Tempull madhështor i reflektimit të vlerave të trashëgimisë kulturore ndër shekuj

Ndër monumentet, përkatësisht objektet e shumënumërta ekzistuese të dëshmisë së trashëgimisë kulturore ndër shekuj, në trojet shqiptare, është edhe kalaja “Rozafa”, e cila shtrihet përballë qytetit të lashtë të Shkodrës. Për këtë monument vërtet madhështor, i cili është legjendë e gjallë e një kulture shekullore, është folur dhe shkruar shumë, të cilën në mënyra të ndryshme e kanë përshkruar dhe prezantuar me fotografi dhe fjalë

Shaban Hasangjekaj

Mirëpo, padyshim, studiuesi, veprimtari, publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Mit’hat Dibra, në mënyrë koncize, analitiko-sintetike dhe kronologjike, atë e ka demonstruar, trajtuar dhe shtjelluar me material të bollshëm ilustrativ e tekstual në albumin e vet monografik me titull “Kalaja ‘Rozafa’, legjenda e gjallë e një kulture shekullore”, me të cilin ai në mënyrë dinjitoze “e ka la një borxh dhe i ka dalë hakut”, siç shprehet ai, Shkodrës së lashtë dhe legjendare, të cilin e donë dhe nderon pa masë. Teksti i albumit të monografisë në fjalë, është shkruar paralelisht në gjuhën shqipe dhe atë angleze, të cilin në këtë gjuhë përkthimin e ka bërë përkthyesja e njohur Meri Guli. Është botuar në Shtëpinë botuese “Mileniumi i ri” në Durrës dhe është shtypur në shtypshkronjën e saj në vitin 2017. Është i përbërë prej 34 faqesh me 56 kolor fotografi të formateve të ndryshme.
Albumin monografik në fjalë, ma dhuroi nipi im 12-vjeçar, Darisi, të cilin e kishte blerë në Muzeun e kalasë “Rozafa”, enkas për mua, me rastin e vizitës që para pak ditësh me prindërit e vet, Visarin dhe Arlindën, ia kishin bërë qytetit të Shkodrës.
Autori Mit’hat Dibra, prezantimin e veprës së vet në fjalë e fillon me tekstin: “Në sfondin e qytetit të Shkodrës, mbi një kodër shkëmbore, 130m mbi nivelin e detit, e qepur si me kthetra hekuri mbi shkëmbinjtë e thiktë, e rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini e Kiri, ngrihet madhështore Kështjella e njohur me toponimin ‘Rozafa’ “, duke shtuar në vazhdim se “Kodra e kalasë përbën çelësin e të gjithë zonës. Asnjë pikë tjetër, thekson autori gjerman Johan Georgvan Han, nuk qe më e përshtatshme për ndërtimin e saj. Të parët e dinin më mirë këtë”.
“Kështjella, duke përballuar rrebeshet e historisë dhe mijëvjeçarët, ka ruajtur gjurmët e lashtësisë e të mesjetës për t’i pasur sot si dëshmi të gjallë të një trashëgimie të largët, që lidhet me rrënjët e këtij qyteti”, thekson autori Dibra, dhe shton “Legjenda, arkeologjia dhe historia dëshmojnë për lashtësinë e kalasë. Legjenda flet për iniciativën e tre vëllezërve për ngritjen e saj. Ata punonin tërë ditën e çdo gjë u rrënohej natën. Një plak i mençur, i këshillon që në muret e kalasë të flijojnë. Të shqetësuar, vëllezërit vendosën të flijojnë njërën prej grave, e cila të nesërmen do t’u sillte ushqimin e drekës. Fati u kishte thënë që të murosej gruaja e vëllait të vogël.
Besnikëria e vëllait të vogël dhe sakrifikimi i nuses së re në legjendë marrin simbolikë dhe dritë të veçantë. Gruaja që do flijohej, ishte nënë. Ajo nuk kundërshtoi, por u kërkoi që t’i liheshin pa iu mbuluar gjiri i djathtë për të ushqyer djalin e saj të vogël, dora e djathtë për ta përkundur djepin.
Autori Mit’hat Dibra shkruan se gjurmimet arkeologjike në këtë vendbanim janë në vazhdim. Megjithatë, teknika dhe ekzistenca e periudhave dëshmojnë se është banuar që në periudhën e bronzit të hershëm. Zbulimet më të fundit (të vitit 2016) të ekspeditës arkeologjike Shqiptaro-Polake, që vazhdon gërmimet në Kalanë e “Rozafës” në Shkodër, ka nxjerrë në dritë fakte të rëndësishme historike. Një prej zbulimeve interesante që veçohet, është ujëmbledhësi me një mbishkrim që sipas vëzhgimeve të para të specialistëve, mendohet se i përket shekullit të parë para epokës sonë. Gërmimet dëshmojnë se Kalaja “Rozafa” ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme ilire të veriut të Shqipërisë. Vizitori mund të njihet me monumentet dhe objektet e ndryshme historike.
Në shkrimin e tekstit të albumit monografik Kalaja “Rozafa”, autori Dibra konfirmon se ne themelet e kalasë, zë rrënjë kultura e lashtë dhe e pasur e qytetit. Aty lindin elementet e para të jetës qytetare në pellgun e Shkodrës. Historiani romak Tit Livi, sjellë dëshmi të një qyteti antik të fuqishëm dhe të mbrojtur mirë. Nga muret fortifikuese, sot ruhen dy trakte muri antik, që ndodhen në hyrje të kalasë. Ndërtimi i këtij muri fortifikues është realizuar me gurë të mëdhenj, me lidhje të thellë, sipas parimeve konstruktive të ndërtimeve mbrojtëse bashkëkohore qytetare.
Duke prezantuar pamjen e kalasë, autori Dibra shprehet: kushdo befasohet përpara këtyre mureve, përpara mjeshtërisë e fantazisë së njerëzve që i ndërtuan ata, si dhe lartësive, në të cilën ngrihen. Këtu tradita vendase, pavarësisht nga ndikimet, shfaqet e fuqishme. Kështjella paraqet elemente të qarta të kohës, por pjesën më të madhe të saj e përcaktojnë muret mesjetare të ngritura mbi muret ilire. Të gjithë e përshkruajnë një lloj këtë vepër të fortifikuar, qofshin Hekard, Ippen, Jirçek e Shuflaj: një hyrje të vetme, të siguruar mbi tri porta, ë vijnë njëra pas tjetrës. Midis tyre ka tre oborre e korridore të fortifikuara, secili me fizionominë e tij të veçantë. Përveç hyrjes kryesore, ajo ka edhe disa hyrje të vogla të dorës së dytë që shërbejnë për manovrimin e forcave apo si dalje sekrete. Në qytetet e rëndësishme mesjetare, siç është Shkodra, ku sulmi ndaj hyrjes bëhej me forca të shumta, para tyre ndërtoheshin oborre të fortifikuara, barbakana.
Autori i albumit monografik në fjalë thekson se kështjella ruan gjurmët e periudhës klasike të mesjetës e deri në shekullin e kaluar, por, formën e saj themelore e ka marrë që në gjysmën e dytë të shekullit XIV (periudha e sundimit të Balshajve) për të arritur në formën e plotë me ndërtimet veneciane të viteve 1407, 1416, 1468 e më vonë, me ato turke. Muret mesjetare, të ngritura mbi ndërtimet ilire, të ndërtuara me gur të lidhur me llaç gëlqereje, ndjekin linjën e çrregullt të syprinës, në formën e një elipsi me perimetër 881 metër, që përfshinin një sipërfaqe prej katër hektarësh, e që përforcohet me disa kulla me forma e përmasa jo të njëjta, të ndërtuara në kohë të ndryshme.
Duke përshkruar qëndresën e kalasë Rozafa, autori Dibra thekson se kështjella mijëra vjeçare i është nënshtruar restaurimit. Në një nga këto mjedise, në atë të Kapitenerisë (ndërtesë e shekullit XV), është ngritur muzeu i saj. Dëshmitë më të vjetra, të pasqyruara në këtë muze, flasin për ekzistencën e lashtësisë së kësaj kështjelle. Objektet arkeologjike, historike, dokumentet e historianëve të lashtë, Polibit e Tit Livit, si dhe mjaft armë, vepra arti të autorëve vendas e të huaj, dëshmojnë për luftërat e pandërprera kundër romakëve, bizantëve, sllavëve, turqve, për qëndresën e shkodranëve dhe për konsolidimin e feudalëve vendas Balshaj e Bushatlinj.
Kështjella “Rozafa” ka qenë e ngushtë me lindjen dhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës. Në të njëjtën kohë ajo ka qëndruar si një roje e fuqishme e qytetit, thekson autori Dibra dhe shton se aty u zhvilluan luftërat iliro-romake në vitin 168 para epokës sonë. Gjatë mesjetës u pushtua herë nga Bizanti e herë nga sllavët, deri në vitin 1395, kur u zotërua nga Balshajt, principatë e feudalëve vendas, të cilët e mbajtën deri në vitin 1396, kur u detyruan t’ia dorëzonin Venedikut. Kështjella ka përjetuar dy rrethime të fuqishme të ushtrive osmane në vitin 1474 dhe 1478-1479. Kjo “kryefortesë e gjithë vendit”, siç e quan me të drejtë një historian bashkëkohës Venecian, tregoi se nuk gjunjëzohet dot.
Autori i albumit monografik në fjalë, Mit’hat Dibra, konfirmon se me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 396 të datës 31.10.2005., është miratuar ngritja e parkut Arkeologjik të Shkodrës, ku inkuadrohet edhe Kështjella “Rozafa”. Parku Arkeologjik i Shkodrës, zbaton detyrat e Bordit Kombëtar të PA-ve, bashkërendon punën me specialistë të institucioneve të tjera, bashkëpunon me organet e pushtetit vendor për njohjen, publikimin dhe tërheqjen e financimeve dhe administron e menaxhon të ardhurat që siguron për të krijuar kushte sa më të mira për vizitorët etj.
Në shkrimin e tekstit të monografisë, autori Dibra bën me dije se restoranti ndodhet brenda mureve të kështjellës, në një mjedis të restauruar (shekulli i XV). Shërbehet në dy salla interesante (me gurë mesjetar), e në ballkonin e kështjellës, nga ku, si pëllëmbë të dorës, mund të soditesh gjarpërimin e lumit Drini dhe hyrjen e qytetit. Aty nuk do të shijoni vetëm më të mirin e kuzhinës tipike shkodrane, por shumë copëza nga historia e vjetër e Shkodrës dhe vlerat e saj.
Në elaborimin e vet të shprehur me shkrim në tekstin e albumit monografik përkitazi me vlerën, rëndësinë dhe rolin e Kalasë “Rozafa”, autori Dibra veçon se kështjella dje dhe sot ka qenë e mbetet objekt frymëzimi i shkrimtarëve, artistëve vendas dhe të huaj, mbi motive të së cilës ata kanë realizuar vepra dinjitoze e impresionuese, që nga poezitë, baladat, kompozimet në pikturë dhe skulpturë, deri tek filmat artistik.
Kështjella Rozafa, është një nga pasuritë monumentale më të spikatura në Shqipëri. Ajo është simbol i përcjelljes së jetës brez pas brezi dhe ka transmetuar mesazhin e madh historik të qëndresës e sakrificës për këto troje. Tradicionalisht ka qenë një nga monumentet më të frekuentuara nga vendasit dhe të huajt. Nëpër kështjellë do të ecin, siç kanë ecur edhe më parë shumë gjenerata, turistë, kronistë, kureshtarë të ndryshëm, që do të rrëfejnë e përjetojnë kujtime nga ky monument madhështor që sjell mirënjohje dhe respekt ndaj të kaluarës historike.
Në fund, pa ngurrim dhe me plot gojë, konstatojmë se albumi monografik “Kalaja ‘Rozafa’, legjendë e gjallë e një kulture shekullore”, jep një informacion për turistët vendas dhe të huaj, por nuk merr përsipër të jetë historia e kështjellës. Depozitimet e shekujve kërkojnë të zbulohen ende të panjohura, që presin dorën e arkeologut, argumentimin e historianit dhe të restauratorit.

Të fundit

më të lexuarat