Kalendari historik i Astrit Lulushit vjen si një vepër e plotësuar, dhe për herë të parë në botimet e kësaj fushe, në një mënyrë tepër të kujdesshme e profesionale, gjë që i ka dhënë shumë vlera librit, jo vetëm për informacionin e gjallë që përfaqëson përgjithësisht kultura e gjerë botërore, por edhe nga mënyra se si rrezatojnë vetë ato tek lexuesi ynë. Me këtë rast do të thosha se, ky botim serioz, reflekton e është në kontrast të plotë në morinë e botimeve shqip që gëluan e vërshuan në libraritë tona nga autorë me formime të dyshimta dhe krejt pa përvojë, në periudhën e parë të tranzicionit, që na janë servirur në formën e ‘’tallavasë’’, ku vlerat ishin dhe mbetën të diskutueshme edhe për sot
Për Koha Javore: Aleko Likaj Francë
Kalendari historik: ‘Çfarë ka ndodhur më…?”, i publicistit dhe gazetarit të njohur të ‘’Zëri i Amerikës’’, Astrit Lulushi, që ka dalë këto ditë nga shtypi në Tiranë, përbën pa dyshim një ngjarje të veçantë në serinë e botimeve të letërsisë sonë dokumentare. Në fakt ky zhanër, për hir të realitetit, në këto vitet e fundit ka qenë me pikatore, duke përjashtuar këtu biografitë e personaliteteve të politikës, nga autorë të huaj, por edhe ato të kulturës sonë kombëtare nga të pakët studiues të dy a tre fushave.
Voluminoz dhe i konceptuar si një kalendar klasik: Çfarë ka ndodhur më…?’’, jo vetëm datash, që shumica e tyre zënë fill me lindjen e Krishtit, por edhe tre a katër shekuj më parë, autori ka tentuar të na sjellë ngjarje dhe evenimente të karakterit historik, shoqëror e social. Pa dyshim, hapësira shqiptare ka marrë vëmendjen e autorit, duke gjetur vend në të gjithë dimensionin e saj, mbase edhe qendror, larg shtampave e politizimeve dhe qëndrimeve pasionante, që vërehen jo rrallë në interpretim që i bëhet asaj për lexuesin, sot në median shqiptare.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “775” të revistës Koha Javore
