
(Vijon nga numri 1035)
Austro-Hungaria si fuqi e interesuar arriti një marrëveshje me Rusinë dhe me Fuqitë e tjera, që pas rënies së Perandorisë Osmane do të kishte një shtet shqiptar që do të fillonte në Janinë dhe do të mbaronte në Liqenin e Shkodrës, shkruan autorja Kocaqi duke shtuar se Rusia nuk Iu përmbajt marrëveshjes, se ajo punonte me dy standarde, tjetër gjë arrinte në diplomaci dhe tjetër gjë bënte fshehurazi. Rusia lakmonte ngushticat e Turqisë dhe direkt nuk mund t’i merrte, se nuk e lejonin Fuqitë e tjera, por nëpërmjet aleateve të saj po. Kështu Rusia mblodhi një ligë ballkanike dhe e armatosi në prill të vitit 1912, dhe po në prill filloi të vihet në zbatim plani i luftës me një kryengritje shqiptare, e cila duhet thënë se nisi menjëherë. Këto fuqi nuk donin të drejta për shqiptarët, por donin të përdornin shqiptarët duke rekrutuar disa nga krerët e kryengritjes. Kryengritja shqiptare e muajve prill-gusht të vitit 1912, nuk ishte gjë tjetër veç një kryengritje për llogari të fqinjëve ballkanikë. Në momentin që Vjena i kërkoi Stambollit që t’u jepte autonomi shqiptarëve, Fuqitë Ballkanike lëvizën duke i shpallur luftë Perandorisë Osmane, dhe në pak javë e shpartalluan atë, dhe pushtuan të gjithë tokat shqiptare.
Në vazhdim të shtjellimit të përmbajtjes së studimit të vet, autorja Elena Kocaqi shkruan se në vitet 1912-1913, Serbia dëshironte të merrte të gjithë Sanxhakun e Kosovën dhe të dilte në Portin e Durrësit. Portin e pushtoi, por nuk e aneksoi, sepse Austro-Hungaria mobilizoi ushtrinë dhe kërcënoi me lufte botërore, dhe kjo i detyroi Fuqitë e Mëdha të ushtronin presion mbi Serbinë që ajo të tërhiqej, por ia dhanë asaj Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë. Mali i Zi donte Shkodrën që ta bënte kryeqytet, deri në Portin e Lezhës, por nuk e mori dot për shkak të një ultimatumi që i çoi Austro-Hungaria. Për t’i shmangur një lufte botërore, Fuqitë e Mëdha e detyruan Malin e Zi të linte Shkodrën. Greqia dëshironte gjithë Epirin deri në Vlorë, por pa qytetin pasi këtë të fundit e lakmonte Italia që në atë kohë nuk ia linte askujt edhe me koston e luftës. Si përfundim, Greqia mori Çamërinë, por jo te gjithë Epirin dhe në këtë rast nga insistimi i Monarkisë së Danubit dhe Italisë, Maqedonia, pjesa më e madhe e të cilës banohej nga shqiptarët dhe pjesa tjetër nga sllavo-bullgarët, ishte e lakmuar prej Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Rusia këtë zonë nuk ia premtoi askujt dhe nuk e ndau para lufte, dhe kjo shkaktoi edhe Luftën e Dytë Ballkanike, ku Serbia dhe Greqia e ndanë këtë territor midis tyre, megjithëse aty nuk kishte as serbë dhe as grekë. Pjesën e Maqedonisë së banuar nga shqiptarët që mori Greqia, e asimiloi dhe e dëboi popullsinë, ndërsa pjesën e Maqedonisë që e mori Serbia u ruajt, pavarësisht se edhe aty filluan dëbimet masive.
Autorja e studimit “Zhdukja e shqiptarëve nga trojet e tyre në shekuj XIX-XX”, Prof. Ass. Dr. Elena Kocaqi, në vazhdim të shtjellimit të tematikës së bujshme shkruan se shteti zyrtar shqiptar me një territor shumë të cunguar, është produkt i vendimeve të diplomacisë së Evropës dhe si i tillë u krijua me insistimin e diplomacisë Austro-Hungareze për qëllimet e saj strategjike. Planet e monarkive ballkanike të kohës, ishin që të ndanin komplet trashëgiminë historike të mbetur të shqiptarëve. Kjo u bë shkak jo vetëm për luftërat ballkanike, por edhe për Luftën e Parë Botërore. Të mos kishte qenë për kërcënimin me luftë të monarkisë Habsburge, mesiguri sot jo vetëm nuk do të kishte një shtet shqiptar, por do të vihej në diskutim nëse do të kishte dhe një etni shqiptare në Ballkan. Për gjithë këtë humbje të madhe të shqiptarëve, në radhë të parë përgjegjëse janë diplomacitë e Fuqive Evropiane dhe më pas ato të shteteve ballkanike, dhe e treta paria shqiptare që për interesa personale ka shitur ato të vendit.
Rrallë mund të hasen shembuj kur fqinji realizon programe politike për zhdukjen e popullatës së fqinjit të vet, shprehet në studimin e vet autorja Kocaqi dhe thekson se ka pasur disa programe për zhdukjen e shqiptarëve të përpunuara nga nacionalistë, ekstremistë, shpesh edhe nën petkun e akademikut. Historiografia botërore rrallë mund të jetë ndeshur me platforma të tilla, ku i kërkohej Evropës që të zhdukte nga faqja e dheut shqiptarët, sepse sipas nacionalistëve ekstremistë serbë ata nuk meritonin të jetonin, sepse toka ku ata banonin iu duhej serbëve për t’u pasuruar dhe zgjeruar.
Shqiptarët u vranë, u dëbuan nga shtëpitë, u torturuan, u asimiluan, u vodhën nga fqinjët e tyre në mes të Evropës në kohët moderne, kur të drejtat e njeriut për jetë, liri dhe pronë quhen si të drejta natyrore që fitohen me lindje, shprehet autorja Elena Kocaqi në fund të përmbajtjes së tekstit të studimit të vet, duke shtuar se shpesh thuhet se ndaj shqiptarëve është bërë gjenocid, krime kundër njerëzimit, por historiografia botërore njeh edhe termin holokaust, me të cilin nënkuptohet zhdukja totale e hebrenjve nga nazistët gjermanë. Po të krahasosh krimet ndaj hebrenjve me ato që janë kryer ndaj shqiptarëve, nuk ka ndonjë dallim të madh, madje programet politike për zhdukjen e shqiptarëve janë ndoshta unikale në botën moderne.
Në fund të librit, autorja Prof. Ass. Dr. Elena Kocaqi, në pika të shkurtra ka bërë rekapitulimin e studimit të vet të shprehur në konkluzione, siç vijon: Shqiptarët janë një popull tepër i vjetër që kanë jetuar në trojet e tyre në kohët parahistorike. Ata arritën që të ruajnë një pjesë të madhe të territoreve të tyre, deri në shekujt XVIII-XIX-XX. Tokat që ata i humbën mijëra vjet, i humbën në momentin që Fuqitë e Mëdha Evropiane, krijuan shtetet tjera në trojet e shqiptarëve. Popullsia shqiptare shërbeu në disa raste si lënda bazë për formimin e kombeve të tjera, veçanërisht atij grek.
Ndaj shqiptarëve këta dy shekuj janë ndërmarrë fushata dhune, asimilimi, dëbimi që kanë qenë të padëgjuara në historinë e vjetër dhe të re të Evropës. Nga rreth 180 mijë km2 tokë që ruajtën shqiptarët, Evropa i la shtetit shqiptar vetëm 28 mijë km2 , pasi pjesën tjetrën me gjithë popullsinë shqiptare brenda ua dhuroi vendeve ballkanike. Vende si Serbia dhe Greqia u krijuan që në fillim në tokat e shqiptarëve dhe ato filluan edhe procesin e asimilimit, dëbimit dhe vrasjeve. Vendet fqinje, veçanërisht Serbia kanë pasur disa plane dhe projekte për zhdukjen totale të shqiptarëve, siç kanë qenë ato të Gjorgjeviqit dhe Çubrilloviqit.
Po to merret parasysh numri i të vrarëve, dëbuarve, asimiluarve dhe pasurive të shqiptarëve të vjedhura nga fqinjët, atëherë del qartë se mbi shqiptarët është bërë një holokaust i vërtetë. Janë vrarë mbi 500 mijë shqiptarë, që po të llogaritësh sot me shtesën natyrore, duhet të ishin të paktën 2.5 milionë banorë, por edhe më tepër. Janë dëbuar nga trojet e tyre me dhunë mbi 2 milionë shqiptarë, që po të llogaritësh shtesën natyrore, do të bënin një popullsi me mbi 10 milionë banorë. Janë asimiluar nga Greqia nga 5 deri në 7 milionë shqiptarë, që janë bërë grekë, dhe një numër i madh është asimiluar në territoret sllave. Janë asimiluar nga Turqia në mbi 10 milionë shqiptarë që ishin kryesisht shqiptarët e dëbuar nga Serbia dhe Greqia, që gjetën strehë atje por nuk e ruajtën dot identitetin e tyre kombëtar, pasi Turqia nuk ua ka lejuar këtë gjë. U janë vjedhur shqiptarëve rreth 140 mijë km2, për të krijuar shtetet e tjera dhe kjo është një pasuri kolosale. Moszhdukja totale e shqiptarëve i dedikohet Fuqive të Mëdha, si Austrisë dhe Amerikës që bënë një shtet politik shqiptar dhe që kanë mbrojtur shqiptarët në Ballkan.
Çështja shqiptare është një problem i hapur dhe i pazgjidhur për aq kohë sa shqiptarët ende vriten, shtypen, persekutohen në tokat e tyre që janë tashmë territor i një shteti të huaj, që nuk i mbron interesat e tyre. Zgjidhja e çështjes shqiptare duhet bërë në përputhje me konventat ndërkombëtare, ku sanksionohen të drejtat e njeriut për jetë dhe pronë, si dhe të drejtat e kombeve për të vetëvendosur.
(Fund)
