Tuz – Dita e Evropës, që në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësitë e BE-së jashtë saj zakonisht shënohet më 9 maj, u përkujtua edhe në Tuz, ku aktiviteti u zhvillua të mërkurën, më 28 maj 2025, në Sheshin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor, të qeverisë dhe të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, u tha se me këtë solemnitet shënohen vlerat e BE-së: paqja, uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi midis popujve dhe shteteve.
Në shenjë uniteti evropian dhe miqësie, disa sportistë të suksesshëm i dorëzuan flamurin e BE-së shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ambasadorit, Johann Sattler.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, në fjalën e rastit theksoi se po shënojnë përkushtimin e tyre ndaj rrugës evropiane, e cila mbështetet në vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“Këto janë vlera që ndajmë dhe synojmë t’i forcojmë në komunën tonë, edhe në të ardhmen. Nëpërmjet partneritetit me BE-në jemi dëshmitarë të rezultateve konkrete, të përmirësimit të infrastrukturës dhe mbrojtjes më të mirë të mjedisit,” u shpreh Gjelaj.
Ndërkohë, shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ambasadori Johann Sattler, në fjalën e tij theksoi se BE-ja po feston idenë e Evropës edhe në Tuz, duke u shprehur i lumtur që të gjitha njëzetepesë komunat e Malit të Zi i janë bashkuar kësaj nisme.
Siç tha ai, Bashkimi Evropian nuk është vetëm për kryeqendrat, por i përket çdo qytetari e çdo komuniteti – pra edhe Tuzit, Andrijevicës, Nikshiqit, e të tjerëve.
Ambasadori Sattler shprehu kënaqësi të veçantë që ndodhej në Tuz, duke theksuar se, Mali i Zi ka dëshmuar gjatë vitit të fundit se mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se kjo është vërtetë emocionuese dhe se e bën të besojë që së bashku mund të arrihet përmbyllja e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2026, me synimin që procesi të përfundojë deri në vitin 2028 dhe Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së.
Ndër të tjera, ai u shpreh i kënaqur edhe për të gjitha projektet ekologjike të realizuara gjatë këtij muaji, si dhe për ato që do të pasojnë, duke theksuar se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit evropian.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës në Tuz u bë hapja solemne e projektit të quajtur: Eko- parku për fëmijë, i cili është realizuar në bashkëpunim dhe partneritet me “Eco- fondin”.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eko- fond”-it, Drashko Boleviq, u shpreh se e gëzon fakti që ky park u është dedikuar më të rinjve dhe se çdo gjë që punojnë lë trashëgimi edhe për gjeneratat e ardhshme.
Ai tha se udhëheqësit e qeverisjes lokale, kanë aplikuar nga konkursi i parë deri në të fundit te “Eco- fondi” për t’i shfrytëzuar me punë mjetet e tyre.
“Kjo është hapësira e parë e gjelbër të cilën e kemi ndërtuar në territorin e komunës së Tuzit, por nuk është projekti i vetëm të cilin e kemi ndërtuar së bashku,” theksoi Boleviq.
Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Bashkëpunim Territorial Evropian në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, Millosh Markoviq.
Vizitorët në këtë aktivitet patën mundësi të vizitojnë stendat e ngritura me produkte vendore dhe punime artizanale.
Dita e Evropës përkujton Deklaratën e Shumanit të vitit 1950, që konsiderohet gurthemel i Bashkimit Evropian.
t. u.