Shkrimtari i njohur dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se teatri i dramës në botën shqiptare ka dështuar dhe është në krizë të thellë.
Kjo krizë, sipas tij, në Kosovë ka filluar në vitet ’90 të shekullit të kaluar kur teatri doli nga institucioni dhe u kultivua në institucione paralele.
“Duhej teatri të funksionojë si argëtim për të krijuar një shtimung, për të ngjallë pak shpresën për jetë të njerëzve”, ka thënë ai.
Ndërkaq në Shqipëri, bashkë me ndryshimet dhe rrëmujën e viteve ’90, teatri doli si jofunksional dhe teatri i dramës pushoi së ekzistuari.
Kraja ka thënë se në vend të teatrit të dramës është futur performanca dhe instalacioni.
“Nuk ka më teatër të dramës as në Kosovë, as në Shqipëri. Nuk është mirë. Ky është një defekt i madh, por ka improvizime. Mblidhen tre vetë këtu dhe ia nisin të bëjnë improvizime. Edhe tekstet shkruhen për këto improvizime. Dhe nuk funksionon më, teatri i dramës nuk është më i pranishëm. Nuk shkruhet më dramë për teatër. Nuk bëhet më shfaqje teatrore mbi një tekst dramaturgjik, ose bëhet shkel e shko, ose nuk jepen financa të mjaftueshme. Primatin e kanë marrë instalacionet dhe improvizimet”, ka theksuar ai.
Megjithëse e pranon se ky është një trend botëror, Kraja shprehet se në vendet tjera nuk ka ndodhur fenomeni që ka ngjarë në botën shqiptare me teatrin e dramës.
“Ky është një trend botëror. Është e vërtetë, është evropian dhe botëror, por në një kohë që vendet tjera, popujt tjerë, përveç këtij trendi kanë edhe teatrot e dramave, nuk i kanë hequr kurrë, as Franca, as Gjermania dhe as Italia nuk i kanë hequr teatrot e dramës. Teatri i dramës është shtylla kryesore e teatrit në krejt botën edhe sot”, ka thënë shkrimtari.
Ai i ka bërë këto deklarata në mbrëmjen autoriale me të, të titulluar “Liria e shkrimtarit”, që është mbajtur në Librarinë “Ulqini” në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar.
i. k
Mbi idenë e themelimit të teatrit të shqiptarëve në Malin e Zi
Shkrimtari Kraja ka shprehur mendimin e tij edhe lidhur me idenë për themelimin e teatrit të shqiptarëve në Malin e Zi.
Ai ka thënë se teatri është superstrukturë e lartë kulturore, i cili kërkon shpenzime të mëdha.
“Në shumicën e rasteve teatrin duhet ta financosh, duhesh të investosh në të, por në një periudhë të gjatë kohore ai nuk ta kthen atë borxh, ato para që t’i ka marrë”, ka thënë shkrimtari.
Kraja ka folur për anët pozitive, por edhe për mëdyshjet e tij lidhur me themelimin e teatrit të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Teatri krijon idenë që aty funksionon një vetëdije kulturore, një organizim kulturor, një ambient kulturor. Për hir të ambientit kulturor teatrin vlen me e pasur. Sa për etiketë, sa për formë, sa për me thënë që shqiptarët në Mal të Zi kanë edhe teatër, jo. Nëse mendoni se mund ta bëni teatrin dhe mund ta mbani, sepse problemi nuk është që duhet me e bërë, por duhet me e mbajtur, pse jo, mund të bëhet gjithkund. Por hiqeni idenë e teatrove partizane. Teatri është luks, nuk ka teatër partizan më”, ka theksuar ai.
Për ta konkretizuar idenë e tij, shkrimtari ka treguar shembullin negativ të Kosovës, ku tani ekzistojnë rreth dhjetë teatro profesioniste.
“Ma kanë zënë pak për të madhe që kam thënë se teatrin duhet ta mbajnë ato qytete të cilat kanë potencial dhe ekonomi. Nuk mendoj që Kosova ka potencial kulturor dhe as financiar për t’i mbajtur dhjetë teatro. Duhet të mbajë teatër ai qytet dhe ajo komunë, në rastin tuaj, e cila ka potencial financiar”, ka thënë Kraja, duke shtuar se për dallim nga dikur kur ekzistonin teatrot amatore, teatri sot do kushte, sallë të mirë, aktorë të mirë dhe të paguar.
