(Ali Bardhi, Varrezat në Tivarin e Vjetër me mbishkrime arabo-osmane, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2023)
Studiuesi Ali Bardhi vjen para lexuesit me një libër të ri që për objekt trajtimi ka varrezat me mbishkrime arabo-osmane, kësaj radhe të hapësirës së Tivarit të Vjetër. Në parathënien e librit, autori shpjegon se deri më tani janë kryer hulumtime rreth disa epitafeve, si pllaka të xhamive, krojeve e të disa gurvarreve, por pa përfshirë gjithë hapësirën e Tivarit të Vjetër. Kjo edhe e ka nxitur për të hulumtuar gurvarret në tre vende brenda bedenave të kalasë së Tivarit, në varrezën pranë xhamisë e cila sot mban emrin e Shkanjit sipas ndërtuesit të saj Ahmed Begut, në varrezën e xhamisë së Omer-Bashës, varrezat pranë xhamisë që ndodhen në mëhallën Nënqytet e që njihen si e Dervish Hasanit dhe e Kapedanëve, si dhe varrezat në lagjet më të afërta, Zalef dhe Tugjemil. Ai thekson se për shkak të studimeve të mangëta, në veçanti në fushën e varrezave dhe gurvarreve, nuk mund të nxirren përfundime shteruese lidhur me vjetërsinë e varrezave myslimane në trevën e Tivarit.
Në kapitullin e parë të librit autori paraqet një trajtesë së shkurtër rreth varreve me mbishkrime arabo-osmane, pastaj flet për llojet e varreve dhe gurvarreve, llojet e tyrbaneve apo çallmave, gjuhën e gurvarreve, elementet bazë të epitafit, simbolet dhe motivet e gdhendura në gurvarre etj. Në kapitullin e dytë jepet materiali i evidentuar gjatë hulumtimeve në terren. Pjesë e librit janë edhe përfundimet, paraqitja tabelare e të dhënave të gjetura dhe bibliografia. Në Shtojcë janë paraqitur disa harta, skica, gravura, ilustrime e faksimile të Tivarit të Vjetër. Libri përfundon me fotografitë e realizuara gjatë punimeve në terren.
Libri “Varrezat në Tivarin e Vjetër me mbishkrime arabo-osmane” është botim dygjuhësh: në gjuhën shqipe dhe malazeze/boshnjake. Ai është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen kryesore të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktorë të librit janë Dr. Agron Islami dhe Gazmend Kovaçi, recensent Sulo Mustafiq, korrektorë për gjuhën shqipe Ismet Kallaba, kurse për gjuhën boshnjake/malazeze Sulo Mustafiq. Përkthimin e tekstit në gjuhën boshnjake/malazeze e ka bërë Mr. Muidin Milaimi. Fotografitë janë realizuar nga Ajet Bardhi, ndërsa librin e ka faqosur Bledar Xama.
Mr. Ali Bardhi është autor i librave “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin”, “Varrezat në Ulqin – zona e brendshme e qytetit dhe rrethina e afërt” dhe bashkautor i librit “Varreza e Xhamisë së Nizamëve dhe Varreza e Vjetër e Tuzit”. Ky është libri i tij i katërt.
i. k.
