shtëpi me arsyetim se shpejt do të ktheheshin në Ulqin, kështu që vetëm pas vdekjes së tij djemtë përfundimisht blejnë shtëpi. Vdes në Shkodër në vitn 1907 dhe sipas familjarëve ai i ka mbajtë të varura në gozhdë këpucët e reja në mënyrë që t’i mbathë kur të kthehet në Ulqin.
Becët siç e përmendëm më lart, ishin edhe pronarë anijesh dhe detarë të zot. Falë pasardhësit të tyre Ibrahim Iljaz Becit, patëm mundësinë të kemi në duar disa dokumente nga arkiva private e kësaj familje të cilat po ia sjellim lexuesit.
- Dokumenti i parë – në të vërtetë janë dy matrikulla të Ibrahim Beqir Becit (1877-1961) të cilat janë të vendosura në një mbështjellje të fortë kartoni dhe i lidhur me shpago. Kur hapet para dalin dy matrikulla të cilave u mungon fotografia. Ajo është hequr për arsye të panjohura.
a. Matrikulla e parë më e vjetër është lëshuar nga Kapedania e Portit të Tivarit (Lučka Kapetanija Bar) më datë 5 mars 1904. Matrikulla mbanë numrin rendor 444 dhe është dygjuhëshe: malazeze dhe italiane. Në fletën e parë jep të dhëna se kjo matrikull është e shtypur në shtypshkronjën e shtetit më 1891 në Cetinë. Në faqën 3 fillojnë të dhënat e mbajtësit të matrikullës si vijon: Ibrahim Beqir Beci, lindur më 1877, banues në Ulqin, fe – muhamedane, trup mesatar, sy gështenjë, flokët po ashtu, hunda e rregullt, gjendja civile – i martuar, lëshuar nga zyra e kapedanisë në Ulqin më 5 mars 1904. Ky dokument vlen tri vjet. E nënshkruar nga Kapidani i Portit B. Damjanoviq. Në faqe 4 jepen të dhënat e njëjta por në gjuhën italiane. Në faqe 8 kemi shënimet e para për Të dhënat për marrje detyre: I ngarkuar në Bari më 5 prill 1907 në Rmg Agnese Pemma Scuodrense si makinist. Nënshkrimi i kapidanit Ahmet Sulejmani kontrolluar nga Konsulli i Barit në Bari më 5/04 Nr 1. Faqe 9 janë Të dhënat për lëshim barke: Zbarkuar në Ulqin në tetor 1907. Ka shërbyer 5 muaj e 25 ditë. Motivi i zbarkimit – vullnetar. Nënshkrimi i kapidanit Ahmet Sulejmani. Zyrja Ulqin më 5 tetor 1907 nënshkruar nga Gjuraskoviq. Kjo matrikull nuk përmban të dhëna të tjera dhe ka gjithsejt 64 faqe.
b. Matrikulla e dytë përmban vulën e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe është e shkruar në gjuhën serbe dhe frënge. Libreza mban numrin rendor 66 dhe të dhënat për detarin si vijon: Beci Bimo, emri i babait Beqir, lindur në Ulqin më 18 korrik 1887, Qarku i Tivarit, Banovina e Zetës. Trup mesatar, sy gështenjë, flokët po ashtu, hunda e rregullt, shenja tjera identifikuese nuk ka, lëshuar në Tivar më 6 qershor 1939. Faqja 11 përmban këto të dhëna: I aftësuar në marinën tregtare, kualifikimi me vendimin e lëshuar nga Drejtoria e komunikaciont detar në Split nr.rend. 1326/DPS17322/50 për drejtues të lundrimeve të kufizuara të vogla bregore – vula dhe nënshkrimi. Në faqen 14 jepen dëshmi për lëshim vërtetimi se ka lundruar në kohëzgjatje prej 5 vitesh duke filluar nga 1.8.1938 si në anijet vendase ashtu edhe të huaja në lundrime bregore, të shkurtra dhe të gjata. Në faqen 15 ka të dhëna nga Porti i Trentos. Në faqen 25 jepen të dhëna për gjendjen shëndetësore prej ku mësojmë se nga data 29 prill deri më 5 maj 1939 është shëruar nga lia e dhenve (boginja) vërtetimi nënshkruhet në Tivar më 6 qershor 1939. Në faqen 26 jepet vërtetimi se është i gatshëm për të shërbyer në anije pasiqë është plotësisht i shëruar. Faqe 31: hyn me anije në portin e Gruzhit më 20 qershor 1939 si pronar me anijen Sreqnjak nr 34 e regjistruar në Portin e Dubrovnikut. Lloji i anijes Kuter me motor ndihmës që i përket kategorisë së lundrimit M.O.P (Mala obalna plovidba). Në vend të nënshkrimit vendos shenjën e gishtit. Në faqen 70 ka të shtuar një dëshmi lëshuar nga Porti i Trentos ku vërteton se i anulohet matrikulla e vjetër me të cilën ka lundruar në një anije M/V për 5 muaj e 13 ditë si dhe ka lundruar si kapidan i anijes së vet për 4 vite e 27 ditë. - Çertifikatë e lindjes Nr.69/29
Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene – Zyrja e Imamit të Xhematit të Tivarit
Rrethi i Tivarit, vendi Ulqin, Qarku i Zetës
Shënohet në librin amzë të të lindurve Beci Bimo i lindur më 6 shkurt 1887
Në Ulqin më 8 qershor 1929.
Dokumenti ka taksën e paguar prej 20 din. - Drejtoria e komunikacionit detar
DPS br 17332/30 r.br. 1326
Vërtetim se zotëri Bimo B. Beci i lindur më 6 shkurt 1887 në Ulqin dhe banues në Ulqin është i aftësuar për Drejtues i lundrimeve të kufizuara të vogla bregore në bazë të qarkores numër 9568/21.
Në Split më 12 shtator 1930
Bimo Beci nënshkruhet në anën e majtë me shkronja arabe, kurse në të djathtë është vula me shënime se Bimo Beci më datë 22 tetor 1930 dorëzoi betimin e nënshkruar para të pranishmëve – Dubrovnik më 22.10.1930
Dëshmia ka vulën e thatë nga Drejtoria e komunikacionit detar si dhe taksën e paguar prej 20 din.
Dega e familjes Beci nga Ulqini ka ende dokumentacion të cilat do ti shpalosim në numrat vijues.
