Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, të njohur si “Tetori rozë”, të mërkurën në Tuz u zhvillua një takim edukativ dhe promovues, i mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Malin e Zi, me temën “Virusi i papillomës njerëzore – nga infeksioni te parandalimi”.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të grave dhe vajzave, mbi këtë tematikë ligjëruan mjekët Dr. Anton Gjuravçaj, Dr. Millko Joksimoviq dhe Dr. Andrijana Vujoviq.
Dr. Anton Gjuravçaj, në ligjëratën e tij gjithëpërfshirëse dhe të detajuar, me shumë profesionalizëm, theksoi rëndësinë e vaksinimit kundër HPV-së si mënyrën më efektive për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, më pas kontrollin parandalues (ose skrining – kontrolli parandalues te personat që nuk kanë simptoma për të zbuluar sëmundje në fazat e hershme) dhe në fund shërimin.
“Nëse kontrollet (depistimi – zbulimi i hershëm i ndryshimeve ose sëmundjes përpara se të japë simptoma) bëhen rregullisht, legjionet (ndryshime ose dëmtime qelizore në qafën e mitrës) që shfaqen në qafën e mitrës mund t’i zbulojmë në një kohë optimale (fillestare), ndërsa parashikimet për shërimin e sëmundjes do të jenë prej 100 për qind”, u shpreh ai.
Gjuravçaj tha se qëllimi i tyre është që përmes këtyre takimeve të edukojnë popullatën për të kryer kontrolle të rregullta dhe për të pasur më shumë kujdes, pasi ky kancer zë vendin e dytë për nga vdekshmëria te gratë e reja të moshës 15-45 vjeçe.
“E mira e kësaj është se është kanceri i vetëm të cilin deri në këtë moshë mund ta parandalojmë plotësisht nëse vaksinohemi dhe i bëjmë kontrollet (depistimin) në mënyrë të rregullt”, theksoi mjeku.
Duke folur për mënyrat e përhapjes së këtij virusi, Gjuravçaj tha se ai përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë (përmes mukozave me lëkurën) dhe kontaktit të drejtpërdrejtë që mund të jetë edhe nga vetë i njëjti organizëm (prej një pjese të organizmit, në pjesën tjetër) dhe në raste të rralla përmes lindjes.
Gjuravçaj tha se në botë ekzistojnë mbi 230 lloje të këtij virusi, e që 40 lloje mund të transmetohen përmes mukozave, ndërsa rreth 80 për qind e grave, gjatë jetës së tyre, do të bien në kontakt me njërin nga këto viruse, dhe mund të ndodhë, edhe disa herë.
“Nga ky grup virusesh, 14 lloje paraqesin rrezik të madh për shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës, dhe shkenca po përpiqet që këto viruse t’i përfshijë sa më shumë në vaksina, pasi mekanizmi i vaksinave është i tillë që ato ndikojnë në formimin e antitrupave dhe kështu krijohet një mbrojtje imunologjike”, tha Gjuravçaj.
Sipas tij, nëse kryhet vaksinimi me vaksinën që sot përdoret në Mal të Zi, do të sigurohej një mbrojtje prej 90 për qind ndaj këtij virusi.
“Grupi kryesor tek i cili fokusohemi për marrjen e vaksinës është mosha nga 9 deri në 14 vjeçe, sepse kjo është mosha më e mirë për vaksinim për arsye se kemi një reagim të imunitetit në nivelin më të lartë. Prandaj për këtë moshë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nëse imuniteti përgatitet në këtë mënyrë, ajo është një kënaqësi dhe mbrojtje e jashtëzakonshme për parandalimin e shfaqjes së këtij virusi dhe sëmundjes që shkakton”, u shpreh Gjuravçaj.
Ndërkaq, Dr. Millko Joksimoviq sqaroi vaksinimin në praktikë, ndërsa doktoresha Andrijana Vujoviq informoi për programin e kontrollit parandalues për zbulimin e hershëm të sëmundjes (skriningut).
Ky aktivitet ndërgjegjësues, i dedikuar publikut të gjerë, përfaqësuesve të pushtetit lokal, punonjësve shëndetësorë dhe organizatave joqeveritare, ka si synim forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër kancerit të qafës së mitrës.
Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi vazhdon fushatat ndërgjegjësuese për kujdesin ndaj shëndetit dhe informimin e qytetarëve.
t. u.
