Të kontribuojmë për një familje të shëndetshme

Tuz – Trupa Teatrore Profesioniste e të Rinjve “Passion” nga Tirana ka shfaqur të hënën mbrëma në ambientin e hapur në qendër të Tuzit komedinë, “Çifti i shqyer” të autorit, komedianit të famshëm Italian, Dario Fo, me regji të aktorit, Gjergj Mena, ndërsa komedinë e realizojnë edhe aktoret: Algiona Aga dhe Bruna Belaj.
Kjo shfaqje teatrore trajton një problematikë jetësore e cila lidhet kryesisht me individin.
“Jo pa qëllim autori vë në qendër të veprës një çift ku zbërthen dy promotorët e jetës (femrën dhe mashkullin) dhe në vazhdimësi të saj, raportin në çift. Kjo rrethanë shpalos më së miri dy tiparet thelbësore njerëzore, duke na dhënë një pasqyrë të bëmave, si pjesë e dobët e karakterit të secilit”, shprehet në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, regjisori dhe aktori, Gjergj Mena.
Ndërkaq, besnikëria, virtyti, maturia, reflektimi, menaxhimi i drejtë i një raporti për të siguruar një familje të shëndetshme, me modele gati perfekte për individët dhe shoqërinë, janë mesazhet që përcjell kjo komedi në publik.
“Sepse, egoizmi personal, konfliktet e rënda, tradhëtitë, divorci, moskomunikimi, pabarazia gjinore në raport, si tek prindërit tonë që përfaqësojnë një çift, ashtu dhe tek të rinjtë që nesër do të përfaqësojnë një çift, do të sillnin probleme të rënda psikologjike në familjen ideale që më pas do të bëheshin themel për edukim”, u shpreh regjisori, Gjergj Mena.
Nëpërmjet kësaj shfaqjeje, me gjuhën skenike të lojës brilante me dinamikë, konflikt, situata e batuta, dalin në pah qëndrime e mesazhe njerëzore shumë të rëndësishme.
Premiera e kësaj komedie është dhënë para dy vitesh në Tiranë, ndërsa numëron me shumë sukses mbi 60 rishfaqje në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë.
Autori i kësaj vepre me famë botërore , Dario Fo, është vlerësuar me çmimin “Nobel”.
Kjo shfaqje u mundësua nga Sekretariati për vetëqeverisje lokale i Komunës së Tuzit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat