Takim i vlerave,historisë dhemendimit kombëtar

Në kuadër të programit të manifestimit të sivjetshëm u bë përurimi i vëllimit të parë të librit “Shtigje të lirisë - Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953”, botuar kohë më parë nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës. Për vlerën dokumentare e historike të këtij libri foli kryeredaktori dhe përgatitësi për shtyp i këtij vëllimi, Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri

Është bërë traditë e përhershme që më 31 korrik, në ambientin e sallës së Shtëpisë së rikonstruktuar të Kulturës në fshatin Vuthaj të komunës së Gucisë, të kryer me vetëkontributin e vuthjanëve në diasporë, por edhe të atyre vendas, mu në datën e inaugurimit të saj, të organizohen dhe mbahen çdo vit akademi solemne, përurime veprash letrare, ekspozita të arteve pamore, tryeza të rrumbullakëta, shënime përvjetorësh, manifestime të ndryshme etj.
Edhe këtë vit, të enjten më 31 korrik 2025, në prani të një numri të konsiderueshëm vuthjanësh vendas, nga vendbanimet me popullatë shqiptare të komunave të Gucisë dhe Plavës, të shumë bashkëvendësve mërgimtarë nga diaspora, por edhe të një numri vërtet të madh mysafirësh – personalitetesh të shquara, pjesëmarrës të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare nga qendrat e ndryshme të Republikës së Kosovës, asaj të Shqipërisë, ca sish edhe nga Maqedonia e Veriut dhe më gjerë, u mbajt manifestimi letrar e shkencor “Vuthaj 2025”, i gjashti me radhë, i cili tanimë është bërë tradicional, takim ky i vlerave, historisë dhe mendimit kombëtar.
Këtë vit ky manifestim i është kushtuar nderimit të veprimtarisë për çështjen kombëtare të të burgosurit politik Rexhep Gali Balidemaj, i cili më 7 qershor 2025 ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare në Nju Jork të SHBA-së, përurimit të librit “Shtigje të lirisë – Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I”, zbulimit të mirënjohjes për ngritjen e Flamurit Kombëtar më 12 tetor 1968, si dhe bashkëbisedimit e deklaratës drejtuar institucioneve shqiptare.
Duke i përshëndetur të pranishmit, manifestimin e hapi organizatori dhe moderatori, anëtari i Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare dhe i burgosuri politik, vuthjani prof. Binak Ulaj.
Në vijim përshëndetën Dashamir Uruçi – kryetar i Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, Ali Laçej – koordinator i Këshillit Kombëtar të Federatës së Paqes, Gani Roshi – sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare për Paqe Universale dhe Xhevat Ademi, veprimtar i çështjes kombëtare nga Tetova.
Pjesa e parë e manifestimit iu kushtua veteranit të hershëm të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare, Rexhep Gali Balidemajt nga fshati Martinaj i komunës së Gucisë, i cili u nda nga jeta më 7 qershor 2025 në moshën 102-vjeçare dhe më 14 qershor 2025, me nderimet më të larta kombëtare u varros larg vendlindjes, në Nju Jork të SHBA-së.
Duke folur për kontributin e veprimtarëve të çështjes kombëtare, ku bën pjesë edhe Rexhep Gali Balidemaj, profesori Binak Ulaj u shpreh se përkushtimin për realizimin e idealit më të lartë, çfarë është ideali i lirisë së atdheut, ata e kanë dëshmuar me veprimtarinë e tyre të pandërprerë.
“Edhe pas vuajtjes së një dënimi me burg shumëvjeçar, ata e vazhdonin veprimtarinë, ndonëse e dinin se do të dënoheshin përsëri edhe më rëndë dhe e dinin se me çfarë pasojash do të përballeshin. Jo pak prej tyre janë dënuar nga disa herë”, theksoi ai.
Për jetën dhe veprën e bujshme, vrullshme dhe dinamike të Rexhep G. Balidemajt, me admirim, mallëngjim e emocion foli i burgosuri politik dhe përjetuesi i vrasjes e zhdukjes së afro 200 të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës në Istog, nga data 19 deri më 24 maj 1999, Bajrush Xhemajli nga Ferizaji i Kosovës.
Në fjalën e tij, ai ndër të tjera konfirmoi se Balidemaj një të gjashtën e jetës së vet, saktësisht 16 vjet e 4 muaj, i ka kaluar në burgjet e 13 kazamateve të Malit të Zi, Kroacisë, Serbisë dhe Kosovës.
Në vijim të programit të manifestimit u bë përurimi i vëllimit të parë të librit “Shtigje të lirisë – Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953”, botuar kohë më parë nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Për vlerën dokumentare e historike të këtij libri foli kryeredaktori dhe përgatitësi për shtyp i këtij vëllimi, Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri.
Ai falënderoi redaksinë shtatëanëtarëshe të këtij leksikoni, anëtarin e Këshillit redaktues Gani Krasniqin dhe 60 bashkëpunëtorët e terrenit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila e ka mbështetur financiarisht botimin.
Neziri ka treguar se puna për botimin e leksikonit, i cili përbën projektin më të madh të këtij lloji në Evropë, që ka mbi dyzet vëllime të portreteve të të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, ka filluar para pesë vitesh.
“Me këtë leksikon njëkohësisht fillon edhe larja e borxhit për të pasuruar historinë tonë më të re me portrete të vuajtjeve të dënimeve, që sipas historianes Sabile Keçmezi – Basha, janë rreth 700 shekuj burg politik në burgjet jugosllave në periudhën 1944-1999, e ndër ta ishte edhe i famshmi Adem Demaçi. Po ia shtuam kësaj shifre edhe 300 shekuj të tjerë të viteve 1912-1941, del se për 100 vjet robëri jugosllave, veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare është gjykuar me rreth 1000 shekuj burg politik”, ka thënë Prof. dr. Zymer U. Neziri.
Sipas tij, Jugosllavia ishte burg kolektiv për shqiptarët.
“Edhe sot ka qindra e mijëra, që nuk u dihen as varret. Brenda atij shekulli janë vrarë e masakruar edhe qindra e mijëra dhe shumëfish më shumë i kanë shpërngulur në Turqi, por Lëvizja Kombëtare nuk është ndalur me kryengritje e demonstrata deri te lufta çlirimtare dhe fitimtare e brezit të Adem Jasharit”, ka përfunduar Neziri.
Organizatorët e këtij manifestimi kanë vlerësuar se e ndjejnë obligim moral që nga ky tubim të dalin me një deklaratë të përbashkët që do t’u drejtohet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Ndonëse demonstratat e vitit 1968 shënojnë një kthesë me rëndësi historike në përpjekjet e shqiptarëve për t’u çliruar nga robëria jugosllave, ato fillojnë në Prizren, më 6 tetor, e njëri prej organizatorëve kryesorë të saj dhe të atyre që do të organizohen në Pejë më 19 tetor, ishte Zymer Ujkan Neziri. Më 8 tetor demonstratat shpërthejnë në Therandë, më 27 tetor në Prishtinë e qendra të tjera, për të vazhduar pastaj në Tetovë e Ulqin, duke marrë kështu përmasa mbarëkombëtare. Po shqiptarët e Plavës e Gucisë, çdo të bëjnë?
Duke pasur parasysh rrethanat politike në këtë trevë, ata zgjodhën mënyrën e përshtatshme për ta shpërfaqur përcaktimin e vet politik – vendosin ta ngrenë publikisht Flamurin Kombëtar, gjë që e bëjnë më 12 e 13 tetor të vitit 1968. Ishte kjo shprehje e solidaritetit dhe dëshmi se populli i këtij cepi të atdheut, si kurdoherë më parë në çaste vendimtare historike, i bashkohej veprimtarisë çlirimtare që po avanconte gjithnjë e më shumë. Këto demonstrata që u paraprijnë demonstratave të kthesës historike të vitit 1981, janë rezultat i veprimtarisë së pandërprerë të organizatave e grupeve ilegale, që përbëjnë Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare të identifikuar më pas me emrin Lëvizja Popullore e Kosovës, themeluese e UÇK-së, pasuese e së cilës tani është Shoqëria “Lëvizja”. Kryesia dhe kryetari i kësaj Lëvizjeje, Xhevat Bislimi, ka vite që vendos pllaka mirënjohjeje në shtëpitë e veprimtarëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë drejtë lirisë. Një mirënjohje e tillë, që i kushtohet popullatës shqiptare të Plavës e Gucisë, me nderime dhe respekt të lartë, ca veprimtarë të çështjes kombëtare solemnisht e vendosën në sallën e Shtëpisë së këtushme të Kulturës, e cila përherë do të simbolizojë virtytet, meritat dhe veprimtarinë e shenjtë të popullatës çlirimtare-liridashëse.
Në fund të këtij shënimi theksoj se mirënjohja me vlerë të lartë iu nda neuropsikiatrit dhe traumatologut vuthjan, Dr. Jusuf Ulaj, si dhe plaketa falënderuese prof. Binak Ulajt, po ashtu nga Vuthajt, për kontributin dhe veprimtaritë e tyre universale.
Në mesin e pjesëmarrësve në manifestim ishin edhe veprimtarët e lëvizjes çlirimtare – Hydajet Hyseni, Izet Ibrahimi dhe Agron Gërvalla, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku, koordinatori i Këshillit të Paqes në diasporë – Gaqo Apostoli, Ambasadori i Paqes dhe drejtori i Asamblesë – Mingel Kureta etj.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat