
Data 21 Shkurt, që prej vitit 1999 është vendosur nga UNESCO-ja si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Po ashtu është pranuar edhe nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara me një rezolutë të veçantë dhe kjo ditë ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës amtare.
Ndryshe i themi gjuha e nënës, të cilën ne e mësojmë në rrethin familjar prej moshës së vogël. Çdo tingull dhe fjalë që e përvetësojmë përbën një rëndësi shumë të veçantë për ne, të cilën e pasojmë në formimin dhe edukimin tonë, pastaj gjatë shkollimit në moshën e rritur.
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar, është pasuri e pashterueshme dhe është ura që lidh të shkuarën me të sotmen; nëpërmjet saj shprehet bukur kultura, historia dhe arti. Ne duhet ta bëjmë promovimin e saj në mënyrë sa më dinjitoze, sepse kështu u tregojmë të tjerëve kulturën që mbizotëron brenda shoqërisë sonë. Normalisht, duke qenë edhe pro integrimit në botën moderne, por në masë dhe duke respektuar gjithmonë gjuhën tonë të bukur.
(Por) A e ruajmë dhe a e mbrojmë siç duhet gjuhën tonë amtare sot?
Në fakt, ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës përbën një ndër sfidat kryesore të kohës sonë që vlen të theksohet. Pra, jemi të vetëdijshëm që po jetojmë në epokën e teknologjisë dhe se është rritur ndjeshëm përdorimi i pajisjeve digjitale. Për pasojë ka ndryshuar edhe forma e komunikimit dhe kjo bën që të ndikojë drejtpërdrejt në papastërtinë dhe shtrembërimin e gjuhës sonë, duke shkelur ndjeshëm rregullat e drejtshkrimit. Shpesh shkruajmë me shkurtesa, po ashtu zgjedhim të përdorim barbarizma, pra terminologji të huaj në vend të fjalëve gjegjëse në gjuhën shqipe. Kjo për pasojë edhe e përzierjes së gjuhës amtare me gjuhën e shtetit ku jetojmë. Po ashtu edhe kontakti i përditshëm me një gjuhë tjetër të huaj, ndodh të humbasim rëndësinë e gjuhës amtare për t’iu përshtatur turmës. Gjithashtu theksoj se në ditët e sotme mundësia e kontaktit me gjuhë të huaja është shumë herë më e madhe se më parë. Gjithashtu përdorimi tani së fundmi në masë edhe i inteligjencës artificiale bën që nxënësit, por edhe të rriturit, të humbasin kreativitetin duke i marrë gjërat e gatshme vetëm me një klikim.
Dhe një ndër problematikat themelore dhe sfidat më të mëdha që përballen sot mësimdhënësit, sidomos të gjuhës shqipe, është mosinteresimi i mjaftueshëm për lexim dhe kjo për pasojë ndikon drejtpërdrejt në formulimin e mendimit dhe pasurimin e fjalorit, duke qenë se nxënësit nuk e kanë më fokusin te leximi i librave jashtëshkollorë. Kjo bën që të mos kenë mjaftueshëm fond fjalësh që të shprehin një mendim të plotë, të analizojnë ose argumentojnë një situatë të caktuar në shkollë apo kudo tjetër.
Po ashtu, mospasja e një fjalori të bollshëm i bën ata të hasin vështirësi dhe shfaqin mangësi në formulimin e një teksti letrar ose të stileve të tjera të gjuhës. Dhe kjo për pasojë bën që gjuha ta humbasë atë vlerën e saj, sidomos nga brezat e rinj, duke mos ia dhënë asaj rëndësinë e duhur. Duke qenë se fokusin kryesor sot nxënësit e kanë sidomos te gjuha angleze, ata lexojnë, mendojnë dhe flasin me njëri-tjetrin në këtë gjuhë. Dhe duke u ballafaquar me këtë situatë në përditshmëri, e kupton se jo vetëm që nuk mund të ruhet gjuha, e cila ka vlerë të madhe, por që po rrezikohet çdo ditë dhe më shumë të humbasë, shkaku i nënvlerësimit.
Çfarë po ndodhë me shkrimin e dorës?
Një ndër shqetësimet për ne si mësimdhënës, sidomos të gjuhës por jo vetëm, është edhe shkrimi i dorës. Duke parë se plan programi mësimor e parasheh si të detyrueshëm shkrimin e dorës vetëm deri në klasën e pestë, vihet re mjaft se çdo ditë e më shumë po humbet vlera dhe rëndësia e shkrimit të dorës, duke shikuar se brezat e rinj përdorin ndjeshëm shkrimin e shtypit dhe kjo përbën alarm, sepse çdo ditë e më pak po përdoret bukurshkrimi dhe të shkruarit me shkronja dore. Një ndikim të madh në këtë aspekt ka edhe përdorimi i gjerë i pajisjeve teknologjike. Tashmë një pjesë të punës e kryejmë edhe me anë të mjeteve elektronike dhe të shkruarit me dorë kërkon më shumë kohë sesa shtypja në tastierë, por mos të harrojmë se duke shkruar me dorë ka efekt më shumë, sepse e ndihmon nxënësin dhe studentin ta mbajë mend dhe ta kuptojë shumë më mirë atë që thuhet kur e shkruan.
Po ashtu duke mos i dhënë rëndësinë e duhur shkrimit të dorës, pastaj fillon e zbehet edhe rëndësia e bukurshkrimit, edhe e drejtshkrimit. Duke qenë se një pjesë e mirë e nxënësve shkruajnë me shkrim shtypi, shpesh ndodh që i përziejnë shkronjat e dorës me ato të shtypit gjatë të shkruarit, duke mos i dhënë rëndësi as zbatimit të rregullave gjuhësore, duke mos respektuar shkronjën e madhe në fjali kur duhet dhe ku duhet.
Ku vërehet deformimi i gjuhës sot?
Ndryshimet dhe shtrembërimet e shumta në gjuhë sot prekin të gjitha rrafshet e saj – atë fonetik, leksikor, morfologjik dhe sintaksor. Dhe shkaku kryesor i këtij deformimi është pikërisht kontakti i përditshëm me gjuhët e huaja, që e shkatërron mjaft strukturën e gjuhës sonë; gjithashtu mjetet e informimit, sidomos rrjetet sociale dhe njerëzit që janë përdorues të tyre, të cilët nuk i japin rëndësi të madhe drejtshkrimit, por shkruajnë pa rregulla. Gramatika e gjuhës sot po shkatërrohet çdo ditë e më shumë shkaku i faktorëve të ndryshëm. Po ashtu ngurtësimi i saj vihet re ndjeshëm sot kur duam të shprehim një mendim, e shprehim atë me më pak fjalë se më parë.
Çka vihet re sot, që e dëmton mjaft gjuhën, sidomos nga brezat e rinj, është përkthimi mekanik nga gjuhët e huaja, sidomos nga gjuha angleze dhe kjo bën që të prishet struktura e gjuhës sonë. Sepse zakonisht nxënësit e formulojnë mendimin në gjuhë e huaj dhe e përkthejë mekanikisht në gjuhën shqipe dhe vëren se fjalia nuk e ka strukturën e duhur sipas rregullave të drejtshkrimit shqip.
Po çfarë mund të bëjmë ne?
Një nga elementet bazë për shmangien e gabimeve në drejtshkrim është ngritja e kulturës gjuhësore për secilin nga ne. Dhe kjo kulturë duhet të na shoqërojë që nga hapat e parë në shkollë dhe pikërisht mësimdhënësit duhet të jenë rigorozë dhe shembull për nxënësit e tyre, duke mos i anashkaluar dhe duke ua vënë në pah edhe gabimet më të vogla. Çdo individ duhet të mundohet ta respektojë dhe ta mbrojë në maksimum gjuhën amtare, duke e përdorur atë drejt në shkrim dhe lexim.
Mendoj se nuk është e drejtë dhe e hijshme që pikërisht kjo gjuhë, e cila e me vjetërsinë e saj shumëshekullore dhe rëndësinë e saj që prej “Formulës së Pagëzimit”, “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe shkrimtarëve tanë të letërsisë së vjetër, romantike, rilindëse, bashkëkohore dhe shumë gjuhëtarë që për vite e vite me radhë punuan pa u lodhur për ndritjen dhe ngritjen e saj.
A na falet neve që ta lëmë pas dore dhe ta humbasim kaq lehtë?
Shumë poetë, si: Naimi, Fishta, Mjeda, Kadare etj., i thuren vargje të mrekullueshme gjuhës dhe bukurisë së saj, duke e ngritur atë në piedestalin më të lartë.
Ne nuk kemi nevojë të luftojmë ta kemi atë, por ta ruajmë si gjënë më të shenjtë.
Duke mbrojtur gjuhën, ruajmë identitetin tonë dhe kështu pasqyrojmë te të tjerët kulturën tonë të mrekullueshme.
Sado aftësi të kemi që të flasim gjuhë të ndryshme të botës, nuk mund të quhemi dot të kulturuar në qoftë se nuk e zotërojmë siç duhet gjuhën tonë. Prandaj duhet të ndërgjegjësohemi sa më shumë që ta ruajmë gjuhën, ta promovojmë atë duke i respektuar dhe përvetësuar siç duhet kompetencat në shkrim dhe në lexim. Tashmë i kemi të gjitha mundësitë ta flasim dhe ta shkruajmë bukur gjuhën tonë dhe jo vetëm ta flasim gjuhën, por duhet ta ruajmë dhe promovojmë atë sa më denjësisht.
Po e përfundoj këtë shkrim me një thënie të gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj: “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar”.
