Studiuesi dhe atdhetari që ngriti zërin për të drejtat e shqiptarëve

“Dr. Bahri Brisku u rreshtua në krahun e duhur të historisë së kombit shqiptar, duke u vënë në ballë të atdhetarëve që guxuan, por të cilët pastaj e pësuan me burgosje, dëbime nga puna, censurime, izolime nga shoqëria“, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika

Ulqin – Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të shtunën u mbajt Orë përkujtimore me rastin e vdekjes së mësimdhënësit, krijuesit, studiuesit, publicistit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Dr. Bahri Brisku, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Ora përkujtimore është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.
Në fjalën e rastit, Gazmend Çitaku, një ndër bashkëpunëtorët e afërt të Bahri Briskut, ka treguar për njohjen e tij me të dhe ka sjellë për të pranishmit disa kujtime nga jeta dhe veprimtaria e Briskut, të cilat ai ia ka rrëfyer.
“Takimi im i parë me Bahri Briskun është me librin e tij ‘Gjurmime shqiptare’. Në vitin e largët 1994 më ra në dorë ky libër i tij, të cilin e kishte botuar në Tiranë”, ka treguar ai, duke thënë se ky libër i shërbeu si shtyllë për njohjen më të madhe të kulturës dhe historiografisë shqiptare të Ulqinit.
Çitaku ka thënë se Bahri Brisku ishte gjithmonë i qeshur dhe se ashtu e mban mend, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar dhe këshilluar të tjerët.
Ai ka thënë se Brisku ka punuar në shumë fronte.
“Veprimtaria e Bahriut nuk është vetëm atdhetare. Kontributi i tij është jashtëzakonisht i madh në studimin e gjuhës. Ka qenë një mbledhës i jashtëzakonshëm i folklorit të kësaj treve. Është, si të thuash, hartues dhe vlerësues për detarinë e Ulqinit”, ka thënë Çitaku.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se në kohën kur ishte në modë vëllazërim-bashkimi dhe shqiptarët nuk lejoheshin t’i shpalosnin vlerat dhe simbolet e tyre identitare, dr. Bahri Brisku guxoi, punoi e veproi pa u trembur, sepse donte ndërgjegjësimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Bindjet, formimi i tij intelektual, tradita familjare e karakteri i fortë nuk ia jepnin luksin dr. Briskut që shqiptarët në Mal të Zi të lejoheshin të asimilohen e konvertohen në sllavofonë, nën petkun e ‘vëllazërim-bashkimit’, duke qenë dominantë në numër, në jetën sociale, ekonomike, politike, në shfaqje kulturore, muzikore e mediatike”, ka theksuar ai.
Nika ka thënë se duke e parë këtë gjendje, dr. Bahri Brisku u rreshtua “në krahun e duhur të historisë së kombit shqiptar, duke u vënë në ballë të atdhetarëve që guxuan, por të cilët pastaj e pësuan me burgosje, dëbime nga puna, censurime, izolime nga shoqëria, siç ishte edhe rasti i dr. Bahriut“.
Në fjalën e tij, kryetari i BKSHMZ-së, Prim. Dr. Gani Karamanaga, ka thënë se nuk është lehtë të jetosh dhe duke kaluar nëpër shumë dredhira të jetës, të plakesh dhe të mbetesh person siç ishte Bahri Brisku.
“Ai në disa periudha jete ka pasur vështirësi të mëdha. Atëherë kur nuk ka qenë aspak lehtë të eksponohesh dhe kur shumëkush ka heshtur, Bahri Brisku ngriti zërin dhe pendën”, ka thënë ai.
Karamanaga ka theksuar se shkollimi, dashuria për kombin, dashuria për vendlindjen, vuajtjet dhe mundimet e kanë përcjellur jetën e Briskut.
“Gjithmonë në rrugën e cila shkon për një drejtim: të jetë këmbëngulës në arritjen e qëllimeve për ngritjen dhe ruajtjen e identitetit të popullit shqiptar, ai e tregon veten si shkrimtar, poet, historian, patriot i vërtetë”, ka thënë ai.
Për jetën dhe veprimtarinë e Briskut në orën përkujtimore ka folur edhe kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba. Po ashtu janë lexuar edhe mesazhet e ngushëllimit të Prof. dr. Hajrullah Koliqit dhe Prof. dr. Zymer Nezirit nga Instituti Albanologjik – Prishtinë.
Në emër të familjes të pranishmëve iu është drejtuar Nita Brisku, mbesa e dr. Bahri Briskut.
Ajo ka falënderuar gjyshin e saj Bahriun për fëmijërinë e bukur, duke thënë se ka qenë me shumë fat, ashtu si edhe nipat dhe mbesat tjera, që janë rritur në prehrin e tij.
“Faleminderit që na ke mësuar për me e dashtë vendin, kombin tonë, pa bërë asnjëherë dallime se kush është qytetar, kush është i katundit, kush është mysliman e kush është katolik. Gjithmonë më ke thënë: ai që i thotë nanës nanë e bukës bukë është i joti të pastë gjyshi. Faleminderit shumë që mua, familjes sonë e pasardhësve tanë na ke lënë vetëm krenari sa herë që kemi me të kujtuar e me përmendur emrin tënd”, ka thënë Brisku.
Pas orës përkujtimore, përfaqësuesit e organizatorëve dhe pjesëtarët e familjes dhe të afërmit kanë vendosur një kurorë me lule në varrin e Bahri Briskut në varrezat në Pinjesh të Ulqinit.
Bahri Brisku ka lindur në Ulqin në vitin 1933. Ka punuar si mësimdhënës në Mal të Zi, në Kosovë dbe në Maqedoni. Ka qenë gazetar shumëvjecar i gazetës “Rilindja”, mbledhës dhe studiues i folklorit, studiues i detarisë dhe kusarisë shqiptare. Ka lënë trashëgimi një numër të veprave nga fusha e letërsisë, folkloristikës, detarisë, publicistikës etj.
I frymëzuar nga demonstratat në Kosovë dhe Maqedoni të vitit 1968, Bahri Brisku organizoi dhe udhëhoqi demonstratat e nxënësve në Ulqin, më 3 qershor 1969, si shprehje e pakënaqësisë së popullit shqiptar për pozitën e tyre në Mal të Zi. Për bindjet politike dhe veprimtarinë e tij kombëtare ka qenë përherë i përndjekur, është arrestuar dhe dënuar disa herë nga pushteti malazez-jugosllav.
Bahri Brisku ishte aktiv edhe në jetën politiko-shoqërore dhe kulturore pas viteve ‘90. Ka qenë bashkëthemelues dhe nënkryetari i partisë UNIKOMB, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Mal të Zi, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Mal të Zi, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në Uashington, anëtar i kryesisë së Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, bashkëpunëtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, redaktor i revistës “Buzuku”, si dhe anëtar i disa subjekteve kulturore-artistike.
Për veprimtarinë e tij është nderuar me dhjetëra diploma e mirënjohje nga institucione të ndryshme.
Vdiq më 11 dhjetor 2021, ndërsa u varros më 12 dhjetor 2021 në vendlindjen e tij në Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat