Sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha nderohet me Çmimin e vokalit më të mirë të Festivalit

Mes emrave të spikatur që morën pjesë këtë vit, ishin edhe dy artiste nga Ulqini - pianistja Fatime Katana - Buzuku dhe sopranoja Gjylie Pelingu - Hoxha, të cilat përfaqësuan me dinjitet dhe profesionalizëm artin shqiptar. Zëri i Ulqinit që pushtoi Elbasanin – Gjylie Pelingu - Hoxha u nderua me Çmimin e vokalit më të mirë të festivalit

Për të dhjetin vit radhazi, Elbasani u kthye në qendër të muzikës së dhomës dhe krijimtarisë shqiptare përmes Takimit Mbarëkombëtar të Orkestrave të Harqeve, që u mbajt nga data 15 deri më 17 tetor në Teatrin “Skampa”. Festivali, tashmë i njohur si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të muzikës klasike në Shqipëri, mblodhi së bashku rreth 200 artistë nga vendi dhe diaspora, duke prezantuar jo vetëm vepra të mëdha të repertorit klasik ndërkombëtar, por edhe krijimtari të re shqiptare.
Nën drejtimin e violinistit dhe dirigjentit të njohur Blerim Narazani, festivali u kthye në një platformë të fuqishme për promovimin e artistëve dhe kompozitorëve shqiptarë. Gjatë tri netëve të festivalit, skenën e ndanë 14 orkestra harqesh nga qytete të ndryshme, si Tirana, Shkodra, Vlora, Elbasani, si dhe artistë nga diaspora, duke ofruar një mozaik tingujsh e interpretimesh që pasqyruan larminë dhe nivelin e lartë artistik të muzikës së dhomës në hapësirën shqiptare.
Në këtë edicion jubilar të festivalit, u vendos një theks i veçantë mbi krijimtarinë shqiptare, duke kërkuar nga pjesëmarrësit prezantimin e të paktën një vepre të re shqiptare në repertorin e tyre. Kjo nismë synonte jo vetëm të nxisë kompozitorët vendas, por edhe të rrisë ndërgjegjësimin për pasurinë e muzikës sonë artistike në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Juria e festivalit, e përbërë nga personalitete të njohura të artit si violinisti me famë botërore Paçalin Zef Pavaci, producenti Edmond Tullumani dhe gjuhëtarja Teuta Toska, vlerësoi interpretimet më të spikatura, duke ndarë çmime që nderojnë punën dhe përkushtimin e artistëve.
Mes emrave të spikatur që morën pjesë këtë vit, ishin edhe dy artiste nga Ulqini – pianistja Fatime Katana Buzuku dhe sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha, të cilat përfaqësuan me dinjitet dhe profesionalizëm artin shqiptar.
Festivali Mbarëkombëtar i Orkestrave të Harqeve në Elbasan vazhdon të mbetet një gur themeli i rëndësishëm i kulturës muzikore shqiptare, që jo vetëm ruan dhe kultivon traditën e muzikës së dhomës, por i jep hapësirë edhe krijimtarisë së re, duke afruar brezat dhe kombet përmes artit. Me pjesëmarrje të gjerë, vlera të larta artistike dhe përkushtim të sinqertë, ky aktivitet e forcon edhe më shumë profilin e Elbasanit si një qytet me identitet të fuqishëm kulturor.

D. Teliqi

Intervistë me artistet nga Ulqini, Gjylie Pelingu – Hoxha dhe Fatime Katana – Buzuku

Koha javore: Cili ishte motivi i pjesëmarrjes suaj në këtë festival?
Gjylie Pelingu – Hoxha:
Në festivalin kombëtar të Elbasanit na ftoi maestroja – violinisti dhe dirigjenti Blerim Narazani. Meqenëse sivjet ishte 10-vjetori i festivalit, ai donte një program me specifikë dhe më të veçantë. E pranuam me shumë kënaqësi këtë ftesë, duke e konsideruar si një nder dhe përgjegjësi.

Koha javore: Me cilat vepra u paraqitët në skenën e festivalit?
Fatime Katana – Buzuku:
Ne u paraqitëm me tri vepra të ndryshme – dy të huaja dhe një shqiptare. Interpretuam “Donde lieta” nga opera La Bohème e Puccinit dhe “Song of the moon” nga opera Rusalka e Dvořákut. Po ashtu, sollëm një vepër nga kompozitori i madh shqiptar Zef Çoba, titulluar “Dy pritjet”.

Koha javore: Si e përjetuat atmosferën dhe bashkëpunimin artistik gjatë tri netëve të festivalit?
Gjylie Pelingu – Hoxha:
Ishte një eksperiencë mbresëlënëse. Për tri net, ndamë skenën me afro 14 orkestra nga pothuajse e gjithë Shqipëria. Kënaqësi e veçantë ishte të interpretoje përkrah instrumentistëve të shkëlqyer dhe dirigjentëve të njohur të institucioneve më të larta të muzikës klasike në vend.

Koha javore: Si e vlerësoni marrjen e çmimit “Vokali më i mirë i festivalit”?
Gjylie Pelingu – Hoxha:
Ky çmim për ne është një shpërblim i madh moral dhe profesional. Është dëshmi se gjithë ai përkushtim, lodhje, ushtrim dhe sakrificë që bëjmë çdo ditë, në fund vlerësohet dhe shpërblehet. Tregon se jemi në rrugën e duhur dhe na motivon të mos ndalemi së punuari e hulumtuari në profesionin tonë.

Të fundit

më të lexuarat